Menaxhimi i shoqërive të ujësjellës-kanalizimeve ka qenë përherë një sfidë më vete për qeveritë në vend. Shumica e tyre në raportet vjetore të Entit Rregullator të Ujit rezultojnë me një menaxhim të dobët, me financa të pakonsoliduara dhe me punësime të jashtëzakonshme.

Kjo mungesë mirëmenaxhimi si dhe problematika evidente e humbjeve në rrjet që kap nivelin 67 për qind të totalit të ujit të prodhuar janë trajtuar si “Themba e Akilit” që duhet t’i jepet zgjidhje. “Nga 57 shoqëri, 18 prej tyre kanë arritur të mbulojnë mbi 100% të kostove O&M, 7 shoqëri janë në nivelin e mbulimit 80%-100% dhe 33 shoqëri janë në nivelin nën 80%.

Në sektor operojnë 18 shoqëri të cilat nuk mbulojnë as 50% të kostove O&M. Këto shoqëri nuk kanë aftësi financiare për të përballuar kostot dhe vazhdimësia e aktivitetit të tyre mbështetet nga subvencionimi i buxhetit të shtetit” thuhet në raportin e performancës të vitit 2016 të ERRU.

Jo pa qëllim, Fondi Shqiptar i Zhvillimit si pjesë të një projekti të veçantë ka pasur krijimin e një bërthame trajnerësh të cilët do të trajnojnë stafet e ujësjellësve, veçanërisht atyre në zonat rurale.

Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka tashmë një skuadër prej 15 trajnerësh të kualifikuar për skemat e reja të ujësjellësve ruralë. Trajnerët u trajnuan në kuadër të masave shoqëruese të parashikuara në projektin SIF IV, pjesë e programit Ujësjellësit Ruralë bashke financuar nga Qeveria Shqiptare, Banka Gjermane për Zhvillim (KfW) dhe Bashkimi Europian.

Trajnimi 15-mujor, që u zhvillua në periudhën Prill 2016-Qershor 2017, krijoi një bërthamë trajnerësh të kualifikuar, të cilët në të ardhmen do të ofrojnë trajnime për Operatorët e Shërbimit të Ujësjellësve Ruralë në funksion të rritjes së kapaciteteve të tyre.

Trajnimi u përqendrua në tema të fushës inxhinierike, financiare dhe komunikimit dhe u drejtua nga ekspertë shqiptarë e ndërkombëtarë të fushave përkatëse. Aktualisht FSHZH po zbaton programin e ujësjellësve ruralë RËSP 3 në të gjithë vendin me përfitues të paktën 14 Bashki dhe Ndërmarrjet UK përkatëse.

Redaksia Online
D.T/Shqiptarja.com