Ka përfunduar procesi i evidentimit të dëmeve të shkaktuara nga zjarret e verës në qarkun e Vlorës, ku më të prekurat rezultojnë bashkitë Delvinë dhe Finiq.
Në Delvinë janë djegur 16 banesa, një kishë dhe 5 automjete, ndërsa flakët kanë përpirë 1250 hektarë shkurre, 1250 hektarë kullota dhe 69,965 rrënjë ullinj. Zjarret kanë shkaktuar gjithashtu humbjen e 30 deleve, 3 mushkave, 45 hektarëve pyje dhe 622 kosheresh bletësh.
Në Finiq, dëmet janë po aq të rënda: 17 banesa, një kishë dhe një stallë bagëtish janë shkatërruar, krahas 35 mijë rrënjëve ullinj, 4 mijë vreshtave dhe drurëve frutorë. Edhe në këtë zonë janë djegur 9 gjedhe dhe 330 kosha bletësh.
Në Konispol, flakët kanë përfshirë 80 hektarë shkurre, 20 hektarë kullota, duke dëmtuar 1100 rrënjë ullinj, 100 drurë frutorë, 10 dele dhe 10 kosha bletësh.
Dëme më të kufizuara janë raportuar edhe në bashkitë Vlorë, Sarandë, Himarë dhe Selenicë, kryesisht në sipërfaqe pyjore dhe kullota.
Aktualisht ka përfunduar vetëm procesi i evidentimit të dëmeve, ndërsa ende nuk është përcaktuar data e fillimit të demshpërblimeve për familjet e prekura.
Edhe pse kryeministri ka premtuar dëmshpërblim për çdo humbje, mbetet e paqartë nëse do të zbatohet fjala sikurse tha kryeministri apo do të veprohet sipas VKM-ja e vitit 2012, e cila parashikon kompensim vetëm për banesat dhe pajisjet elektro-shtëpiake.
Komente








