Tiranë- Përfundon ministeriali SHBA-Karta e Adriatikut në Tiranë. Në përfundim të tij, ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu mbajti një konferencë për shtyp bashkë me Ndihmës Sekretaren Amerikane të Mbrojtjes për Çështjet e Sigurisë, Celeste Wallander. Ata dhanë një deklaratë të përbashkët, në përfundim të ministrierialit SHBA-Karta e Adriatikut.
Ministri Vengu në fjalën e tij falënderoi SHBA-të dhe vendet anëtare të Kartës, kolegë të pranishëm, për bashkëpunimin në fushat ushtarake dhe të sigurisë, me qëllim paqen dhe prosperitetin në rajon.
Ministrat e Mbrojtjes së vendeve anëtare dhe vëzhguese të Iniciativës SHBA-Karta e Adriatiku (A-5) u mblodhën në Tiranë, për të diskutuar një sërë çështjesh të rëndësishme, që shtrohen në fushën e Mbrojtjes dhe Sigurisë për Ballkanin Perëndimor dhe më gjerë. Ky ministerial u bashkëdrejtua nga ministri Vengu dhe ndihmëssekretarja amerikane të Mbrojtjes për Çështjet e Sigurisë Ndërkombëtare, Celeste Wallander.
Ministri Vengu ndau në përfundim të këtij ministeriali temat kryesore të diskutimeve mes përfaqësuesve të lartë të Iniciativës SHBA - Karta e Adriatikut:
“Patëm mundësi të ndaleshim mbi ndërlikimet në ambientin strategjik të sigurisë në kontinentin europian përfshirë edhe rajonin e Ballkanit Perëndimor. Theksuam dhe njëherë rilevancën e Kartës së Adriatikut dhe çdo vendi anëtar, në mënyrë të veçantë rolin e pazëvendësueshëm të SHBA në rajon”, u shpreh ministri i Mbrojtjes në deklaratën përbashkët, pas mbylljes së punimeve të ministerialit.
Pjesë e diskutimeve të ministerialit të A-5 ishte edhe sulmi i fundit në veri të Kosovës:
“Shqyrtuam një sërë rreziqesh dhe sfidash me karakter hibrid dhe një vëmendje të shtuar mori sulmi kriminal i pak ditëve më parë në Zubin Potok, ndaj infrastrukturës kritike të Republikës së Kosovës. Ndërkohë që gjej rastin të përsëris solidaritetin tonë me shtetin e Kosovës, të gjitha vendet dënuan këtë sulm të rrezikshëm për sigurinë dhe stabilitetin rajonal dhe kërkuan sjelljen e përgjegjësve para drejtësisë”, theksoi ai.
Ndër të tjera në këto diskutime, sipas ministrit të Mbrojtjes, u fol edhe për ri-energjizimin e Kartës së Adriatikut, duke parë dinamikën gjeopolitike dhe ndryshimin e vazhdueshëm të ambientit strategjik të sigurisë:
“Kjo, - theksoi ministri Vengu duke jetësuar Politikën e Dyerve të Hapura të Kartës - dhe për ne anëtarësimi i Kosovës mbetet prioritet absolut, por dhe për të qenë më pro-aktiv në angazhime të përbashkëta në NATO, specifikisht në Forcat e Përparura të Aleancës në Europën Juglindore; Misionin për trajnimin, asistencën dhe mbështetjen për forcat ukrainase; Misionin e NATO-s në Irak; por dhe kontribues në agjendën e sigurisë dhe mbrojtjes së përbashkët të Bashkimit Europian, si psh. në misionin ALTHEA në Bosnje dhe Hercegovinë”, nënvizoi Vengu.
Një pikë e rëndësishme e këtij takimi ishte edhe diskutimi mbi zhvillimin e kapaciteteve të mbrojtjes, në përputhje me procesin e planifikimit të mbrojtjes së NATO-s, por dhe mbi investimet e Shqipërisë në industrinë ushtarake, rrjetin infrastrukturor, si dhe ndërveprueshmërinë mes forcave ushtarake.
Sipas ministrit Vengu, këto do të përbëjnë një kontribut domethënës të vendeve tona për forcimin e qëndrueshmërisë kombëtare dhe "mbrojtjes kolektive në zonën euroatlantike".
"Me përfundimin e këtij ministeriali, mbyllet edhe angazhimi i vendit tonë për këtë vit sa i përket kësaj iniciative", tha ai.
Gjatë 2024 Shqipëria mirëpriti një sërë eventesh të nivelit të lartë politiko-ushtarak në kuadër të Balkans CHODs, SEDM dhe pikërisht SHBA-A5, duke u kthyer në një pol për bashkëpunimin rajonal në fushën e Sigurisë dhe Mbrojtjes.