Përfundon rehabilitimi i bllokut të banimit në Njësinë 2, shqetësim i hershëm i banorëve (VIDEO)

Nga një zonë me zero investime prej vitesh, ku balta në dimër dhe pluhuri në verë ishin kthyer në normalitet për banorët, i gjithë blloku i banimit prej 21 hektarësh i kufizuar nga “Rruga Elbasanit” - “Stavri Vinjau” - “Pjetër Budi” dhe “Ali Visha” në Njësinë 2 është transformuar në një lagjet më të mira të Tiranës.

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, inspektoi përfundimin e një prej investimeve më të rëndësishme, kërkesë e përhershme e banorëve të zonës. Ai vlerësoi punën e bërë, ndërsa theksoi se rehabilimi i gjithë zonës jo vetëm ka rritur vlerën e pronës, por edhe do të përmirësojë cilësinë e jetës së banorëve, të cilët edhe pse jetonin shumë afër qendrës, ishin në kushte që linin shumë për të dëshiruar.

“Ky është një nga projektet që ka qenë ndoshta meraku më i madh i Njësisë 2; e gjithë zona midis shkollës “Mihal Grameno”, shkollës “Labinoti”, ish “Vajgurit të Vjetër”, deri në rrugën e “Elbasanit”, rruga “Budi” dhe “Ali Visha”, mendoj se ka dalë në dritë. Ishte një nga zonat e cila konsiderohej pjesa më e rëndomtë e Njësisë 2, sot ka një vlerë krejt tjetër, në momentin që ndriçimi është LED, janë mbjellë pemë, ka vende parkimi, ka rampa për karrocat dhe është ndërhyrë në infrastrukturën nëntokësore”, tha Veliaj.

Ai theksoi se tashmë që kanë përfunduar punimet në infrastrukturë, duhet të nisë edhe rehabilitimi i pallateve të banimit përmes fondit të komunitetit. “Tani që kemi zgjidhur çdo gjë në nivelin horizontal, duhet të mendojmë për nivelin vertikal. Aty na duhet bashkëpunim me qytetarët, që për veshjen me kapotë, për efiçiencën energjetike, na duhet që t’i ndajmë shpenzimet. Skema është shumë më e thjeshtë: zgjidhet fillimisht administratori i pallatit, i cili i autorizuar nga banorët jep kontributin e tyre, kurse Bashkia nga ana e saj e dyfishon atë kontribut”, sqaroi Veliaj.

Më tej, kryebashkiaku shtoi se zgjedhjet mbaruan dhe tani është koha për ta bërë Tiranën më të mirë. “Tani që mbaruan zgjedhjet, mbaroi sherrnaja e debati, është koha për të kujtuar që arsyeja pse zgjidhemi dhe arsyeja pse punojmë, qoftë në Parlament, qoftë në Bashki, qoftë në njësinë administrative, është që t’iu shërbejmë njerëzve dhe të zgjidhim hallet e tyre. Thirrja ime për të gjithë qytetarët është që tani që beteja mbaroi, nuk ka rëndësi fare nëse jemi të djathtë apo të majtë, nëse vajtëm të votojmë ose i bojkotuam, rëndësi ka që jemi shqiptarë, jemi tironsa dhe do të duhet që të punojmë bashkë. Kur mbillen pemë, i bëjnë hije të gjithëve njësoj, si të majtëve edhe të djathtëve; kur shtrohet një rrugë, ecin të gjithë, si të majtë, si të djathtë; kur shtohet një kënd lodrash, luajnë të gjithë fëmijët, si të të majtëve, edhe të të djathtëve”, u shpreh Veliaj.

Ai shtoi se duke përfituar edhe nga koha e favorshme që ofron stina e verës, ndërmarrjet e Bashkisë së Tiranës do të vijojnë me intensitet të lartë punët publike, në mënyrë që qyteti të jetë gati të presë qytetarët kur kthehen nga pushimet. “Jam i lumtur që pas shkollës “Kosova”, pas Liceut dhe Shkollës Koreografike, po mbaron edhe shkolla

“Labinoti”, ndërsa ka filluar rikonstruksioni i shkollës “Mihal Grameno”. Ndaj them, se në fund të ditës, në këto shkolla do të shkojnë si fëmijët e familjeve të majta e të djathta. Për të gjitha këto arsye, fokusin gjatë verës do ta mbajmë jo te sherri, jo te përçarja, jo te sulmet ndaj njëri-tjetrit apo institucioneve, por te kopshtet, te çerdhet, që kur qytetarët të jenë kthyer nga pushimet, pavarësisht bindjeve që kanë, të shohin që Bashkia dhe qeveria kanë qenë në krye të detyrës dhe kanë bërë punë edhe kur ata ishin buzë plazhit”, theksoi veliaj.

Deputetja e PS, Vasilika Hysi, vlerësoi vëmendjen që Bashkia e Tiranës ka treguar ndaj komunitetit të zonës, e cila për më shumë se 20 vite nuk ka pasur investime. “Dua t’ju falenderoj në emër të banorëve të kësaj zone; për 20 e ca vite këtu nuk ka pasur investime. Kjo është një zonë e populluar jo vetëm nga banorë të Njësisë 2, por edhe nga studentët e “Qytetit Studenti”. Nga ky investim përfitojnë jo vetëm banorët, por edhe studentët, të cilët janë në një numër të konsiderueshëm. Me këtë investim vlera e pronës këtu është rritur shumë”, tha Hysi


/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    19 Dhjetor, 08:16

    5 vite nga krijimi i SPAK, jeni të kënaqur me punën e bërë?



×

Lajmi i fundit

Lushnjë/ ‘Benzi’ përplas 66-vjeçarin me motor në aksin Fier-Shegan-Krutje (EMRI)

Lushnjë/ ‘Benzi’ përplas 66-vjeçarin me motor në aksin Fier-Shegan-Krutje (EMRI)