Akademia e Forcave të Armatosura festoi 60- vjetorin e krijimit të saj. Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka e pranishme në këtë aktivitet shpjegoi se misioni i kësaj akademie do të vijojë të mbetet përgatitja, arsimimi e kualifikimi i specialistëve të lartë të personelit ushtarak e civil.
Në kushtet e zhvillimeve të reja të mjedisit të sigurisë në rajon e më gjerë, Akademia e Forcave të Armatosura do të vazhdojë të ketë për mision përgatitjen, arsimimin e kualifikimin e specialistëve të lartë e të aftë të personelit ushtarak e civil, për të gjitha nivelet e drejtimit të Forcave të Armatosura për fushën e mbrojtjes dhe sigurisë. Vëmendja duhet të përqendrohet tek përgatitja e oficerëve të rinj, duke filluar nga modeli që do të zgjedhim, model, i cili të jetë i integruar me arsimin e lartë kombëtar por edhe me ato të vendeve të NATO-s.
Olta Xhaçka, ministre e Mbrojtjes
Ministrja e Mbrojtjes gjatë fjalës së saj theksoi se, në kuadër të detyrave të reja që qeveria shqiptare i ka ngarkuar Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcave të Armatosura, duhet të përshtasë edhe ndryshimet në kurrikula për të qenë sa më efiçent.
Në kushtet kur qeveria shqiptare i ka ngarkuar ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcave të Armatosura menaxhimin e emergjencave civile, si dhe të iniciativës së Kryeministrit për të promovuar në detyrat e prefektëve, dhe në institucionet e të tjera të sigurisë në vend të oficerëve në rezervë, detyra e akademisë është të përgjigjet edhe me ndryshimet përkatëse në kurrikulat e saj me qëllim të arsimojë e kualifikojë në fushën e sigurisë specialistë të lartë të personelit të institucioneve të tjera të sigurisë në vend. Për të gjitha këto prioritete, Komanda e Doktrinës dhe Stërvitjes dhe Akademia e Forcave të Armatosura do të kenë ketë mbështetjen e vazhdueshme të Ministrisë së Mbrojtjes, timen personalisht si dhe Shtabit të Përgjithshëm në përpunimin e një vizioni të ri të zhvillimit të institucionit në përputhje me zhvillimet në të ardhmen të Forcave të Armatosura dhe të shoqërisë, në ndryshimet e nevojshme strukturore e programore si dhe në promovimin e një stafi akademik të aftë për të përballuar këto ndryshime.
Përfundoi fjalën e saj ministrja Xhaçka.
Akademia e Forcave të Armatosura përfaqëson nivelin më të lartë të arsimimit dhe kualifikimit në Forcat e Armatosura. Këtu zhvillohen kurset institucionale si Kursi Themelor i Oficerit të Shtabit, Kursi i Komandës dhe Shtabit të Përgjithshëm, Kursi i Lartë i oficerit, si dhe Kursi i Lartë për Sigurinë dhe Mbrojtjen. Akademia e Forcave të Armatosura u krijua më 10 maj 1958, në Tiranë, në rajonin e Rrapit të Treshit, fillimisht me emërtimin Shkolla e Lartë Ushtarake. Gjatë historisë së saj 60-vjeçare, ajo ka ndryshuar disa herë emërtimin, por asnjëherë nuk ka ndryshuar misioni i saj në funksion të edukimit të brezave të tërë ushtarakësh për t’i shërbyer në çdo kohë dhe në çdo situatë atdheut, në përshtatje me sfidat që shtron koha.