Vendimet e masave të sigurisë janë ushqimi bazë për "drejtësinë popullore".
Nuk di të ketë raste të tjera të ngjashme në perëndim, ku gjykatat për të justifikuar një masë arresti shkruajnë 200, 300, 400 e deri 500 faqe vendim.
Në fakt, gjykata në këto raste ka për detyrë të shpjegojë thjesht arsyet përse duhet aplikuar masa e sigurisë dhe përse kjo masë është në proporcion me nevojën, rrezikun e dështimit hetimor dhe lirisë individit. Sa faqe doni ti japim kësaj gjëje? 5, 10 ja maksimumi 20. Por kurrsesi 200 faqe e lart.
Në vendimet e gjykatave të masave të sigurisë do të gjeni çdo gjë, çdo thashethem apo hamendësim nën pretekstin "dyshim i arsyeshëm", por vetëm arsyet përse njeriu duhet siguruar nuk thuhet, ashtu siç kërkon ligji me prova e arsye bindëse.
Tani pyetja lind, përse kaq shumë faqe të shkruara për një detyrë shumë më të thjeshtë?!
Gjykatat tona, veçanërisht GJKKO, mbush faqe të tëra vendimi me tekste përgjimesh; me thënie dëshmitarësh; me foto provash të cilat duhet të ruhen nga prokurori i çështjes në dosje si sytë e ballit.
Këto materiale hetimore, jo gjykatësit të masës po as gjykatësit që gjykojnë themelin e akuzës nuk duhet ti shikojnë paraprakisht. Të paktën përgjimet e dëshmitë jo.
Atëherë përse i shkojnë gjykatësit të masës?! Përse ky i fundit i përfshin në mënyrë krejt të panevojshme në tekstin e një vendimi i cili sado ta ruash prap bëhet publik?! Se vendimet e gjykatave nuk sekretohen, siç sekretohet dosja hetimore dreqi e mori!
Sigurisht ka edhe të dhëna të tjera që nxjerrin prokurorët për të dëmtuar mbrojtjen e të hetuarve apo pandehurve, po shumica e atyre që thonë se "kam lexuar dosjen" në fakt lexojnë vendimet absurde të gjykatësve të masave të sigurisë, të cilat në thelb bëjnë përmbledhje të montuar përgjimesh, apo thënie të shkëputura dëshmish.
Përgjimet dhe dëshmitë janë super interesante për të bërë gjyq popullor. Dhe gjyq që nuk i jep asnjë shanc viktimës të mbrohet më publik jo e jo që s’mbrohesh dot se të shqyejnë, por as në sallën e gjyqit nuk mbrohesh sepse gjykata e ka dhënë verdiktin e saj që në fazën e hershme hetimore.
Pra ti gjykohesh nga një gjykatë që e ka paragjykuar bashkë me popullin(turmën) çështjen.
Kjo që ndodh sot në realitet nuk ka asnjë lidhje me proçesin e rregullt ligjor. Asnjë lidhje me hetimin e gjykimin e paanshëm e të drejtë. Asnjë, po asnjë lidhje!
Kjo është një situatë që kërkon saktësime ligjore shtesë që rrigin garancitë për proçes të rregull gjyqsor në sallën e gjyqit dhe jo në studiot e lajmeve.
Por ligji nuk mjafton. Kërkohet saktësim i praktikës gjyqsore nga Gjykata e Lartë, duke vendosur kufinj të qartë të rolit të gjykatës dhe të mënyrës së administrimit të provave dhe të dhënave hetimore.
Dhe po, duhet të ketë edhe masa disiplinore për gjykatës që me vetëdije të plotë lejojnë nxjerrjen në publik, dmth vendimi i tyre është dokument publik, të të dhënave hetimore.
Drejtësia Popullore është dëmi më i madh që i vjen publikes. Edhe shkatërrimi popullor i individit është pjesë e dëmit publik.
Komente











