Përgjimet e SHISH, Sollaku:
Krim nëse bëhen pa leje 

TIRANE- Përgjimi i institucioneve dhe drejtuesve më të lartë të policisë nga SHISH, të drejtuar nga Visho Ajazi Lika është i paligjshëm nëse nuk ka marrë miratimin e Kryeprokurorit Adriatik Llalla ose vendim gjykate.

Një sqarim të tillë e ka bërë ish-Prokurori i Përgjithshëm Theodhori Sollaku që njëherësh s’mungon të shprehet se nëse s’janë marrë këto masa, atëherë për shpërdorim detyre urdhëruesit e përgjimit merren nën përgjegjësi penale.

“Askush nuk mund të përgjohet pa miratim të Prokurorit të Përgjithshëm ose pa një vendim gjykate. Në të kundërt, jemi para konsumimit të veprës penale, të shpërdorimit të detyrës nga personi që kryen përgjimin” deklaroi dje për “Shqiptarja.com” ish-kryeprokurori Sollaku. Duke këmbëngulur që duhet zbatuar ligji për gjithçka. Sipas ligjit për Përgjimet, ato urdhërohen vetëm kundër të dyshuarit për kryerjen e një vepre penale, personit që dyshohet se merr ose transmeton komunikime nga i dyshuari, personit që merr pjesë në transanksione me të dyshuarin, personit, vëzhgimi i të cilit mund të çojë në zbulimin e vendndodhjes ose identitetit të të dyshuarit.

Sipas nenit 222 të ligjit, vendimi për lejimin e përgjimit bëhet me kërkesën e prokurorit, ndërsa gjykata autorizon përgjimin me vendim të motivuar për rastet e lejuara me ligj, kur ai është i domosdoshëm për vazhdimin e hetimeve të filluara dhe kur ka prova të mjaftueshme për vërtetimin e akuzës. Sipas pikës 2 të këtij neni, kur ka arsye të bazuara për të menduar se nga vonesa mund t’i vijë një dëm i rëndë hetimeve, prokurori vendos përgjimin me akt të motivuar e njofton gjykatën menjëherë, por jo më vonë se 24 orë. Gjykata brenda 48 orëve nga vendimi i prokurorit, bën vleftësimin me vendim të arsyetuar.

Kur vleftësimi s’bëhet në afatin e caktuar, përgjimi nuk mund të vazhdojë dhe rezultatet e tij s’mund të përdoren. Sipas pikës 3, vendimi për përgjimin, tregon mënyrën e kryerjes dhe kohëzgjatjen e veprimeve, që nuk mund t’i kalojë 25 ditët. Ky afat, me kërkesë të prokurorit mund të zgjatet nga gjykata sa herë është e nevojshme, për një periudhë prej 20 ditësh kur procedohet për krime dhe 40 ditësh kur procedohet për krime të rënda. Sipas ligjit të SHISH, nenit 14, për shkeljen e akteve ligjore e nënligjore si dhe për dëme materiale të pronës publike ose private, punonjësi i SHISH, mban përgjegjësi penale, administrative, materiale apo civile, në përputhje me dispozitat ligjore e nënligjore në fuqi.

Gjithë debati ka lindur për shkak të publikimit dhe në gazetën tonë të disa përgjimeve të bëra nga SHISH, jo vetëm përmes një shkrese të drejtuesve të policisë së shtetit, por dhe të kreut të komisionit të Sigurisë Braho, drejtoreshës së Përgjithshme të Doganave Spiropali, e asaj të Tatimeve Shehu etj., e kërkimin për gjetjen videos së vrasjes së Flamur Prislit, për të implikuar drejtorin e Përgjithshëm të Policisë Didi. Ndërsa ministri i Brendshëm Tahiri kërkoi zyrtarisht shkresën e SHISH dhe rezultatin e përgjimit.
 
Shkrimi u publikua sot (05.03.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

PD kërkon qeveri teknike, Kikia: Protestat e opozitës, modeste për ta detyruar mazhorancën të pranojë! Partitë e reja janë një realitet i ri në politikë

PD kërkon qeveri teknike, Kikia: Protestat e opozitës, modeste për ta detyruar mazhorancën të pranojë! Partitë e reja janë një realitet i ri në politikë