Përgjimet e Shtëpisë me Gjethe për Ambasadat / Raporti sekret: Nënkoloneli francez fotografon objekte ushtarake, përkthyesja bullgare flet për jugosllavët

Përgjimet e Shtëpisë me Gjethe për Ambasadat / Raporti sekret: Nënkoloneli francez fotografon objekte ushtarake, përkthyesja bullgare flet për jugosllavët

Memorie.al publikon të plota disa nga relacionet sekrete të Ministrisë së Punëve të Brendshme dërguar Sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSH-së, e veçanërisht Ramiz Alisë dhe Hysni Kapos, lidhur me çështjen e përgjimit dhe survejimit që organet e MPB-së u bënin ambasadave dhe konsullatave të huaja në Tiranë, për sa u përket pikëpamjeve dhe qëndrimeve të tyre ndaj regjimit komunist të Enver Hoxhës. Përgjimi i ambasadave dhe legatave të huaja në Shqipëri, qofshin këto perëndimore ose lindore, do të niste direkt pas mbarimit të luftës dhe marrjes së pushtetit nga forcat komuniste të Enver Hoxhës. Të parat legata që do të përgjoheshin dhe do të survejoheshin vazhdimisht do të ishin ato të SHBA-së, Britanisë së Madhe dhe misionit të UNRRA-s në vitet 1945-1946.

Më pas kjo do të vijonte me ambasadën jugosllave, sidomos pas vitit 1953 (vit në të cilin do të rilidheshin marrëdhëniet diplomatike), do të pasonte me ato italiane, franceze, dhe për ta përfunduar me ambasadat greke dhe turke në vitet ’70-’80-të. Dokumentet dhe relacionet sekrete në fjalë do të përpiloheshin nga vetë drejtuesit më të lartë të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe të Sigurimit të Shtetit, si Kadri Hazbiu, Feçor Shehu, Kadri Gojashi dhe Rexhep Kolli, në lidhje me bisedat sekrete të disa nga diplomatëve jugosllavë, francezë, rumunë dhe turq të akredituar në Tiranë. Instancat e Sigurimit të Shtetit, i trembeshin vazhdimisht një sulmi të mundshëm ushtarak frontal nga Bashkimi Sovjetik dhe vendet e Traktatit të Varshavës pas pushtimit të Çekosllovakisë në vitin 1968, vit i cili do të shënonte edhe daljen përfundimtare të Shqipërisë nga Blloku Lindor, por edhe nga një ndërhyrje e SHBA-ve dhe e bllokut të NATO-s nga ana perëndimore për të rrëzuar regjimin e Tiranës. Këto raporte sekrete të vitit 1970-të, nuk tregojnë gjë tjetër veçse paranojën e zakonshme të regjimit komunist dhe Sigurimit të Shtetit për të survejuar vazhdimisht ambientet e këtyre ambasadave si dhe për të përgjuar deri në detaje edhe pjesët më të hollësishme dhe të parëndësishme të bisedave të zakonshme diplomatike që zhvilloheshin asokohe rëndom në përfaqësitë e huaja.

Të shumta do të ishin edhe rastet e arrestimeve dhe dëbimeve të disa prej diplomatëve përfaqësues të atasheve ushtarake, tregtare dhe kulturore, të cilët, në mënyra nga më të ndryshmet (shpeshherë të inskenuara edhe nga vetë Sigurimi i Shtetit) me materiale dhe prova komprometuese për të cilat do të akuzoheshin për spiunazh dhe do të cilësoheshin “non grata”. Por të gjitha këto përgjime dhe survejime të godinave të ambasadave dhe bisedave të zakonshme të diplomatëve të huaj nga organet e MPB-së dhe Sigurimit të Shtetit, nuk do të tregonin gjë tjetër veçse kalbësinë dhe gjendjen paranojake të shtetit komunist shqiptar, që u frikësohej vazhdimisht reagimeve të ndryshme publike për gjendjen e mjerueshme ekonomike, për klimën e izolimit politik të Shqipërisë nga bota e jashtme si dhe për një ndërhyrje të mundshme ushtarake nga jashtë që do të çonte edhe në rrëzimin nga pushteti të Enver Hoxhës. Por një sulm i tillë ushtarak nuk erdhi kurrë.

 

REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPERISE                          SEKRET
MINISTRIA E PUNEVE TE BRENDESHME                        EKZE. NR. 1
DREJTORIA E PARE Tiranë, më 12.7.1970
Nr. Prot. 4509

 

                  LENDA: Mbi atasheun ushtarak francez, n/kolonelin Fransua Landel

 

                             SEKRETARIT TE KOMITETIT QENDROR TE PPSH

                                        SHOKUT HYSNI KAPO TIRANE

Prej dt.15 deri më 22.9.1970, erdhi në vendin tonë atasheu ushtarak francez, n.koloneli Fransua Landel. Nga ndjekja e tij rezulton:
Qëllimi kryesor i Fransua Landel ishte që gjatë lëvizjeve nëpër Shqipëri të mblidhte të dhëna sekrete mbi repartet dhe objektet ushtarake. Kështu p.sh., në dt. 17.9.1970, duke u paraqitur si turist kërkoi të futej në portin e Durrësit dhe në një repart të Marinës Luftarake.

Më datë 18.9.1970, Landel bëri një udhëtim në jug. Qëllimi i këtij udhëtimi ishte që ai të shkonte në Pashaliman. Megjithëse nga ana e Ministrisë së Punëve të Jashtme kjo kërkesë iu refuzua, ai tentoi të futej në Pashaliman, por u ndalua. Në të njëjtën kohë, gjatë qëndrimit në Vlorë, bëri veprime provokuese për t’i shpëtuar kontrollit tonë. Ra në sy qëndrimi i tij në bregdet, ku vrojtonte në drejtim të Sazanit dhe Karaburunit.

Feçor Shehu: Do të vëzhgojmë rreptësisht veprimet e n/kolonelit Landel
Më datë 20.9.1970, bëri një udhëtim në qytetin e Korçës. Gjatë gjithë rrugës ka ecur me shpejtësi dhe ka ndalur shumë herë në afërsi të reparteve dhe objekteve ushtarake. Ka dyshime se ai mbante shënime mbi objektet që shihte, sepse në një rast në afërsi të Qukësit, u pa që diçka shënonte në hartë.

Më datë 21.9.1970, me kërkesën e tij, atasheu ushtarak Fransua Landel u takua me një kuadër të Ministrisë së Mbrojtjes Popullore. Midis të tjerave ai u shpreh: “Unë jam një miku juaj, një partizan që kam luftuar kundër fashizmit dhe jam plagosur. Kam ardhur në Shqipëri me qëllime të mira, për të forcuar miqësinë tonë. Si ushtarak desha të njihesha me jetën e ushtrisë suaj, jo me planet sekrete, se nuk jam spiun, po një mik dhe dashamirës i Shqipërisë… Për këtë gjë më ka porositur edhe shefi i shtabit të ushtrisë franceze… Pra do të dëshiroja që Ministria e Mbrojtjes të më ndërtonte një program ku me mua në makinë të ishte dhe një oficer shqiptar… Ashtu si përfaqësuesit e tregtisë njihen me sektorët e tyre, edhe unë si ushtarak duhet të njihem me sektorin e ushtrisë”.

Gjithashtu Landel kërkoi të njihej me organizimin e Ministrisë së Mbrojtjes, si zbatohen te ne funksionet e komandantit dhe komisarit, si emërohen ata etj. Në përgjigje të pyetjes se përse i kërkonte këto hollësira, Fransua Landel tha: “Dua t’i di thjesht për kuriozitet”.
Duke marrë parasysh se n/koloneli Fransua Landel vjen në Shqipëri me detyrë spiunazhi, në të ardhmen do të forcojmë punën për kontrollin e tij.

                           ZV/MINISTRI I PUNEVE TE BRENDSHME

                                     FEÇOR SHEHU
…………………………………………………………………………………………………………………………………………………………………………….

REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPERISE                      SEKRET
MINISTRIA E PUNEVE TE BRENDSHME                       EKZ. NR. 1
MINISTRIA E PUNEVE TE BRENDSHME
DREJTORIA E PARE                                                                                                    


Nr. Prot. 1416
Tiranë, më 16.3.1970

 

LENDA: Mbi disa të dhëna për ndryshime strukturale në përfaqësitë diplomatike në vendet revizioniste

 

       SEKRETARIT TE KOMITETIT QENDROR TE PPSH
SHOKUT RAMIZ ALIA

 

Kohët e fundit, nëpërmjet burimeve tona, janë marrë disa të dhëna që bëjnë fjalë për ndryshime strukturale në përfaqësitë diplomatike revizioniste, dhe konkretisht:

1.Atasheu i ambasadës turke, Tansu Bleda, në një njoftim që i bën Ankarasë më datë 2 shkurt 1970, i thotë: “Në një takim të bërë, i ngarkuari me punë i ambasadës polake në Tiranë, lidhur me lajmet e ambasadës sonë në Sofje mbi përgatitjet e vendeve të Traktatit të Varshavës për të shqyrtuar marrëdhëniet e tyre me Shqipërinë, më tha: ‘Mbledhja do të bëhet në Varshavë dhe marrëdhëniet e vendeve socialiste me Shqipërinë do të analizohen në tërësi. Besoj se, për herë të parë, do të preket dhe do të merret në dorë çështja e gjendjes jo normale e përfaqësive tona në Shqipëri.

 

Siç e dini, aktualisht përfaqësuesit e vendeve të Paktit të Varshavës në Tiranë janë në nivelin e të ngarkuarit me punë. Kjo lë përshtypjen se në të ardhmen do të emërohen ambasadorë. Në të vërtetë për këtë nuk kemi pasur kurrë qëllim. Për të vërtetuar vendimin tonë në fjalë, ne tani e tutje në Tiranë do të mbajmë gjithmonë të ngarkuar me punë. Misionet tona të veçanta, kur nuk është e nevojshme, janë kallaballëk. Numrin e tyre do ta pakësojmë në minimum. Duke pasur parasysh vetëm zgjerimin e marrëdhënieve tregtare. Besoj se këto ndryshime strukturale do të realizohen brenda vitit 1970′”.

  1. Përkthyesja e ambasadës bullgare, Mariana Marinova, ka thënë se: “Midis të tjerave, në një darkë te jugosllavët më 19 mars, është diskutuar edhe çështja e polakëve… I ngarkuari me punë a.i. i ambasadës polake gjoja nuk shkon mirë me kolegët e tij dhe sidomos me ata të përfaqësisë tregtare. Për këtë arsye ai ka vendosur që të largojë nga Shqipëria të gjithë punonjësit e përfaqësisë tregtare dhe të mbajë pranë ambasadës vetëm një përfaqësues ekonomik”.

Feçor Shehu: Përkthyesja e ambasadës bullgare, Marinova nxit rrjetin agjenturor diplomatik

Për këtë punë, i ngarkuari me punë i ambasadës bullgare, Nikolla Carevski, është shprehur se: “Unë do të bëj çmos, do të shkruaj, do bisedoj që polakët të mos e bëjnë kurrë këtë gabim. Ata do të humbasin shumë, si nga ana politike, ashtu edhe nga tregtia… Sidomos këtu në Shqipëri, duhen më shumë se kudo përfaqësuesit tregtarë. Janë përfaqësuesit tregtarë ata që shkojnë kudo, organizojnë dreka dhe darka: vetëm ata mund të marrin kontakte direkt me shqiptarët, dhe si rrjedhim, nëpërmjet tyre mund të grumbullojnë informata, qoftë me karakter politik, qoftë ekonomik. Diplomatët e ambasadave janë të izoluar dhe nuk marrin dot kontakte me njerëzit”.
Edhe i ngarkuari me punë i legatës jugosllave, Hërnjak, ka reaguar duke thënë: “Nuk ka asnjë interes të mbyllet përfaqësia tregtare polake”.

  1. Ditët e fundit, nga punonjësit e ambasadës polake janë dëgjuar zëra se ata po dorëzojnë ndërtesën e përfaqësisë tregtare. I ngarkuari me punë, duke biseduar për këtë problem ka thënë: “Kemi ndërmend të lirojmë ndërtesën e përfaqësisë tregtare si dhe dy apartamente, pasi mendojmë të grumbullohemi të gjithë në ambasadë”. Ndërsa në një rast tjetër, dy punonjësve të Pasurisë së Shtetit që shkuan në përfaqësinë tregtare të ambasadës polake për të bërë preventimin e shërbimeve për vitin 1970, u është thënë se nuk do të jetë nevoja për asnjë shërbim, sepse mendohet se “deri nga muaji qershor të dorëzojmë ndërtesën e përfaqësisë tregtare”.

ZV/MINSITRI I PUNEVE TE BRENDSHME
FEÇOR SHEHU

Memorie.al

B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

VKM e Qeverisë/ Ndryshon emri dhe numri i Këshillit Kombëtar të Territorit, nga 9 bëhet me 11 anëtarë! Shtohen Mbrojtja dhe Shëndetësia, tani do jetë KKTU

VKM e Qeverisë/ Ndryshon emri dhe numri i Këshillit Kombëtar të Territorit, nga 9 bëhet me 11 anëtarë! Shtohen Mbrojtja dhe Shëndetësia, tani do jetë KKTU