Nga biseda që ata kanë bërë së bashku, kuptohet qartë që Ylli Vata ka pasur dijeni për aktivitentin e paligjshëm të biznesmenit Lefter Neli. Aq më tepër, ky i fundit interesohet tek Zan Kasmi, nëse shefi i këtij të fundit kishte shkuar në parcelat me drogë apo jo.
Shqiptarja.com zotëron të plotë bisedën, e cila është zhvilluar në muajin gusht 2016. Biseda është administruar si provë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, e cila nga veprimet e mëtejshme hetimore, ka arritur në konkluzjonin se shefi i rendit të komisariatit në Kurbin është i implikuar në kultivimin e lëndëve narkotike.
Nisur nga kjo situatë, 7 muaj nga kjo bisedë, prokuroria ka lëshuar një mandatg arresti për Ylli Vatën. Ky i fundit është larguar menjëherë sapo është vënë në dijeni për urdhërin e arrestit.
Biseda e përgjuar
Me datë 04.08.2016, Lefteri komunikon sërisht me personin me numër 068xxxx dhe mes tyre zhvillohet kjo bisedë:
A –…nga kan marrë ata?
B –ja anej ka venoci( kshu dëgjohet)
A –anej aaa.
B –po ishte Ylli jot …nuk ka hyp nolt. (Ylli Vata me makinën e policisë)
A –ka asht?
B –q’tu foristrad.
A –aa a tu nejt qaty?...po skutri (Sandër Biba)?
B –jo ka hik
A -….mir pra ik,e hajt m’trego…
B -…a kan me dal,q’tu masditje ata?
A –kan për t’nalu e burr se e din vetë ata…se di… mori prap dje masdite mu ai.
B – hajt…
Lefter Neli mori garanci, s’do të prekej
Në bazë të veprimeve proceduriale,Prokuroria për Krime të Rënda siguroi informacione të mjaftueshme, në bazë të të cilave grupi kriminal kishte bashkëpunimin e punonjësve të policisë, të cilët kishin për detyrë të njoftonte nëse zhvilloheshin operacione policore anti-kanabis në atë zonë.Për këtë arsye, Prokuroria angazhoi në hetim edhe Shërbimin për Çështje të Brendshme dhe Ankesa në Ministrinë e Brendshme.
Si rezultat i hetimeve të kryera, është provuar se shtetasi Lefter Neli ka organizuar dhe krijuar një mekanizëm, i cili bën të mundur dhe krijon të gjitha kushtet e përshtatshme për kultivimin e bimës narkotike në zonat e malësisë së Kurbinit. Po ashtu, nga hetimi rezulton se, për këtë aktivitet, ai ka marrë sigurinë se ajo nuk do të cënohet nga forcat e policisë së komisariatit të Kurbinit.
Po sipas hetimit, grupi kishte të siguruar edhe tregtimit të lëndës narkotike pas procesit të përpunimit. Pas arrestimit të disa personave, përfshirë edhe atë që konsiderohej kreu i grupit, Lefter Neli, Prokuroria për Krime të Rënda vijoi hetimin për identifikimin e bashkëpunëtorëve të mundshëm. Nga hetimi u konstatua se një sasi relativisht e madhe bimësh narkotike nuk është asgjësuar edhe pse grupi i kontrollit,i drejtuar nga Shefi i Rendit Ylli Vata, kishte qenë në këto vende dhe nuk ka kryer detyrën për asgjësimin e tyre.
Në bazë të të dhënave të marra nga hetimi, Prokuroria për Krime të Rënda ka arritur në konkluzionin se shtetasi Lefter Nelaj dhe bashkëpuntorët e tij,bashkëpunonin ngushtësisht me drejtuesin e rendit në Komisariatin e Policisë Kurbin, me qëllim kryerjen e veprave penale për të cilat janë arrestuar. Në këto kushte, Prokuroria për Krime të Rënda ka marrë miratimin e gjykatës për arrestimin e oficerit të policisë, Ylli Vata.
Të arrestuar
Lefter Neli
Hashim Neli
Elton Haxhia
Bashkim Kodra
Zan Kasmi (punonjës policie)
Sami Balloku ndaluar më parë në flagrancë me lëndë narkotike
Aldo Xhaferri ndaluar më parë në flagrancë me lëndë narkotike
Në kërkim
Ylli Vata,ish-shef Rendi në Kurbin
Redaksia Online
XH.K/Shqiptarja.com
