Partia Demokratike e kritikoi kryeministrin Edi Rama mbi mungesën e një reagimi për përgjimet e publikuara të biznesmenit Ron Yeffet.
Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, thotë se Rama duhet t’u shpjegojë shqiptarëve dhe partnerëve ndërkombëtarë se në çfarë pazaresh armësh është përfshirë biznesmeni izraelito-amerikan Ron Yeffet dhe përse, sipas audiopërgjimeve të publikuara, në këto marrëveshje duhej të shmangej SHBA-ja.
“Sa herë ka një skandal që e përfshin drejtpërdrejt, Edi Rama hesht. Prej dy ditësh hesht për audiopërgjimin ku miku i tij, Ron Yeffet, flet si i zgjedhur nga qeveria për të bërë punët e saj të këqija.
Në audiopërgjim, Ron Yeffet diskuton planin për sjelljen e armëve nga Afrika, nga zona në konflikt, për t’u paketuar në Shqipëri e për t’u dërguar nëpër botë, por Edi Rama hesht. Ai hesht edhe pasi është dëgjuar qartë si kristali plani i mikut të tij për të mashtruar Ambasadën Amerikane.
Edi Rama nuk po hesht thjesht për një mik. Ai i dhuroi Ron Yeffetit industrinë e armëve dhe e bëri ortak me kompaninë shtetërore Kayo, të krijuar posaçërisht për këtë biznes. Vetëm në 8 muaj, kompania e mikut të kryeministrit, ortake në biznes me qeverinë, ka përfituar 26 milionë euro nga paratë publike.
Kaq duhet të mjaftonte që kryeministri të mos heshtë, por t’u thotë shqiptarëve dhe partnerëve ndërkombëtarë në çfarë pazaresh armësh, për të cilat duhej shmangur SHBA, është futur miku i tij.
Çfarë autorizimi ka Ron Jefeti për të vepruar në emër të Shqipërisë dhe kush mban përgjegjësi për marrëveshjet që ai ka bërë?
Dhe, nëse s’ka autorizim shtetëror për të bërë punët e këqija të qeverisë në afera armësh, pse ai vazhdon të ketë akoma kontratë që e rrit dhe Edi Rama nuk kërkon anulimin e saj të menjëhershëm?”, shkruan Bardhi teksa i kërkon SPAK veprime të menjëhershme.
Lajmi kryesor:
Audiopërgjimi i Ahmetajt dhe akuzat për trafik armësh/ PD: SPAK të mos heshtë, do kërkojmë angazhimin e ndërkombëtarëve për zbardhjen e çështjes (VIDEO)









