Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar pas përjashtimit me 60 ditë të Gazment Bardhit dhe Klevis Balliut nga punimet e Kuvendit, pas përplasjeve gjatë seancës ku u votua Reforma Territoriale.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Tabaku shkruan se mazhoranca i përdor rregullat si mburojë për veten dhe si kamxhik për opozitën. Pra sipas deputetes demokrate rregullat nuk vlejnë njësoj për të gjithë.

Tabaku sjell në vëmendje rastin e ish-zv.kryeministres Belinda Balluku, mandati i së cilës sipas saj u mbrojt nga mazhoranca, me qëllim që ajo t'i shpëtonte arrestimit.

Ajo thekson gjithashtu se Parlamenti është kthyer në një hapësirë ku 'debati pengohet, qytetarët shpërfillen dhe kërkesës për llogaridhënie i përgjigjen me kërcënime e përjashtime.'

Reagimi i Tabakut:

Shqipëria ka nevojë për një Parlament ku rregullat vlejnë njësoj për të gjithë. Sot, fatkeqësisht, ka një shumicë që i përdor ato sipas interesit: si mburojë për veten dhe si kamzhik ndaj opozitës.

Gazment Bardhi dhe Klevis Balliu janë ndëshkuar me nga 60 ditë përjashtim. Ndërkohë, shkeljet e deputetëve të mazhorancës janë toleruar. Ky standard i dyfishtë e ka kthyer etikën parlamentare në instrument ndëshkimi politik.

Është i njëjti Parlament që sajoi procedura për të mbrojtur mandatin e ish-zëvendëskryeministres dhe që sot përdor çdo mjet për të goditur opozitën. Kur pushteti kërkon mbrojtje, rregullat përkulen. Kur opozita kërkon llogari, ndëshkimet rëndohen.

Arroganca e një qeverie të korruptuar, të kapur me duart në xhepat e shqiptarëve, ka gjetur strehë edhe në shtëpinë ku duhet të dëgjohet zëri i tyre. Parlamenti është kthyer në një hapësirë ku debati pengohet, qytetarët shpërfillen dhe kërkesës për llogaridhënie i përgjigjen me kërcënime e përjashtime.

Ndëshkimi i kolegëve është një tjetër shembull i turpshëm i këtij degradimi. Përjashtimi i deputetëve pengon përfaqësimin e qytetarëve që i kanë zgjedhur dhe dobëson kontrollin parlamentar mbi qeverinë.

Kjo arrogancë duhet ndëshkuar me votë. Largimi i kësaj shumice socialiste është rruga për t’i kthyer Parlamentit dinjitetin, debatit lirinë dhe qytetarëve një institucion që u shërben atyre, jo pushtetit dhe ligjeve me porosi.


Lajmi kryesor:

Shishe uji e vezë drejt Ramës, 'Etika' përjashton me 60 ditë nga Kuvendi Bardhin dhe Balliun! PD: Me urdhër të kryeministrit, e ankimojmë! 2 deputetët 2 muaj pa paga (VIDEO)