Zjarri vë 'para' pyjet në Voskopojë, tymi 'mbytës' për turistët! Vatër e rrezikshme në Gorrisht të Vlorës! Ndërhyrje nga ajri në Dukat, Karaburun e në Majën e Rrunës në Kukës

Një zjarr masiv ka përfshirë pyjet në Voskopojë, në zonën midis Krushovës dhe Shipskës. Zjarri është aktiv prej disa orësh dhe është përhapur masivisht, ndërkohë që u kërkua edhe një helikopter për shuarjen e flakëve. Retë e tymit kanë mbërritur edhe në fshatra të tjerë, duke krijuar shqetësim edhe për turistët. Idriz Kuça, komandant i batalionit tha se është marrë vendimi që nesër në orët e para të mëngjesit do të operojnë rreth 100 efektivë për shuarjen e flakëve.

Një tjetër vatër e rrezikshme e aktivizuar që prej pasdites është edhe në Gorrisht të Vlorës, pranë puseve të naftës. Kryetari i Bashkisë Selenicë ka thënë se nuk ka rrezik pasi sipas tij vatrat pranë puseve të naftës janë shuar. Siç shihet dhe nga pamjet e Report Tv, flakët janë të frikshme pasi kanë vijuar të përhapen. Edhe vatrat në Dukat të Vlorës dhe  në Majën e Rrunës në Kukës janë cilësuar problematike ne vend. Pas mesnatës në fshatin Dukat janë aktivizuar disa vatra zjarri për shkak të erës duke bërë që flakët të përhapeshin me shpejtë dhe të rrezikonin banesat. Forcat zjarrfikëse kanë punuar gjatë natës në mënyrë që të mos lejonin që flakët t'i afroheshin banesave, ndërsa sot që në orën 06:00 të mëngjesit ka ndërhyrë për vënin nën kontroll të flakëve edhe helikopter holandez 'Chinook' me kapacitet ujëmbajtës 10 mije litra.

Në Karaburun zjarret kanë qenë aktive dhe disa vatra të rrezikshme. Deri në orët e para të ditës zjarrfikës, ushtar dhe banorë te Dukatit kanë luftuar me flakët të cilat të ndihmuara dhe nga era kanë përparuar me shpejtësi duke djegur shkurre dhe pyje, por duke rrezikuar dhe jetët e punonjësve dhe ushtarëve. Situata është kritike shprehen banorët pasi zjarri ka përparuar në lartësinë e malit duke ju afruar zonës së quajtur "Gropat e Pirit” të cilat janë me pyje të dendura duke rrezikuar Llogoranë. Era që fryn në atë zonë e favorizon flakët . Ndërkohë dhe zona në gropat e Pirit ka prezencë të zjarrit, atje po punohet me ushtar dhe punonjës se ADZM për shuarjen.

Edhe në majën e Runës në Kukës sipër Tunelit të Kalimashit situata është problematike dhe pyjet vijojnë të digjen prej ditësh. Edhe në këtë zonë është helikopteri çek që po punon për shuarjen e flakëve nga ajri si dhe mbi 80 forca të ushtrisë, shërbimit zjarrfikës dhe të bashkisë janë angazhuar nga toka për të mos lejuar përhapjen e zjarrit.

Disa vatra zjarri janë aktivizuar sot në Cakran të Fierit, Radostinë dhe në Pyllin kodrinor në Gjorgoz ku flakët kanë qenë të shumta duke djegur një sipërfaqe të konsiderueshme me pisha. Për shuarjen e flakëve kanë punuar zjarrfikësja e Fierit dhe ajo e Patosit. Vatrat janë vënë nën kontroll pas disa orësh. Kurse vatra në fshatin Vadhizë, ende është aktive. Zjarri ka djegur ullishte, shkurre dhe shumë hektar ullinj.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:17
Shuhet zjarri në Corrush të Mallakastrës, flakët 'përpinë' gjithçka

 

Shuhet zjarri edhe në Corrush të Mallakastrës. Pas disa orësh zjarrfikësit e Mallakastrës të ndihmuar nga kolegët e bashkisë kufitare Memaliaj mundën të neutralizojne flakët. Por ajo që ka mbetur pas është  frikshme, pasi kjo zonë është "dërrmuar" nga flakët.

Ora 21:40
Zjarret/ Situata ende kritike në Voskopojë, nesër në mëngjes 100 efektivë në 'luftë' me flakët

Voskopoja ende është në situatë kritike si pasojë e zjarrit. Mbrëmjen e sotme nuk është bërë e mundur vënia e flakëve nën kontroll. Idriz Kuça, komandant i batalionit shprehet se pasi ka vrojtuar nga afër gjendjen e zonës së përfshirë nga zjarri, është marrë vendimi që nesër në orët e para të mëngjesit në zbardhje të ditës, do të operojnë rreth 100 forca nga strukturat e qarkut të Korçës, të ndarë në drejtime ku zjarri do ketë prioritete në avancim dhe rrezik. Kryesisht do të jenë forcat njerëzore, pasi me mjete është e pamundur për shkak të terrenit të pakalueshëm.

"Të gjitha forcat, qoftë ato të FA dhe të bashkisë, nën drejtimin tonë do të kalojmë në krahun e poshtëm dhe do të krehim zonën e do të izolojmë e rrethojmë flakët. Është e realizueshme besoj”, tha Kuça mes të tjerash.

Ora 21:24
Vlorë/ Flakë të frikshme në Gorrisht, situata ende kritike

Këto pamje të frikshme vijnë nga fshati Gorrisht në Selenicë të Vlorë. Situata mbetet ende problematike, ndërsa për të ndihmuar zjarrfikësit e Selenicën kanë shkuar dhe ata të Vlorës.

Ora 20:50
Kukës/ Përfundon operacioni për fikjen e zjarreve në Qafën e Kumbullës, situata ende kritike

Ka përfundur për të filluar nesër operacioni i fikjes së vatrave të zjarrit në vendin e quajtur Qafa e Kumbullës në Njēsinë Administrative Surroj të Bashkisë Kukës. Gjatë ditës u angazhuan me shumë se 80 forca. Edhe pse pati rreth 5 operacione të hedhjes së ujit me helikopter, era e fortë e pasdites  bëri që vatra të riaktivizohej dhe të mos mbahej nën kontroll duke e bërë edhe më kritike situatën çka ka sjellur edhe vatrat që u neutralizuan të riaktivizohen. Zjarri sipas komisionit të mbrojtjes cilive është i importuar nga Mirdita. Nesër pritet të fillojë përsëri edhe me helikopter. Autoritet vendore bëjnë thirrje që banorët dhe barinjtë të tregohen të kujdesshëm, si dhe organet kompetente të mundësojnë vënien para përgjegjësisë penale zjarrvënësit pasi dyshohet se zjarri i importuar nga Mirdita ka rënë nga pakujdesia e banoreve që kanë stanet në zonën e Thirres.

Ora 19:09
Zjarr në kodrat e Kodhelit në Zadrimë të Lezhës

Një tjetër vatër zjarri është aktivizuar në Lezhë. Bëhet fjalë për një zjarr në kodrat e Kodhelit në Zadrimë të Lezhës. Forcat zjarrfikëse ndodhen aty dhe po mundohem te bëjnë të mundur shuarjen e flakëve. Deri tani flakët nuk përbejne rrezik për zonën e banuar.

Ora 18:52
Fiket zjarri në Fier, zjarrfikësit nuk i dorëzohen terrenit të vështirë dhe flakëve

Fiken vatrat e zjarrit në Fier. Situata e rëndë e zjarreve në zonën e Radostinës dhe Zhupanit prej disa orësh ka bërë që zjarri të rrezikonte edhe banesat e fshatit Zhupan. Zjarrfikësit pas më shumë se 24 orë në luftë me flakët duke rrezikuar edhe jetën kanë bërë të mundur vënien nën kontroll të flakëve. Ndonëse të lodhur nga shuarja e vatrave të zjarrit në Gjorgos dhe Radostinë, ata nuk janë tërhequr edhe pse terreni ka qenë shumë i vështirë.

Ora 18:08
Vatër e re zjarri në Gorrisht të Vlorës, pranë ndodhen puset e naftës

 

Një tjetër vatër zjarri është aktivizuar në Gorrisht të Vlorës. Situata paraqitet e rrezikshme pasi aty ndodhen edhe puset e naftës.

Ora 17:40
Korçë/ Zjarri vë para pyjet me pisha në Voskopojë, niset helikopteri për shuarjen e flakëve

 

Një zjarr masiv ka përfshirë pyjet me pisha në Voskopojë, në zonën midis Krushovës dhe Shipskës. Zjarri është aktiv prej disa orësh dhe ka përhapje të madhe. Ende nuk dihet sipërfaqja që është duke u djegur, ndërsa në zonë kanë shkuar zjarrfikëse dhe punonjës shërbimi. Ndërkohë mësohet se drejt vendit është nisur edhe një helikopter për shuarjen e flakëve.

Ora 17:09
Vatër zjarri në një tjetër fshat në Fier, shmanget nga banesat, vë përpara pyllin

Një tjetër zjarr ka rënë në fshatin Vadhizë, Fier.  Ndërhyrja e forcave të policisë dhe të zjarrfikëses duke përdorur edhe mjete rrethanore kanë bërë të mundur eleminimin e zjarrit nga banesat. Zjarri po vijon në drejtim të pyllit dhe forcat e Policisë dhe zjarrfikëses po punojnë për vënien në kontroll dhe shuarjen e zjarrit.

Ora 14:14
Tjetër vatër zjarri në Fier, digjen ullishtet dhe shkurret e Zhupanit dhe Radostinës! Rrezikohen banesat

Pas dy vatrave në Cakran dhe një në Gjorgos, një tjetër vatër është aktivizuar në Fier pranë fshatit Zhupan. Zjarri po djeg ullishte dhe shkurre në një zonë kodrinore të zonës, ndërsa flakët nuk janë vënë ende në kontroll.

Zjarri ka rënë shumë pranë banesave të Radostinës. Deri tani janë djegur shumë hektar ullinj. Dëmi ekonomik i banorëve është i madh duke qenë se në këtë zonë kanë mbjellë ulishte.

Ora 13:15
Situata e zjarreve në vend/ Problematike vatrat në Dukat pranë parkut të Llogarasë dhe në Majën e Rrunës në Kukës! Vatrat e tjera në vend nën kontroll

Pavarësisht punës së pandërprerë të forcave të shtuara operacionale, disa vatra zjarri mbeten ende problematike në territorin e vendit. Aktualisht është aktive vatra e zjarrit në Dukat të Ri. Pika kritike u izolua gjatë natës nga forcat operacionale, duke eliminuar rrezikun e kalimit të zjarrit në fshat, por përpjekjet për shuarjen e flakëve vazhdojnë nga toka dhe nga ajri. Serioze është situata pranë Parkut Kombëtar të Llogarasë, ku janë përqendruar të gjitha forcat, për të bërë të mundur normalizimin dhe izolimin e flakëve. Strukturat janë në ndjekje të dinamikës, e cila ndryshon për shkak të kushteve atmosferike.

Një tjetër vatër serioze është ajo në fshatin Thirrë, në qarkun e Lezhës, ku puna vijon për vënien nën kontroll nga ana e FA, punonjësve të shërbimeve vendore, por edhe me ndërhyrje nga ajri. Vatra më e nxehtë është ajo në Majën e Rrunës, në Kukës pikërisht në pjesën sipër tunelit të Kalimashit. Është vënë nën kontroll vatra në zonën e quajtur Laku i Thive. Puna vijon edhe në pjesën që ndodhet në fshatin Munellë-Domgjon, në Mirditë, ku ka situatë aktive.

Zjarri në fshatin Thirrë

Janë raportuar edhe disa vatra të reja, njëra në fshatin Patalej në Lezhë, një tjetër vatër në Gjallicë në Kukës me përmasa të vogla si dhe një vatër në fshatin Cakran të Fierit, e cila ishte shuar 10 ditë më parë nga FA dhe është riaktivizuar. Si pasojë e përkeqësimit të gjendjes dhe përmasave që po marrin flakët kanë shkuar në ndihmë edhe 40 efektivë të FA.

Një vatër e re është njoftuar në pyllin e fshatit Gjorgos në Fier, ku për shuarjen e zjarrit janë angazhuar forcat zjarrfikëse të Rroskovecit.Nën monitorim janë zjarret e rëna në fshatin Vermosh në Malësi të Madhe dhe në pyllin Shetaj afër Kepit të Rodnonit në Durrës. Këto vatra nuk paraqesin rrezik për zonat e banuara.

Ora 12:37
Lezhë, zjarr në pyjet e fshatit Lalm, terreni thepisur vështirëson punën e zjarrfikësve

Disa vatra zjarri janë regjistrua në Lezhë, konkretisht në komunën Kolsh fshati Lalm. Zjarrfikëset ndodhet pranë vatrës që në orët e para të mëngjesit dhe po mundohen që të shuajnë zjarri, por terreni malor dhe era e vështirëson punën.

Ora 12:24
Zjarri në Majën e Rrunës, tymi drejt tunelit të Kalimashit shqetësim për shoferët

Dy vatra zjarri vijojnë të jenë aktive në qarkun e Kukësit. Njëra është në Majën e Rrunës dhe tjetra në Valbonë të Tropojës, ndërkohë që filluar prej disa orësh ndërhyrja nga toka e efektivëve zjarrfikës në qafën e Kumbullës në zonën e Kalimashit, flakë që depërtuan nga zjarri i rënë në Fan të  Mirditës. 

Janë mbi 80 forca të emergjencave civile, të ushtrisë, detashmentit rajonal të mbrojtjes, të shërbimit pyjor, ka efektivë po ashtu nga Mirdita dhe Shkodra por edhe banorë të zonës të cilët janë angazhuar të shuajnë flakët e mëdha të zjarrit e ndërsa ende nuk ka një ndërhyrje nga ajri edhe pse pritet mbërritja e një helikopteri. Terreni malor është tejet i vështirë për t’u përshkuar si në këmbë ashtu edhe nga mjetet zjarrfikëse ndaj mbetet domosdoshmëri ndërhyrja nga ajri.

20 vatra zjarri janë regjistruar gjatë këtyre ditëve në Kukës, nga të cilat 18 janë shuar duke vënë situatën nën kontroll, por aktive vijojnë të jenë këto dy shpërthime zjarri. Vetëm në majën e Rrunës janë djegur 1500 hektarë pyje, kullota dhe bimësi sipërfaqe të tëra toke, ndërkohë që është arritur të neutralizohet vetëm një anë e malit e përfshirë nga flakët, por një pjesë e madhe vijon të jetë nën pushtetin e zjarrit.

Gjatë natës ka patur përhapje të zjarrit duke qenë se është regjistruar erë e fortë, megjithatë ka qenë nën kontroll nga ana e rojeve të angazhuara në këtë operacion. Dyshohet se flakët e zjarrit janë shkaktuar nga disa persona që nga pakujdesia për të hapur kullota iu ka dalë situata jashtë kontrollit, por janë ndihmuar edhe nga temperaturat e larta. Vështirësia qëndron në në depërtimin e terrenit malor, ndaj kërkohet ndërhyrje emergjente nga ajri.

Shqetësim mbetet përhapja e madhe e tymit që vjen nga djegia e bimësisë për shkak se dalja e reve të tymit në rrugën kryesore afër Kalimashit aty ku ndodhet edhe tuneli, tanimë që është rritur edhe fluksi i makinave në hyrje të kufirit me Shqipërinë çka e vështirëson së tepërmi lëvizjen e drejtuesve të automjeteve që lëvizin në rrugën e Kombit.

Ora 11:30
Zjarri në Majën e Rrunës, Gjici: Janë të qëllimshme, bashkia ka vetëm 2 zjarrfikëse, nuk e mbulon dot sipërfaqen e madhe të pyjeve që ka

Kryetari i Bashkisë Kukës, Safet Gjici ka folur për situatën e zjarreve në zonë, ku shkruan se prej 3-4 ditësh janë aktivizuar 20 vatra, por që 18 prej tyre janë shuar ose janë nën kontroll. Gjici shprehet se problematike mbeten vetëm zjarret në Majën e Rrunës, ku po digjet sipërfaqe me pyje, ndërsa po punohet nga forcat zjarrfikëse që të mos lejohet që flakët të rrezikojnë Tunelin e Kalimashit.

"Kanë qenë 20 vatra zjarri, ku 18 prej tyre janë shuar ose janë nën kontroll pa rrezik. Disa prej zjarreve janë të qëllimshme dhe nga pakujdesia e banoreve. Forcat zjarrfikëse kanë punuar pa u ndalur për vënin në kontroll të zjarreve por edhe vetë banorët kanë ndihmuar", tha Gjici.

I pyetur nëse Bashkia Kukës i ka mjetet e duhura për të përballuar zjarret, Gjici tha se në dispozicion të saj janë vetëm 2 zjarrfikëse që është një numër i vogël krahasuar me sipërfaqen e madhe të pyjeve që ka nën administrim. Ai tha se duhen se qeveria duhet të hartojë plane konkrete për rritjen e këtyre kapaciteteve.

"Me sipërfaqen e madhe me male e pyje që kemi, bashkia ka në dispozicion vetëm 2 mjete zjarrfikëse që janë shumë pak, ndërkohë që njësitë nën administrim janë 14. Duhen të paktën  4 mjete zjarrfikëse, forca të shtuara njerëzore e mjete që të futen në rrugët e vështira të maleve, pasi zjarrfikësja nuk hyn dot. Qeveria të hartojë plane konkrete jo vetëm për bashkinë e Kukësit por edhe të bashikve të tjera për rritjen e kapaciteteve dhe infrastrukturës së shërbimit zjarrfikës", tha Gjici.

Ora 11:15
Dy vatra zjarri në Cakran të Fierit, 150 metra larg tij ndodhen 2 banesa! Flakët djegin pyjet e Gjorgosit, ende asnjë ndërhyrje nga ajri

Dy vatra zjarri janë aktivizuar në Cakran të Fierit, ku flakët janë të shumta duke djegur një sipërfaqe të konsiderueshme me pishat. Videot nga vendi i Ngjarjes tregojnë se forcat zjarrfikëse dhe efektivët po punojnë me mjete rrethanore duke u munduar që të mbajnë në kontroll flakët. Për shuarjen e flakëve janë duke punuar zjarrfikësja e Fierit dhe ajo e Patosit. Ata po punojnë në kushte të vështira, ndërsa zjarri përparon drejt Zharrit.

Rreth 150 metra larg flakëve ndodhen edhe 2 banesa, ndërsa forcat zjarrfikësit po mundohen t'i mbajnë flakët nën kontroll që të mos u afrohen.

Edhe në Gjorgos vijon që zjarri të jetë aktiv, ndërsa aktualisht po punohet vetëm nga toka. Deri tani nuk ka ardhur ende helikopteri, ndërsa ditën e djeshme në shuarjen e flakëve në Gjorgos ishte helikopteri i ardhur nga Çekia.

Ora 07:58
Koordinatori i prefekturës Kukës: Kemi 2 vatra aktive në Majën e Rrunës dhe Valbonë, pritet të ndërhyjë helikopteri

Koordinator i prefekturës Kukës, Ilmi Lisha tha se gjatë ditës së sotme janë angazhuar nga toka 80 forca, ndërsa pritet që të ndërhyjë edhe helikopteri  për të bërë të mundur shuarjen e flakëve. Ai tha se në Kukës janë vetëm 2 vatra aktive ajo në Majën e Rrunës dhe në Valbonë.

"Momentalisht janë të gjitha forcat e organizuar nga bashkia dhe po nisen për të vepruar në disa vatra dhe pjesa që ka dalë mbi tunelin e Kalimashit. Në Kukës janë aktive 2 vatra ajo në Majën e Rrunës dhe në Valbonë dhe janë zona që nuk mund të ndërhyhet me zjarrfikëse, por vetëm më njerëz nga toka dhe më helikopter.  Po presim që dhe sot të vij helikopteri dhe të bëjmë të mundur shuarjen e flakëve", tha Ilmi Lisha.

//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë