Përkimi kaq i dobishëm i fateve për PS është i dëmshëm për vendin

Përkimi kaq i dobishëm i fateve për PS është i dëmshëm për vendin

Sali Berisha dhe Luzlim Basha

Sa më shumë ditë kalojnë, shoqëruar nën zhurmën e shkërmoqjes së Partisë Demokratike, aq më tepër bindesh se rruga drejt mandateve të tjera pushtetare për Edi Ramën pastrohet dhe mirëmbahet me kujdesin e opozitës. Të tillë më të dobët, në këto 30 vjet pluralizëm, Shqipëria nuk ka njohur. Edhe më skeptiku, nga kushdo palë qoftë, se vë këtë në dyshim!

Fati i parë, ai që solli ndryshime, është përjashtimi i Sali Berishës nga grupi parlamentar i Partisë demokratike. E kish fituar mandatin z.Berisha, pasi ishte listuar në vend të sigurt, ndonëse ishte i shpallur ai dhe familja e tij “Non grata” nga Departamenti i Shtetit të SHBA-së. Prej këtij momenti rrodhën ngjarje që shihet se do kulmojnë me përçarjen e Partisë Demokratike, ndarjen e saj në dy copa. Siç ndodh me tullat apo dominotë e vendosura vertikalisht, rrëzimi i njërës, asaj të parës, pas goditjes sado të lehtë, do ndërpritet kur të jetë rrëzuar tulla apo guri i fundit. Zhvillimet janë të përditshme. Mesi i dhjetorit do i qartësojë edhe më shumë mosmarrëveshjet.

Fati i dytë buron nga një shprehje popullore: “Një kapicë gurësh nuk është një shtëpi”. Kapica e gurëve në këtë rast ngjet të jetë çdo pjesë e opozitës së përçarë. Sa më të vogla të bëhen, aq më e pamundur bëhet fitimi i zgjedhjeve parlamentare, përmes të cilave mund të vish në pushtet. Largësia nga të qenurit në qeverisje bëhet edhe më e dukshme.

Fati i tretë është reagimi armiqësor i opozitës, krerëve të saj, ndaj reformës në drejtësi, ku spikatin në mënyrë të veçantë Sali Berisha dhe Ilir Meta. Jo rrallë, kur flasin dhe përmendin reformën, kanë humbur arsyen. Nga ana tjetër Edi Rama dhe Partia Socialiste nxisin ritmin e zhvillimeve të saj dhe kërkojnë zgjatjen e afateve të organeve të vettingut. Kundërshtimi i opozitës për të dhënë votat, që i bëjnë ato të cilësuara, por dhe fryma në tërësi e qëndrimit të opozitës ndaj vettingut (madje dhe Spakut), nuk mund të kalojnë pa u vënë re nga Amerika, e cila përbën mecenatin e gjithë këtij procesi, rojën, kujdestarin e tyre, mikun e madh të Shqipërisë.

Fatin e katërtë e përbën fakti, që opozitarët nuk e duan dhe aq njëri-tjetrin, pavarësisht dukjes, trukimit, kremrave e parfumeve që përdorin. Që në periudhën e pragzgjedhjeve kanë qenë dyshues ndaj njëri-tjetrit, për humbjen kanë bërë fajtorë njëri-tjetrin, deri kur zbuluan dhe përdorën termi “Masakër zgjedhore”. Përçarja PD-LSI është bërë e dukshme, kanë humbur respektin mes palëve, madje kanë kaluar në fyerje personale. Një opozitë e re, ajo e Berisha-LSI, siç ndonjë analist apo politolog parashikon, do ta fundosi edhe më keq qëllimin e marrjes së pushtetit dhe mbrojtjen e “familjes Gambino”.

E gjitha ç'ka parashtrova më sipër është një fatkeqësi për Shqipërinë. Mbetja pa opozitë ose me opozitë pa peshë, përbën rrezik për demokracinë. E shoh si fatkeqësi dhe zhvillim të dëmshëm për demokracinë sepse Edi Rama ndodhet në mandatin e tretë qeverisës dhe njerëz me mend në kokë kanë të drejtë të tremben nga qëndrimi i gjatë në pushtet i një njeriu, histori me të cilat jemi tejngopur e kemi vuajtur. Historia e Shqipërisë është e mbushur cipëzi me të tillë individë dhe një mandat i katërtë i Edi Ramës, do gëzojë elitën pushtetmbajtëse dhe administratën e të dy niveleve, por do jetë për të ardhur keq për njerëzit e thjeshtë. Kur përmend Edi Ramën si faktor, nuk kam harruar Partinë Socialiste, që nën ndikimin e “të parit’, vjen gjithnjë duke zbehur rolin e individëve të tjerë konkurrues.

 Edi Rama ka vlerat e tij dhe ndihmesën vetjake në drejtimin e shtetit, të cilat nuk mund t’i mohohen, ashtu siç nuk mund të kalosh pa vënë re edhe shfaqjet e vetëkënaqësisë e ngopjes me pushtet. Ja një shembull “banal”: Nuk mjafton t’i thuash popullit se çmimet e tregut vetërregullohen nga vetë sistemi ekonomik ku ndodhemi, por duhet që si kryetar i familjes-shtet të kompensojë shtresat në nevojë dhe ato pa përkrahje sociale. Një bukë e cila para një viti ka qenë 40 lekë ndërsa sot tregtohet prej furrave 60 lekë, tregon një rritje çmimi 50%, ndërsa pensionet që ndodhen në kufijtë e varfërisë, janë rritur 3-4%. Po kështu dhe pagat e prekur nga inflacioni. Me këtë shembull, pa u kapur ndaj kundërthënieve të sipërfaqshme, dua të tregoj se te një qeverisje bien në sy e ka nevojë të duket më shumë provimi se sa mësimi!

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja