Ministria e Punëve të Jashtme në bashkëpunim me zyrën e PNUD-it në Tiranë, organizoi sot ceremoninë e përvitshme të Ditës Ndërkombëtare për Përkujtimin e Holokaustit.
 
Gjatë kësaj ceremonie përkujtimore e morën fjalën Ministri Bushati,  Koordinatorja e Përhershme e OKB-së në Tiranë, Zineb Touimi-Benjelloun, dhe Ambasadori i Izraelit në vendin tonë, David Cohen, të cilët në fjalët e tyre vlerësuan shembullin shqiptar të tolerancës ndërfetare, sidomos në ditët e sotme kur bota rrezikohet nga ekstremizmi.
 
“Përballë imazheve të vuajtjes së hebrenjve e, më gjerë, të të gjithë popullit të vuajtjes që u bë për shkak të urrejtjes, banor i kampeve të përqendrimit, asnjë fjalë nuk mund të rrokë, thellësinë e krimit dhe përçudnimit që u ushtrua mbi dinjitetin njerëzor.”- tha Bushati.Fjala e plotë e Bushatit në aktivitetin përkujtimor për Holokaustin
 
Këtë vit ceremonia e Ditës Ndërkombëtare për Përkujtimin e Holokaustit, organizuar në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar, u shoqërua dhe me fotografitë e ekspozitës Besa, e cila ka në fokus protagonistët shqiptarë të  historisë së shpëtimit të hebrenjve gjatë luftës së dytë botërore. Kjo ekspozitë do të qëndrojë e hapur në Muze për një javë.
 
Në këtë aktivitet morën pjesë, ministra të kabinetit qeveritar, përfaqësues të Trupit  Diplomatik të akredituar në Tiranë, deputetë, përfaqësues të bashkësive fetare dhe shoqërisë civile, si dhe pjesëtarë të familjeve të mbijetuara gjatë holokaustit.
 
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)