Dita e Dëshmorëve mblodhi së bashku, në një ceremoni të zhvilluar në Akademinë e Sigurisë, përfaqësues të Komisionit për Sigurinë Kombëtare, të Ministrisë së Brendshme, drejtues të lartë të Policisë së Shtetit, përfaqësues të misioneve që asistojnë punën e Policisë së Shtetit, familjarë dhe të afërm të punonjësve të Policisë të rënë në krye të detyrës.
Gjatë ceremonisë, nënkryetari i Komisionit për Sigurinë Kombëtare, Xhemal Qefalia, zv.ministri i Brendshëm Besfort Lamallari, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Muhamet Rrumbullaku dhe Marsida Rrustemaj, vajza e Dëshmorit të Policisë Çel Rrustemaj, mbajtën secili fjalën e rastit, në shenjë vlerësimi për aktin sublim të punonjësve të Policisë të rënë në krye dhe për shkak të detyrës.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit: “Çdo 5 Maj, Policia e Shtetit dhe gjithë populli ynë përulen para veprës dhe sakrificës së kolegëve tanë që nuk janë më mes nesh. Sakrificat e tyre na kanë motivuar dhe na motivojnë që të mos harrojmë kurrë betimin para flamurit dhe të nderojmë uniformën që mbajmë veshur. Ky betim ka në themelet e tij edhe gjakun e 226 Dëshmorëve të Policisë. Të nderuar familjarë të Dëshmorëve të Atdheut:
Sot, ju nuk jeni vetëm, asnjëherë nuk do të jeni vetëm, por pjesë e rëndësishme e familjes sonë të madhe, Policisë së Shtetit. Djem dhe vajza të Dëshmorëve të Policisë gjenden sot në radhët tona, për të vazhduar misionin e baballarëve të tyre. Të jeni të bindur që sakrifica e tyre nuk do të shkojë dëm. Për të gjithë ne, për mua personalisht, është detyrë, përgjegjësi dhe reflektim në punën tonë. Puna e gjithsecilit prej nesh, mbart brenda saj sakrificën e qindra Dëshmorëve të Policisë, detyrimin e të gjithë atyre që duan dhe zbatojnë ligjin, që të përkrahin Policinë, në luftën e pandërprerë me të keqen dhe krimin. Jeta dhe gjaku i tyre do të do jenë motivi ynë për të përmbushur misionin për të cilin ata u sakrifikuan. I përjetshëm qoftë kujtimi i Dëshmorëve të Policisë së Shtetit. Lavdi të përjetshme Dëshmorëve të Atdheut!”
Marsida Rrustemaj: “Unë, si vajzë e një dëshmori, ndjej mirënjohje dhe respekt për këtë vlerësim që iu bëhet të rënëve dhe njerëzve tanë. Zotohem se do të punoj pa kursyer asgjë nga vetja, për të nderuar kujtimin e të gjithë të rënëve, për të treguar se sakrifica e tyre ia vlejti dhe do të ngelet një motiv për të vazhduar më tej, për të përmbushur misionin për të cilin ata u sakrifikuan. Sot, ne nuk jemi vetëm, pasi jemi pjesë e familjes së madhe të Policisë së Shtetit, që na dha mundësi për të vazhduar misionin e baballarëve tanë”.
Xhemal Qefalia: “Përulemi me shumë respekt dhe mirënjohje, përpara veprës dhe sakrificës sublime të qindra punonjësve të Policisë që dhanë jetën në krye të detyrës. Shqipëria dhe shqiptarët kanë nevojë për një polici dinjitoze. Komisioni i Sigurisë, përtej qasjeve politike, e ka mbështetur dhe do të vazhdojë ta mbështesë sakrificën dhe detyrën tuaj fisnike që bëni në shërbim të sigurisë kombëtare. I përjetshëm qoftë kujtimi i dëshmorëve”.
Besfort Lamallari: “5 Maji është një ditë solemne. Ne jetojmë të tashmen dhe shohim drejt së ardhmes me një borxh të pashlyeshëm mbi supet tona ndaj atyre që jetën e mbrojtën me jetë. Emrat e gjithsecilit prej heronjve që historinë e shkruajtën me gjakun e tyre të pastër janë gdhendur krah njëri-tjetrit, në këtë memorial, për t’u lartësuar në përjetësi, si ylli më i ndritshëm në yjësinë e vlerave. Memoriali qëndron si dëshmi e historive të paharruara të shërbimit me përkushtim deri në vetëmohim dhe njëkohësisht si simbol i qëndresës.”
Në fund të ceremonisë, të panishmit vendosën kurora me lule në memorialin kushtuar Dëshmorëve të Policisë.
Lajmi kryesor: