/ATSH-ANSA/ - Mijëra persona ishin të pranishëm sot në ceremoninë përkujtimore të 100-vjetorit të zbarkimit të aleatëve në Gadishullin e Galipolit, në Ngushticën e Dardaneleve.
Trupat australiane dhe neozelandeze, së bashku me forcat aleate nga Franca dhe Britania e Madhe u përpoqën të mposhtnin ushtrinë otomano dhe të arrinin në Stamboll.
Në ceremoni merrte pjesë presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, princi Charles dhe kryeministrat australian dhe neozelandez, Tony Abbott dhe John Key.
Pas tetë muajsh betejash të përgjakshme, Beteja e Dardaneleve u fitua nga trupat otomane, që penguan aleatët të merrnin Kostandinopojën dhe t'i jepnin fund Perandorisë Otomane, aleate e Gjermanisë dhe Austrisë.
Kontigjenti australian dhe neozelandez (ANZAC), pasi kishte humbur 11 000 ushtarë, u tërhoq nga plazhet e Galipolit.
Beteja për kontrollin e Dardaneleve shkaktoi 130 000 të vdekur, 44 mijë nga trupat aleate dhe 86 mijë nga ato otomane.
Në Galipoli shkëlqeu për herë të parë koloneli Mustafa Kemal, i pagëzuar Ataturk, i cili në vitin 1923 themeloi Republikën Turke mbi rrënojat e Perandorisë Otomane