Vlerësimi i vazhdueshëm për këto personalitete epokale të letërsisë dhe mendimit shqiptar mbetet në epiqendrën e veprimtarisë së Shoqatës “Lidhja e Shqiptarëve të Rumanisë”. Në këtë frymë që mbizotëron prej vitesh në këtë vend, më datën 3 tetor në Sallën Perpessicius të Muzeut Kombëtar të Letërsisë Rumune, në Bukuresht, u organizua një simpozium me rastin e 70-vjetorit të vdekjes të poetit dhe patriotit Aleksandër Stavre Drenova (Asdreni) (1947-2017). Veprimtaria u organizua nga shoqata “Lidhja e Shqiptarëve të Rumanisë” dhe Muzeu Kombëtar i Letërsisë Rumune.
Aktiviteti u përshëndet nga kryetari i ALAR, Dr. Radu Cosmin Savulescu, i cili theksoi, përpos të tjerash, se viti 2017 është viti i plot përvjetorëve të personaliteteve të shquar, që aktivitetin e tyre e kanë të lidhur me Rumaninë. “Mbushen 70-vjet nga vdekja e Asdrenit, 30-vjetori i ndarjes nga jeta të Lasgush Poradecit, 50-vjetori i ndarjes nga jeta të Mitrush Kutelit si dhe 220 vjetori i lindjes së Naum Veqilarxhit. Ky simpozium shkencor i sotëm është një gjest homazhi për të gjithë këto personalitete që kanë kontribuar për zhvillimin e kulturës kombëtare shqiptare, për emancipimin e popullit shqiptar, për zhvillimin e letërsisë shqipe, por dhe për forcimin e urave të miqësisë midis popullit shqiptar dhe atij rumun.
Në kumtesën e tij, shkrimtari dhe albanologu i shquar, Marius Dobrescu, foli për jetën e poetit, shortin e tij tragjik, për veprën poetike me theks të fortë patriotik, por dhe për poezinë meditative dhe atë të natyrës. “Asdreni ka zënë vend në historinë e letërsisë shqipe, por dhe të historisë së Shqipërisë, sepse është ai që ka shkruar tekstin e himnit kombëtar shqiptar, me muzikën e kompozitorit rumun Ciprian Porumbescu. Përpos argumenteve shkencorë, Dobrescu solli dhe një fakt më pak të njohur për publikun: “në vitet 1970, Ceausescu i kërkoi Shqipërisë që të heqë dorë nga himni i saj të kompozuar nga Porumbescu, duke dashur ta përdorë atë si himnin e Rumanisë, por shqiptarët e refuzuan. Himni i Shqipërisë përdoret pa ndërprerje prej 105 vjetësh!”
Studiuesi dhe kritiku letrar, Dr. Luan Topçiu, në kumtesën e tij foli për vendin e Asdrenit në letrat shqipe dhe për marrëdhëniet e poezisë së Asdrenit me poezinë rumune. Sipas Dr.Luan Topçiu, me Asdrenin fillon periudha moderne e poezisë shqiptare, dhe gjen vazhdimin e saj në vjershat e Lasgush Poradecit. Asdreni mund të konsiderohet si një udhëçelës drejt letërsisë moderne dhe si një hallkë e rëndësishme në evolucionin e etapave të domosdoshme të zhvillimit të letërsisë. Gjithashtu, si njohës i dy letërsive, ai trajtoi dhe problemin e ndikimeve të mundshme të poetit nga poezia rumune, në tematikë, në fjalorin poetik, në përdorimin e semave të reja kuptimore të fjalëve, në teknikat poetike, në frymën e saj etj.
I ftuar nga Tirana, shkrimtari dhe studiuesi Dr. Ermir Nika, në kumtesën e tij theksoi rolin e krijimtarisë letrare të Asdrenit si urë lidhëse mes dy kulturash, shqiptare dhe rumune. Ai vënë theksin në lidhjet e brendshme të letërsisë shqipe me folklorin e jugut të Shqipërisë, me poezinë e Naim Frashërit dhe veçanërisht me atë të Çajupit. Në trajtesën e tij Dr. Ermir Nika theksoi dhe pasurimin në pikëpamje të formës, të vargëzimit, të metrikës, të formave të shprehjes, cilësi që do të ndihmonin në modernizimin e poezisë shqipe.
Në fund të simpoziumit për të pranishmit u luajtën pjesë me kitarë klasike nga Daniel Bertesteanu dhe u kënduan disa pjesë të mirënjohura nga muzika lirike shqiptare nga Florentina Barbu, të cilët morën vlerësimin dhe duartrokitjet e publikut pjesëmarrës.
Veprimtaria u pasqyrua në shtypin rumun dhe në kanalin e parë të televizionit publik TVR1.
Në vijim të këtyre veprimtarive, në përkujtim të personaliteteve të diasporës shqiptare të Rumanisë, drejtues të ALAR si dhe deputeti Alin Bogdan Stoica shkuan në qytetin e Brailas, për të përkujtuar 220 vjetorin e lindjes së Naum Veqilarxhit. Së bashku me autoritetet vendore, vendosën një tufë lule në bustin e një prej ideologëve të Rilindjes Kombëtare Shqiptare.
Kremtimi i këtyre përvjetorëve jubilarë, kanë sjellë një ndërgjegjësim mbarëshoqëror dhe ndërinstitucional dhe ndikim të ndjeshëm në vlerësimin dhe forcimin e mëtejshshëm të marrëdhënieve shpirtërore, intelektuale dhe shoqërore që kanë ekzistuar dhe vijojnë të mbizotërojnë ndërmjet dy vendeve dhe kulturave të ndërsjella të Shqipërisë dhe Rumanisë.
Redaksia Online
D.T/Shqiptarja.com