Nuk është e vështirë të kritikosh. Nuk është e vështirë as të protestosh. Më e vështirë është të pranosh se një vend mund të ketë njëkohësisht probleme serioze dhe arritje të rëndësishme. Pikërisht aty fillon ndershmëria intelektuale.

Këtë mendim e pata ndërsa prej njëzet ditësh dëgjoja të njëjtat thirrje, të njëjtat slogane dhe të njëjtën kërkesë për dorëheqjen e një qeverie të zgjedhur me votë. Nuk më shqetësoi protesta. Protesta është pjesë e demokracisë dhe duhet të mbetet e tillë. Ajo që më shqetësoi ishte diçka tjetër: përpjekja për ta paraqitur Shqipërinë si një vend ku nuk është bërë asgjë, ku gjithçka ka dështuar dhe ku e vetmja zgjidhje është rrëzimi.

Aty fillova të dyshoj.

Jo sepse dikush proteston apo mendon ndryshe. Fillova të dyshoj sepse kritika, për të qenë e besueshme, duhet t'i qëndrojë besnike fakteve. Kur faktet fillojnë të përzgjidhen sipas përfundimit që kemi vendosur paraprakisht, nuk kemi më analizë; kemi narrativë.

Askush serioz nuk mund të pretendojë se Shqipëria nuk ka probleme. Arsimi ka nevojë për më shumë investim dhe për rikthimin e autoritetit të mësuesit. Nepotizmi duhet të zëvendësohet me meritokracinë. Sistemi shëndetësor ka ende shumë për të përmirësuar. Drejtësia duhet të vazhdojë transformimin e saj. Korrupsioni mbetet një nga plagët më të mëdha të vendit. Pagat dhe pensionet duhet të vazhdojnë të rriten. Këto nuk janë zbulime; janë realitete që nuk  mohohen..

Por ekziston edhe një realitet tjetër.

Të pranosh se ka ende shumë për të bërë nuk do të thotë të mohosh atë që është arritur. Ndershmëria fillon kur pranojmë të dyja anët e së njëjtës medalje.

Pikërisht këtu fillojnë rezervat e mia për këtë protestë.

Jo sepse protestohet. Përkundrazi. Shoqëritë demokratike kanë nevojë për njerëz që protestojnë, që ngrenë pyetje dhe që kërkojnë llogari. Por po aq shumë kanë nevojë për një kritikë që nuk e humbet ndershmërinë intelektuale. Sepse në çastin kur çdo arritje mohohet dhe çdo dështim zmadhohet deri në përmasa absolute, kritika pushon së qeni një instrument përmirësimi; shndërrohet në një ushtrim mohimi.

Në fund të fundit, çfarë po na thuhej gjatë këtyre njëzet ditëve?

Se Shqipëria nuk ka bërë përpara.

Se ekonomia është rrënuar.

Se demokracia ka vdekur.

Se institucionet nuk funksionojnë.

Se njerëzit vetëm largohen.

Se turizmi është një fasadë.

Se investimet janë propagandë.

Se çdo gjë është mashtrim.

E dëgjova këtë narrativë ditë pas dite. Aq këmbëngulëse ishte, sa për pak më bindi se problemi nuk ishte Shqipëria, por kujtesa ime: mos vallë nuk paskam parë, dëgjuar apo jetuar asgjë nga sa kisha menduar gjithë këto vite?

Nëse Shqipëria do të ishte vendi që u përshkrua gjatë këtyre njëzet ditëve, atëherë do të duhej të pranonim se ekonomia ka mbetur në vendnumëro, se pagat nuk kanë ndryshuar, se investimet janë iluzion, se turizmi është një mashtrim statistikor, se infrastruktura është po ajo e djeshmja dhe se vendi vazhdon të endet në të njëjtin izolim ndërkombëtar.

Për këtë arsye vendosa të lë mënjanë sloganet dhe t'u rikthehem fakteve. Jo për të mbrojtur një qeveri. As për të rrëzuar një protestë. Por sepse, në fund të fundit, realiteti nuk është pronë as e pushtetit, as e opozitës. Ai është pronë e së vërtetës

Asnjë njeri i arsyeshëm nuk do të thoshte se kemi mbërritur në fund të udhëtimit. Por vetëm nihilizmi arrin në përfundimin se, meqë nuk kemi mbërritur ende, nuk kemi lëvizur fare.

Një shoqëri nuk matet vetëm nga sa larg i ka mbetur qëllimi. Matet edhe nga sa rrugë ka bërë.

Ekonomia është rritur. Të ardhurat për frymë janë më shumë se dyfishuar. Paga minimale dhe paga mesatare janë rritur ndjeshëm, edhe pse inflacioni ka gërryer një pjesë të këtij përmirësimi. Kjo nuk e zhbën faktin; vetëm e vendos në kontekst.

Edhe emigracioni meriton të shihet me të njëjtën ndershmëri. Për vite me radhë largimi i shqiptarëve është përdorur si prova përfundimtare e dështimit të vendit. Megjithatë, kur të dhënat filluan të tregonin rënie të ritmit të emigrimit dhe shtim të kthimeve, i njëjti zë u bë papritur shumë më i heshtur

Prodhimi i Brendshëm Bruto për frymë është rritur nga rreth 4,400 dollarë në vitin 2013 në mbi 10,500 dollarë në vitin 2026. Paga minimale është rritur nga 22 mijë në 50 mijë lekë. Paga mesatare bruto nga rreth 52 mijë në mbi 90 mijë lekë. Inflacioni dhe rritja e kostos së jetesës kanë zbehur një pjesë të këtij përmirësimi, por nuk e kanë fshirë atë.

Këto nuk janë opinione.

Dhe faktet nuk pushojnë së ekzistuari vetëm sepse dikush vendos të mos i përmendë.

Të njëjtën qasje shoh edhe kur flitet për turizmin. Për vite me radhë është përsëritur se Shqipëria nuk ofron asgjë, se gjithçka është fasadë dhe se zhvillimi është vetëm propagandë. Megjithatë, shifrat vazhdojnë të tregojnë një histori tjetër.

Në vitin 2013 vendin e vizituan rreth 2.3 milionë turistë. Sot, vetëm gjatë katër muajve të parë të vitit, numri i hyrjeve ka kaluar 2.5 milionë. Të ardhurat nga turizmi janë rritur nga rreth 1.1 miliard euro në vitin 2013 në 5.72 miliardë euro në vitin 2025, ndërsa bilanci neto i valutës që mbetet në ekonominë shqiptare është rritur nga rreth 100 milionë euro në mbi 2.6 miliardë euro.

Këto shifra nuk provojnë se gjithçka po shkon mirë. As nuk nënkuptojnë se çdo vendim ka qenë i drejtë. Por rrëzojnë një pretendim shumë më të madh: se nuk është bërë asgjë.

Emigracioni është një problem real dhe askush nuk ka interes ta zbukurojë. Por ai nuk mund të përdoret si prova e vetme e dështimit, duke përjashtuar çdo fakt tjetër. Sepse po aq të vërteta janë edhe këto: ritmi i emigrimit është ulur ndjeshëm krahasuar me një dekadë më parë dhe mbi njëqind mijë shqiptarë janë rikthyer në vend.

Nuk po them se këto të dhëna e zgjidhin problemin.

Po them vetëm se ato ekzistojnë.

Rreziku nuk është mungesa e fakteve, por kujtesa selektive e tyre.

Po të dëgjoje vetëm protestën, do të krijoje përshtypjen se Shqipëria është në luftë me natyrën. Se zhvillimi dhe mjedisi janë dy botë që nuk mund të bashkëjetojnë. Se gjithçka që është bërë ka qenë në dëm të ekosistemit.

Kur gjuetia e paligjshme po boshatiste lagunat dhe flamingot ishin një pamje e rrallë, ndërgjegjja mjedisore mungonte. Ajo u shfaq vetëm kur në horizont u panë projektet e zhvillimit.

Sot flamingot janë rikthyer. Jo si slogan, por si fakt. Gjurmët e këtij rikthimi shfaqen gjithnjë e më shpesh në zonat e mbrojtura, ku janë rishfaqur specie që për vite me radhë nuk ishin parë, madje disa konsideroheshin të zhdukura nga këto habitate

A do të thotë kjo se mjedisi nuk ka më probleme?

Sigurisht që jo.

Do të thotë vetëm se edhe këtu realiteti është më kompleks sesa slogani.

Kur mjedisi kthehet nga qëllim në mjet dhe shqetësimi ekologjik matet jo me gjendjen e natyrës, por me dobinë që ka për një narrativë politike, nuk mbrojmë më natyrën; e përdorim atë.

Në të njëjtën mënyrë kam dëgjuar të flitet edhe për demokracinë.

Thuhet se ajo ka vdekur. Se institucionet nuk funksionojnë. Se qeveria nuk dëgjon më askënd

Ndoshta.

Por atëherë si shpjegohet që e njëjta protestë vazhdon për njëzet ditë radhazi, në zemër të Tiranës, pa u shpërndarë me forcë, pa u ndaluar dhe pa iu mohuar e drejta për të protestuar? Vlera e një demokracie nuk qëndron te fakti që protestat ekzistojnë, por te mënyra se si trajtohen ata që protestojnë.

Edhe këtu nuk po them se kemi arritur standardin që dëshirojmë. Po them vetëm se fotografia është më e gjerë sesa korniza që po na serviret.

I njëjti mekanizëm përsëritet pothuajse në çdo fushë. Përzgjidhen vetëm faktet që ushqejnë zemërimin, ndërsa ato që e sfidojnë atë, lihen në hije. Pak nga pak krijohet një realitet paralel, ku çdo e mirë është propagandë dhe çdo e keqe është prova përfundimtare e dështimit.

Një e vërtetë selektive nuk është më e vërtetë.

Pikërisht atëherë u bë e qartë edhe përbërja e kësaj proteste. Në krye të saj nuk ishin vetëm ambientalistë, por edhe njerëz që prej kohësh e kishin shpallur pozicionin e tyre politik. Nuk kam asnjë problem me këtë. Në demokraci secili ka të drejtë të mbajë anë. Problemi lind kur bindja politike paraqitet si e vetmja e vërtetë dhe maskohet si interes i përgjithshëm.

Për qark tyre qëndronte një rreth i dytë. Njerëz që, me të drejtë ose jo , shohin te ndryshimi i pushtetit mundësinë për të realizuar ambicie personale. Edhe kjo nuk është diçka e panjohur në politikë. Historia është plot me njerëz që kanë ndjekur më shumë pushtetin sesa  parimet.

Për shtresën e tretë kam një ndjesi krejt tjetër.

Janë të rinjtë.

Ata që besojnë me sinqeritet se po mbrojnë një kauzë. Ata që zemërohen kur shohin padrejtësi. Ata që duan një Shqipëri më të mirë. Pikërisht për këtë arsye janë edhe më të ekspozuar ndaj zhgënjimit. Idealizmi është një cilësi e bukur e rinisë.

Por idealizmi, kur ushqehet vetëm me gjysmën e së vërtetës, pushon së qeni i lirë dhe bëhet mjet i një kauze tjetër.

Ndoshta jam gabim.

Do të doja të isha.

Kam parë mjaftueshëm në jetë për të ditur se edhe gjysma e së vërtetës mund të përdoret për të fshehur të vërtetën.

Prandaj nuk më bind thirrja për dorëheqje, kur ajo nuk shoqërohet me një alternativë. Nuk më bind mohimi kategorik i çdo arritjeje. Nuk më bind as përpjekja për ta reduktuar një realitet kompleks në një slogan që tingëllon bukur para kamerave.

Është shumë më e lehtë të rrëzosh besimin sesa ta ndërtosh atë.

Shumë më e lehtë të ndezësh zemërimin sesa të ndërtosh shpresën.

Është gjithmonë më e lehtë të shohësh vetëm plagët sesa të pranosh se përparimi dhe papërsosmëria mund të bashkëjetojnë.

Qeveritë duhet të kritikohen çdo ditë. Duhet të mbajnë përgjegjësi për çdo premtim të pambajtur, për çdo vendim të gabuar dhe për çdo mundësi të humbur. Kjo është detyra e opozitës. Kjo është detyra e medias. Kjo është edhe detyra e qytetarit.

Në çastin kur çdo investim shpallet propagandë, çdo statistikë quhet manipulim, çdo arritje konsiderohet mashtrim dhe çdo zhvillim relativizohet vetëm sepse nuk i shërben përfundimit të dëshiruar, nuk po kërkojmë më të vërtetën.

Po kërkojmë të fitojmë debatin.

Sepse në fund të fundit, qeveritë vijnë e ikin.

Protestat fillojnë dhe mbarojnë.

Partitë fitojnë dhe humbin.

Por nëse humbasim ndershmërinë intelektuale, humbasim busullën me të cilën një shoqëri dallon përparimin nga propaganda dhe kritiken nga mohimi.

Mbase dikush do të më thotë se jam shumë tolerant me qeverinë.

Ndoshta.

Por do të ishte një gjykim I papërshtatshëm

Kam kritikuar kur kam patur arsye për të kritikuar dhe do ta bëj përsëri sa herë ta shoh të nevojshme. Nuk besoj te qeveritë e pagabueshme, as te liderët e pazëvendësueshëm. Një demokraci e shëndetshme nuk ndërtohet mbi adhurimin e pushtetit dhe as në demonizimin e tij.

Nëse sot do të mohoja se janë rritur pagat, do të isha i pandershëm.

Nëse do të mohoja se janë ndërtuar rrugë, do të isha i pandershëm.

Nëse do të mohoja se shërbimet publike janë transformuar, do të isha i pandershëm.

Nëse do të mohoja se Shqipëria ka fituar një peshë tjetër në arenën ndërkombëtare, do të isha i pandershëm.

Po aq i pandershëm do të isha nëse do të mohoja korrupsionin, padrejtësitë, nepotizmin, problemet e arsimit, të shëndetësisë apo vështirësitë ekonomike me të cilat përballen shumë familje shqiptare.

Ndershmëria intelektuale nuk na lejon të zgjedhim vetëm njërën anë të së vërtetës.

Ajo na detyron të pranojmë të dyja.

Është zgjedhja më e vështirë.

Por është e vetmja rrugë që të çon te një gjykim i drejtë.

Realiteti jeton gjithmonë mes drite-hije.

Dikush mund të vazhdojë të besojë se Shqipëria nuk ka bërë asnjë hap përpara. Është e drejta e tij.

Një tjetër mund të besojë se gjithçka ka shkuar në mënyrën më të mirë të mundshme. Edhe kjo është e drejta e tij.

Por asnjëri prej këtyre dy qëndrimeve nuk e ndryshon realitetin.

Realiteti vazhdon të jetë ai që është, pavarësisht bindjeve tona.

Çdokush gjen me lehtësi faktet që i japin të drejtë dhe kalon në heshtje ato që e vënë në dyshim. Dalëngadalë nuk ndërtojmë më një opinion mbi realitetin; ndërtojmë një realitet sipas opinionit tonë.

Qytetërimi nuk matet me mungesën e mosmarrëveshjeve, por me aftësinë për t'i zhvilluar ato mbi të njëjtat fakte.

Kur shembet ky parim, politika bëhet zhurmë. Ajo që vihet në provë është aftësia e një shoqërie për të dalluar të vërtetën nga dëshira për të pasur të drejtë.

Një gjë më ka bërë veçanërisht përshtypje.

Mes firmëtarëve të kësaj proteste pashë akademike dhe mjekë që prej vitesh jetojnë dhe punojnë jashtë Shqipërisë. Nuk kam asnjë rezervë ndaj zgjedhjes së tyre. Secili ka të drejtë të ndërtojë jetën aty ku mendon se mund të realizojë më mirë veten dhe familjen e tij.

Por pikërisht këtu lind paradoksi.

Një nga akuzat kryesore të protestës është emigracioni. E megjithatë, këtë akuzë e artikulojnë edhe njerëz që vetë, në një moment të jetës së tyre, vendosën të largoheshin dhe ta ndërtonin të ardhmen diku tjetër.

Nuk është largimi ai që më shqetëson.

Është mungesa e koherencës.

Është e vështirë të bindesh nga dikush që e quan largimin provën më të madhe të dështimit të vendit, ndërkohë që ai vetë bëri pikërisht atë zgjedhje.

Të largohesh është një e drejtë.

Të japësh mendim është po ashtu një e drejtë.

Por të shndërrosh zgjedhjen tënde personale në aktakuzë morale ndaj atyre që mbetën, kërkon një autoritet moral që nuk fitohet vetëm me  një peticion të firmosur nga bregu …

Qeveritë do të ndryshojnë. Protestat do të mbarojnë. Edhe ne, një ditë, do të jemi vetëm një kujtim i kohës sonë.

Por mënyra se si zgjedhim të përballemi me të vërtetën do të mbetet gjithmonë prova e pjekurisë sonë si shoqëri.

Nuk kërkoj dakordësi. Këmbëngul vetëm që faktet të gjykohen me të njëjtën ndershmëri si bindjet tona.

Nëse arrijmë ta bëjmë këtë, debati ynë publik do të bëhet më i ndershëm.

Në fund, secili prej nesh do të mbetet i lirë të gjykojë sipas ndërgjegjes së vet.

Një shoqëri nuk e humbet të vërtetën brenda një dite. E humbet sa herë që pranon vetëm gjysmën e saj.

Dhe, në fund...

Nga çfarë bënë dhe thanë, nuk është se presim të skuqen.