Shqipëria ka njohur të paktën 10 përmbytje të mëdha në 60 vitet e fundit, që kanë lënë pasoja në vend. Dalja nga shtrati e lumenjve Buna e Drini në Veri, dhe Vjosa në Jug kanë qenë shkaktarët kryesorë, ndërsa dy vjet me radhë në 2010 dhe 2011, shkarkimet nga hidrocentralet përmbytën Shkodrën dhe Lezhën.
Dhjetor 1962 - Janar 1963
Lumi Drin dhe Buna, dalin nga shtrati për shkak të prurjeve të larta. Përmbytjet përfshijnë zonën e Shkodrës, Nënshkodrës dhe Lezhës. Niveli i ujit arrin deri 80 cm edhe në qytet. Uji mbulon 70 mijë ha toka bujqësore dhe të gjitha qendrat e banuara që ndodheshin në këto zona. Mbi 10 mijë njerëz u evakuuan.
Shtator 1995-Janar 1996
Prurjet e larta, bëjnë që thuajse të gjithë lumenjtë e Shqipërisë të dalin nga shtrati. Zonat Shkodër, Lushnjë, Krujë, Laç, Durrës, Lezhë dhe fshatrave përreth tyre ndjejnë pasojat e mëdha të përmbytjeve të herëpashershme, në mbi 20 mijë hektarë tokë. Shtëpi banimi dhe ndërtesa të shumta u mbuluan nga uji. Pavarësisht evakuimeve kjo situatë shoqërohet dhe me viktima.
22-30 Shtator 2002
Reshje të shumta përfshijnë zonën veriore të vendit. Drini, Buna dhe Ishmi dalin nga shtrati Reshjet e shumta, krijuan një situatë të rëndë për zonat e Milotit, Lezhës, Torovicës, Zadrimës e Shkodrës. Përmbyten mbi 16.000 ha tokë bujqësore dhe preken 7500 familje. Shumë prej tyre evakuohen.
Shkurt-Mars 2004
Sërish, Drini, Buna, Ishmi dalin nga shtrati pas reshjeve të shumta që rregjistrohen në të gjithë Veriun e vendit. Përmbyten qindra hektarë tokë dhe dëmtohen rreth 400 banesa. Dëme konsiderohen të përmasave të mëdha dhe me pasoja afatgjata
Dhjetor 2005
Harta e përmbytjeve zbret në Jug, me Vjosën që del nga shtrati. Përmbyten rreth 7000 hektarë dhe dëmtohen rreth 350 banesa, biznese dhe qendra socialkulturore
2010-2011
Jo vetëm reshjet por dhe shkarkimet nga tre hidrocentralet, Fierza, Komani, Vau i Dejës, bën që për dy vite me radhë, Shkodra, Nënshkodra dhe Lezha të përmbyten në muajin Janar, duke përfshirë 14000 hektarë tokë dhe 1200 godina. Në qytetin e Shkodrës, niveli i ujit arrin gati 1 metër. Mbi 12 mijë njerëz evakuohen
Shkurt 2015
Vjosa del nga shtrati dhe fshatrat përgjatë rrjedhës së poshtme të lumit, si Mifol, Novoselë, Bishan, Fitore e Poro do të mbulohen nga uji. Bilanci është dramatic: gat1 10 mijë hektarë tokë, e përmbytur, 709 banesa të dëmtuara plotësisht ose pjesërisht, 300 biznese, 16 shkolla dhe 10 ura të dëmtuara, 3500 bagëti të mbytura
Nëntor 2017
Ripërsëritet i njëjti skenar i dy viteve më parë, me vërshimin e Vjosës ujërat e së cilës mbulojnë sërish fshatrat pranë lumit. Këtu do të jenë dhe pasojat më të mëdha, pavarësisht problemeve që u shfaqën në zona të ndryshme të vendit. Përmbyten 10.622 hektarë tokë, 4.700 banesa, dhe 41 biznese. Dëmtohen 56 shkolla dhe 65 ura në të gjithë Shqipërinë.
8-11 Janar 2021
Vendi përfshihet nga reshje të dendura për një periudhë gati 1 javore, duke sjellë vërshimin e pothuaj të gjithë lumenjve e përrenjve të vendit. Më të prekura zonat Shkodër dhe Lezhë, si pasojë e daljes nga shtrati të Drinit dhe Bunës, si dhe në jug, fshatrat përgjatë rrjedhës së poshtme të Vjosës.
Në total, janë 7450 hektarë tokë të përmbytura në veri dhe jug të vendit, banesa dhe biznese të dëmtuara, disa rrugë të bllokuara përkohësisht për rrëshqitje dherash; disa ura të dëmtuara rëndë.
Lajmi kryesor:
KLSH: Në 3 dekada vendi ka humbur 2.5 mld $ nga përmbytjet, 15 mijë banesa të shkatërruara në 30 vite
Komente











