Shirat e rrëmbyeshëm kanë shkaktuar vdekjen e tre personave në jug të Francës gjatë të premtes në mbrëmje dhe mëngjesin e të shtunës. Një 50-vjeçar u gjet i vdekur në makinën e tij në rajonin jugor Lozere.

Po ashtu, autoritetet lokale bëjnë të ditur se mbrëmjen e së premtes janë gjetur të vdekur edhe një nënë bashkë me djalin e saj 4-vjeçar, pasi kishin mbetur të bllokuar në makinë.

Autoritetet lokale të rajonit Le Gard thanë se rrethanat që shkaktuan aksidentin fatal ishin "tejet të lokalizuara", duke shtuar se situata në rajonin e tyre është tashmë më e sigurt, në krahasim me rajonet fqinje, të cilat kanë qenë të përfshira nga shirat e rëndë edhe në ditët e mëparshme.

Katër rajone fqinje janë nën alarmin e përmbytjeve, paralajmërimi i dytë më i lartë i përmbytjeve në nivel shtetëror të shtunën.

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)