Përmbytjet, banorë të izoluar
në Fier, bie niveli i ujit në Vlorë

Përmbytjet, banorë të izoluar<br />në Fier, bie niveli i ujit në Vlorë
FIER -  12 persona kanë mbetur të bllokuar nga uji i cili ka dalë nga shtrati mbrëmjen e sotme në fshatrat e përmbytura të Fierit, ndërsa kanë kërkuar ndihmë pasi ndodhen në rrezik. 3 gra, 3 fëmijë kanë mbetur të bllokuar në banesën e tyre në fshatin Ferras, njëra prej grave është shtatëzënë. Ndërkohë që edhe 6 barinj të cilët ndodhen në një stallë pranë fshatit Qarr, apelojnë për ndihmë pasi janë rrethuar nga uji. Mësohet se disa bagëti të imta kanë ngordhur nga përmbytjet. 

Njëra prej grave që kanë mbetur të bllokuar në fshatin Ferras ka kontaktuar në A1 Report duke bërë apel për ndihmë dhe duke përshkruar situatën e vështirë që ndodhen.
 
Viola Dorda tregon se ndodhet në soletën e banesë së saj bashkë me 3 fëmijë, vjehrrën e sëmurë dhe kunatën e cila është shtatzënë në muajin e 8-të. Gjatë lidhjes telefonike Dorda shton se uji është vetëm 0.5 metra nën taracë. Ajo apelon për ndihmë për shtetit duke theksuar se është shumë ftohtë.
 
“Ne jemi vetëm 3 gra kemi tre fëmijë, vajzën e vogël e kam 3 vjeçe. Kam kunatën shtatzënë 8 muajshe. Nuk kam lënë njeri pa kontaktuar. Vendi ku jam aktualisht quhet Ura e Qarrit. Jemi në soletë. Është shumë ftohtë. Uji edhe për 0.5 m hyn në taracë. Kemi 4 orë në taracë. Policia ka ardhur deri te rruga kryesore, na thanë që nuk kanë me çfarë të ndërhyjnë. Nuk e pandehëm që do na hynte uji brenda. Në taracë kemi dalë nëpër ujë.” –tha për A1 Report Dorda e cila e tensionuar thekson Si nuk gjendet një gomone për të na shpëtuar.
 
Ajo më tej deklaron se në zonën ku ajo ndodhet ka edhe familje të tjera të cilat janë mbi taracë.



Pas kontaktit me A1 Report, forcat e emergjencave ndërhynë sapo morën lajmin, duke bërë të mundur shpëtimin e tyre. Sipas informacioneve, 3 gratë dhe 3 fëmijët, gëzojnë shëndet të mirë dhe ndodhen nën përkujdesje të plotë.

Drejtori i emergjencave civile, Shemsi Prençi, ka lajmëruar pas një lidhje telefonike se tashmë janë shpëtuar 12 familje në Levan si dhe 3 gratë e 3 fëmijët që ndodheshin në tarracën e banesës së tyre. Gjithashtu, Prençi hodhi poshtë lajmin e rremë që një media bëri të ditur për një bllokim të mundshëm të tij gjatë operacionit të shpëtimeve.

Drejtori i emergjencave, ka lajmëruar se po merren të gjitha masat e nevojshme për të siguruar jetën e banorëve. Ushtria dhe shtabet e emergjencës ndodhen në gatishmëri të plotë.
Aktualisht aksi nacional Vlorë-Fier vazhdon të jetë i pakalueshëm për shkak të lumit Vjosa i cili ka dalë nga shtrati. 


(VIDEO: Përmbytjet në Fier dhe Berat)


ORA 07:30 – Fier, 9 familje të izoluara në Darzezë e 4 banorë në Levan

Nëntë familje janë të izoluara nga uji në fshatin Darëzez komuna Dermenas ne rrethin e Fierit. Banoret apelojnë për ndihme nga skuadrat e shpetimit qe ndodhen ne terren. Ndërsa në fshatin Ferras komuna Levan janë 4 banorë që kërkojnë ndihmë për tu evakuar.

Lumi Vjosa ka dalë nga shtrati duke shkaktuar përmbytje të mëdha në fshatrat e Fierit raportohet se vetem ne fshatin darëzez janë dhjetëra shtëpi nën ujë dhe rreth 2000 bagëti të mbytura.

 
Përmbytet jugu, mbi 600 familje të rrezikuara, evakuohen 300
Shqipëria është në alarm si pasojë e kushteve të këqija atmosferike. Sipas burimeve zyrtare situata paraqet rrezikshmëri të lartë në disa zona të jugut të vendit, ku dalja nga shtrati e lumenjve Vjosë, Drino, Gjanica, Osum dhe Shkumbin kërcënon për një katastrofë natyrore. 

600-1200 familje që ndodhen përgjatë shtratit të lumit Vjosa janë të rrezikuara nga përmbytjet si pasojë e reshjeve të dendura të shiut. Numri i lartë i familjeve të rrezikuara u konfirmua për A1 Report nga shefi i Emergjencave Civile, Shemsi Prençi, gjatë një lidhje telefonike . Ai theksoi se numri i familjeve të rrezikuara do të variojë në varësi të situatës.
 
“Vazhdojë evakuimet, sipas avancimit të lumit të Vjosës. Në Novoselë dhe Levan janë larguar të gjitha familjet që rrezikoheshin. Janë evakuuar mbi 300 familje.”- u shpreh Shemsi Prençi.
 
Gjatë lidhjes telefonike Prençi ka deklaruar se po has në kundërshtimin e shumë familjeve të cilat kanë refuzuar me forcë që të evakuohen duke mos dashur të braktisin familjet e tyre. Ai ka bërë edhe një apel që ata duhet të jenë bashkëpunues pasi shirat do të vijojnë deri më datë 4 shkurt.
 
Gjatë lidhjes telefonike Prençi ka deklaruar se po has në kundërshtimin e shumë familjeve të cilat kanë refuzuar me forcë që të evakuohen duke mos dashur të braktisin familjet e tyre. Ai ka bërë edhe një apel që ata duhet të jenë bashkëpunues pasi shirat do të vijojnë deri më datë 4 shkurt.
 
“Kemi hasur problem në evakuimin e familjeve të cilat nuk i lëshojnë shtëpitë. Qytetarët duhet të ndërgjegjësohen. Niveli i ujërave do të jetë shumë i lartë pasi shirat do të vijojnë deri më datë 4 shkurt. Duhet të sensibilizohet opinioni publik që të largohen bashkë me bagëtitë nga zonat e rrezikuara.”- tha Shemsi Prençi- duke shtuar se “Aktualisht në terren në rajonin e Urës së Mifolit janë të gjithë strukturat e pushteti vendor, policisë, strukturat e ndërhyrjes së shpejtë dhe emergjencave civile.  Po bëhen përpjekje për të larguar banorët më të rrezikuara nga lumi Vjosa.”
 
Lidhur me dëmshpërblimet e banesave, shefi i Emergjencave Civile, Shemsi Prençi sqaroi se nëse do të shpallet gjendja emergjence në shkallë rajoni do të kompensohen edhe dëmet bujqësore, por aktualisht janë vetëm për dëmet e banesave.

(VIDEO: Lidhja telefonike me drejtorin e Shtabit të Emergjencave, Shemsi Prençi)



Në Urë Vajgurore janë 10 familje të evokuara, bën të ditur Komandanti i Batalionit, Gëzim Marku i cili shton se janë për evakuuar edhe 3 familje nga Kuçova.

Ora 21:30 Leskaj:Situata në Novoselë është e vështirë, vijojnë prurjet
Deputetja e Partisë Socialiste, Valentina Leskaj e cila ndodhet në Novoselë për të parë nga pranë situatën e krijuar pas reshjeve të dendura, deklaroi në një lidhje telefonike për A1 Report se situata është e vështirë, pasi vijojnë prurjet.
 
“Jam në Novoselë, situata është e vështirë, vijojnë prurjet. Janë marrë të gjitha masat. Janë të gjitha forcat e ndërhyrjes. Janë marrë masa edhe për evakuimin e njerëzve dhe familjeve. Janë evakuuar 18 familje në këtë zone. Po behet gjithçka për të ruajtur jetët e njerëzve dhe pasuritë e tyre. Niveli i ujit ka rënë në Tepelenë nga ku vijnë prurjet e lumit Vjosa me rreth 1,5 metra,  por duhen 7-8 orë që të ulet niveli i ujit këtu.”- tha Valentina Leskaj.


  
Ora 19:36 Fryrja e lumenjve, dëme të konsiderueshme në Gjirokastër
Lumi i fshatit Kardhiq dhe lumi i Piksit në Gjirokastër, kanë shkaktuar dëme të mëdha në fshatin Zhulat te argjinaturat, në të dy bizneset e peshkut në Kardhiq si edhe në tokat bujqësore te Plesatit, Kodrës. Lumi Drino ka shkaktuar dëme ne tokat e fshatit Mashkullore e Palokastër.
 
Ora 18:42 Ulen prurjet e lumit Osum, përmirësohet situata në Berat
Ndonëse shirat vijojnë në qarkun e Beratit, situata po shkon drejt normalizimit pas ka rënë ndjeshëm niveli i prurjeve të lumit Osum 

Ora 16:30 "Shpërthejnë" lumenjtë, çahet argjinatura e urës së Mifolit 
Situata është përkeqësuar pasdite në qytetin e Vlorës ku vërshimi i lumit Vjosë ka çarë argjinaturë e urës së Mifolit, duke përmbytur 10 shtëpi në këtë zonë. 

Në kushtet e përmbytjeve të qindra hektarëve tokë e dhjetëra banesave, Shtabi i Emergjencave vendosi për evakuimin e detyrueshëm të banorëve. Janë evakuuar deri më tani rreth 90 familje buzë Vjosës, prej të cilave 30 në zonën e Fierit dhe 60 në Vlorë, në komunën e Novoselës, në urën e Mifolit po në Vlorë, në Urën Vajgurore në Berat, Memaliaj etj, ndërsa shumë të tjerë pritet të evakuohen nga forcat e policisë.
 
Shefi i Shtabit të Emergjencave Civile Shemsi Prençi në një lidhje telefonike për A1 Report dha alarmin për përkeqësim të situatës dhe i bëri apel banorëve, veçanërisht atyre që ndodhen pranë lumenjve, që të largohen nga shtëpitë për të shmangur katastrofat në jetë njerëzish.
 
Ministri Edmond Panariti, i cili kryeson nga terreni Shtabin e Emergjencës në Ministrinë e Bujqësisë paralajmëroi rrezikshmëri të lartë në orët e pasdites si pasojë e parashikimeve për reshje të dendura shiu gjatë orëve të mbrëmjes. Ai deklaroi për A1 Report se po punohet jo vetëm për shpëtimin e jetëve të njerëzve, por edhe të bagëtive. Ai pranoi se kemi një dëm të konsiderueshëm, por tha se është shumë shpejt për të dhënë shifra për dëmin që mund t’i vijë ekonomisë shqiptare si pasojë e qindra hektarëve të përmbytur. 

Ora 16:00 Situata e akseve rrugore nacionale
Njoftimi zyrtar i Policisë së Shtetit
 
Në Qarkun Gjirokastër:
Të gjitha akset rrugore nacionale janë të kalueshme .
Niveli i lumit Drino po bie. Në aksin rrugor Gjirokastër- Lunxhëri  lejohet qarkullimi i fuoristradave dhe furgonëve , ndërsa makinat e vogla për momentin nuk kalojnë dot.
 
Ndërsa  aksi rrugor Libohovë - Sofratikë është plotësisht i kalueshëm.
 
Në Përmet, aksi rrugor Përmet - Çarshovë , si dhe Aksi Rrugor Tepelenë - Përmet janë të kalueshëm tashmë pasi niveli i ujit të lumit Vjosë  ka rënë.
 
Në qarkun Berat:
Të gjitha rrugët nacionale tashmë janë të kalueshme pasi niveli i ujit ka rënë.
 
Në qarkun Vlorë:
Aksi Selenicë - Vlorë në  vendin e quajtur bishti i malit është ende  i bllokuar nga prurjet e lumit Vjosë.
Ndërsa akset e tjera rrugore në këtë qark janë të kalueshme.
 
Në Qarkun Fier:
Ne aksin Levan - Tepelenë në vendin e quajtur Ferma e Romsit ka filluar të futet uji  në autostradë, por pa krijuar bllokim të aksit.  Policia rrugore ka marrë masa duke ndihmuar qarkullimin me një sens të lëvizjes në atë segment ku është prezent uji në rrugë.
 
Një banor që kishte mbetur i bllokuar në një pikë inertesh në Çerven të rrethit Fier është evakuuar nga Policia me gomone.
 
Elbasan:
Aksi rrugor Cërrik - Gramsh  është i bllokuar në fshatin Banjë, pasi lumi ka dalë mbi urë. Qarkullimi vijon nga rruga e llixhave.
 
Aksi rrugor Tiranë -Elbasan , në fshatin Ibë vijon të jetë i bllokuar.
 
Që prej mëngjesit , Forcat e policisë po vijojnë evakuimin e disa familjeve në Novoselë dhe në Fitore  të rrethit Vlorë,  në disa fshatra të rrethit  Fier  konkretisht në Feras, Çerven, Frakull , Kashisht, Selisht, Tojk, Varibop, si  e në Urën Vajgurore në Berat.

Ora 15:00 FA shpëtojnë rojen e lokalit të bllokuar në Memaliaj
Forcat e armatosura kanë bërë të mundur evakuimin e rojes që kishte mbetur i bllokuar në një lokal në Memaliaj. Evakuimi i rojes është bërë i mundur nëpërmjet një helikopteri të FA. Prej orëve të para të mëngjesit për shkak të daljes nga shtrati të lumit Vjosa roja i lokalit Fatos Vranozi kishte hipur në çatinë e lokalit duke pritur që të shpëtohej nga ajri pasi ishte e pamundur që të dilte. 

shpetimi me helikopter

Ora 13:45
Cerrik, bllokohen tre punonjës në nënstacionin e pompave

Tre punonjës të nënstacionit të pompave janë bllokuar brenda nënstacionit në Cërrik. 3 punonjësit e nënstacionit të pompave kanë mbetur të bllokuar prej disa orësh dhe ende nuk është bërë evakuimi i tyre.
 
Ora 13:40 FA në gadishmëri për situatën e emergjencës civile
Forcat e Armatosura janë angazhuar në përballimin e situatës së krijuar nga reshjet e orëve të fundit në jug të vendit. FA po japin kontributin e tyre me trupa dhe mjete për përballimin e situatës. Pjesë e operacionit kanë qenë dhe forcat ajrore që janë përfshirë për shpëtimin e një roje lokali i cili kishte mbetur i bllokuar. Në qytetin e Memaliajt Forcat e Armatosura bënë të mundur evakuimin me helikopter të shtetasit Fatos Sernuzaj. Sernuzaj ishte bllokuar për shkak të përmbytjeve në çatinë e lokalit të tij. FA janë në gatishmëri edhe në Vlorë me trupa dhe mjete. Në Qarkun e Beratit FA ka bërë evakuimin e 9 familjeve.

Ora 12:30 Prençi: Banorët të ndërgjegjësohen për rrezikun, duhet të lënë shtëpitë
Në një lidhje telefonike për A1Report, shefi i Shtabit të Emergjencave Civile, Shemsi Prençi tha se situata e përmbytjeve është tejet e rënduar për shkak të intensitetit të lartë të reshjeve dhe prurjeve në lumenj. Ai tha se është e domosdoshme të bëhet ndërgjegjësimi i banorëve për rrezikun që mund të vijë gjatë mbrëmjes. Nga ekrani i A1Report ai bëri apel që banorët, veçanërisht ata që jetojnë në zonat pranë lumenjve, të lënë shtëpitë për të shmangur kështu pasojat tragjike në jetë njerëzish. Në rajonin e Memaliajt, i cili sipas Prencit, është më problematik, ka pasur edhe raste të biznesmenëve të cilët kanë rezistuar për të lënë bizneset. Në këto raste, tha Prençi, është dashur largimi i tyre me helikopterë, pasi ndërhyrja nga toka është bërë e pamundur. 

“Vjosa, qoftë nga krahu i Vlorës qoftë Fierit, ka përmbytur një sasi të konsiderueshme tokash e banesash. Kemi ndërgjegjësuar qytetarët që një pjesë e banorëve në periferi të Urës së Mifolit duhet të largojnë familjet dhe bagëtitë për t’i paraprirë një situate më e rënduar, është më e lehtë të lënë banesat e të shpëtojnë jetën se sa të çojnë drejt tragjedisë. Nëse do të evakuojmë shpejt banorët nuk ka rrezik”, tha shefi i Emergjencave në një lidhje të drejtpërdrejtë telefonike për A1 Report.

Ai saktësoi dhe zonat nga ku duhet të largohen banorët: Në Berat, Gjirokastër, Vlorë, Fier. Prençi solli në vëmendje parashikimet meteorologjike kur tha se reshjet intensive që pritet të vijojnë deri më 4 shkurt, rrezikojnë shtimin e prurjeve në lumenj, duke sjellë pasoja katastrofike të përmbytjeve. “Apel atyre që kanë shtëpitë anës lumenjve të dëgjojnë zërin e specialistëve dhe të largohen”, përfundoi Prençi.



Ora 12:15 VIDEO/Lidhja telefonike me Ministrin e Bujqesise Edmond Panariti



 
Ora 11:47
Përmbytjet nga moti i keq, Bujqësia ngre Shtabin e Emergjencës
Duke marrë parasysh situatën e rënduar të përmbytjeve në jug të vendit, në Ministrinë e bujqësisë është ngritur Shtabi i Emergjencës Civile në krye të të cilit ndodhet ministri Edmond Panariti. Ai është duke inspektuar të gjitha zonat e përmbytura, ndërsa po punohet në koordinim me bordet e kullimit

permbytja
(Në foto: Nënstacioni energjitik)

Ora 10:50 Bllokohet roja i lokalit në Memaliaj, niset helikopter për evakuimin
Roja i një lokali në Memaliaj, ka mbetur i bllokuar për shkak të prurjeve të mëdha të lumit Vjosë. Evakuimi i tij nga forcat e policisë dhe të zjarrfikësve ishte i pamundur. Në këto kushte një helikopter është nisur për të realizuar evakuimin e tij nga ajri. Gjendja e rojes është e mirë dhe nuk rrezikohet nga përmbytjet, pasi sipas policisë roja ka hipur në pjesën e sipërme të lokalit. 



Ora 10:10 Gjirokastër, Drino del nga shtrati. Përmbytet nënstacioni,  2/3 e banorëve pa energji
Lumi Drino ka dalë nga shtrati pas 12 viteve, si pasojë e reshjeve të shumta. Më shumë se gjysma e banorëve të qytetit të Gjirokastrës prej mëse 12 orësh janë pa energji elektrike për shkak të përmbytjes së nënstacionit të vjetër elektrik, i cili gjendet në fund të qytetit në krah të Rrugës nacionale.
 
Mjaft biznese të stacionuara në pjesën e poshtme, janë përmbytur duke sjellë një dëm mjaft të madh ekonomik. Drejtues të OSHEE, konfirmojnë për A1 Report, se situata është mjaft kritike përsa i përket përmbytjes së nënstacionit. Tërheqja e rrjedhës së lumit nga lugina e Drinos, duket mision i pamundur, kur prurjet nga jugu, janë të shumta. 



Ora 09:50 Policia e Shtetit apel qytetarëve: Anuloni lëvizjet me makina në drejtim të jugut
Dalja nga shtrati i lumenjve dhe prurjet e shumta si rezultat i shirave të rënë rrezikojnë vetëm përmbytjen e banesave por edhe bllokimin e rrugëve nacionale në jug të vendit.  Në këto kushte, Policia e Shtetit i është drejtuar me thirrje qytetarëve që duan të lëvizin në drejtim të jugut të anulojnë lëvizjet.
 
“Policia e Shtetit ka angazhuar të gjitha forcat e lëvizshme operacionale dhe gjithë efektivat e drejtorive të Gjirokastrës, Beratit, Fierit dhe Vlorës”, thuhet në njoftimin zyrtar të Policisë së Shtetit.
 
Për situatën e vështirë në të cilën ndodhet vendi si pasojë e përmbytjeve, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit është ngritur Shtabi i Emergjencave. 

makina e permbytur me logo

Ora 09:45 Prefekti i Vlorës: Janë evakuuar 14 familje. Në zonë janë FNSH dhe zjarrfikësja. Pritet të vijë Delta Force me një gomone të evakuojë banorët. Eshtë një zonë problematike, por ajo çka kemi primare është evakuimi i njerëzve, më vonë do shohim dëmet. Problem është akoma Bishti i Malit në Selenicë. Kemi një bllokim rruge në Peshkëpi dhe Vllahinë ku kanë rënë një masiv gurësh.
 


Ora 09:15 Berat, evakuohen banorët e Urës Vajgurore
Moti i keq ka shkaktuar probleme të shumta edhe në Berat ku si pasojë e daljes nga shtrati të Osumit është përmbytur zona e Urës Vajgurore. Banorët janë evakuuar, ndërsa në Çorovodë lumi Osum ka dëmtuar urën që lidh fshatrat me Skraparin.



Ora 09:00 Evakuohen 14 familjet në Novoselë
Dalja nga shtrati e lumit Vjosë e ka bërë të detyrueshëm evakuimin e banorëve të zonës, shtëpitë e të cilëve u përmbytën nga prurjet e mëdha që vijnë nga Tepelena, Gjirokastra dhe Përmeti. Janë në total 14 familje të cilat janë evakuuar, ndërsa një familje me 3 anëtarë në fshatin Fitore u desh të nxirrej nga policia për shkak se refuzoi të linte banesën.

permbytje ne vlore
(Në foto: Fshati Feras, komuna Levan, Fier)‏

Ora 08:30 Korçë, stuhia dëmton rrjetin, dhjetëra komuna pa energji elektrike
Dhjetëra komuna në Korçë janë pa energji elektrike. Prej 12 orësh komunat Moglicë, Dardhas, Proptisht, Vithkuq, Lekas, Pojan, Voskopojë, Leskovik, Miras dhe një pjesë e qytetit të Bilishtit po vuajnë mungesën e energjisë elektrike. Sipas Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) stuhia e fortë dhe bora ka këputur telat duke shkaktuar shkëputje të energjisë. Dhjetëra punonjës janë në terren për riparimin e defekteve.

permbytja ne vlore
moti i keq ne vlore permbytjet


FIER – DEL LUMI ‘GJANICA’ NGA SHTRATI, PËRMBYTJE NË LAGJEN ‘1 MAJI’
 
Edhe në Fier janë përmbytur disa banesa dhe lokale e biznese në lagjen ‘1 Maji’ si pasojë e daljes nga shtrati të lumit ‘Gjanica’. Intensiteti i madh i reshjeve të shiut ka shkaktuar daljen nga shtrati të lumit duke rënduar situatën. Deri tani raportohet se nuk ka mungesë të energjisë elektrike në Fier.

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Meta nga burgu: Arsimi pa fonde shtesë, papërgjegjshmëri

Meta nga burgu: Arsimi pa fonde shtesë, papërgjegjshmëri