Dëmet e shkaktuara nga përmbytjet në rang vendi mund të arrijnë deri në 100 milionë euro. Kështu u shpreh Ilir Pilku, ekperti për bujqësinë në një intervistë për “Sot Live në Shqipëri” me gazetarin Nertil Agalliu, ku u fol për problematikat e shkaktuara gjatë këtyre ditëve të fundit në disa zona. Eksperti Enriko Ceko tha se Shqipëria është një ndër vendet më të ekspozuara nga përmbytjet në Evropë, si për shfaqe natyrore por edhe të shkaktuara nga njeriu.
“Shqipëria ka dyfishin e pjerrësisë së territorit në krahasim me Evropën. Nëse pjerrësia e Evropës është 7-8%, Shqipëria është 14-16%, në disa zona edhe 20%. Edhe lartësia mbi nivelin e detit është sa dyfishi i Evropës. Evropa e ka mesatarisht lartësinë mbi nivelin e detit 350-400 metra, ndërsa Shqipëria deri në 750 metra. Kjo bën që reshjet të bien me forcë më të madhe dhe të krijojnë probleme në menaxhimin e ujërave por më përpara ujërat kanë qenë menaxhuar më mirë. Problemi tani është se ka urbanizim të pakontrolluar. Janë dëmtuar basenet ujësjellëse, janë hequr argjinaturat natyrore dhe është ndryshuar në disa raste shtrati i lumenjve”, u shpreh Ceko.
Eksperti Pilku, duke u ndalur më në detaje te dëmet, theksoi se dëme ka në grurë, perimet në sera, sidomos në zonën e Myzeqesë, por edhe në bagëti.
"Dëmi, besoj nga përllogaritjet që kam bërë mund të arrijë deri në 100 mln euro. Na ka zënë në momentin që gruri fillon mbjelljen, ka 3-4 javë që është mbjellur. Kemi 46 mijë hektarë me grurë që kryesisht mund të them se 40% është në zonën e Myzeqesë, Beratit, Elbasanit, Fierit dhe rreth 15 hektarë në Dibër. Pra, me kalkulime, është rreth 60% nën ujë. Aktiviteti tjetër që për mua ka vlerë të konsiderueshme janë perimet e serave. Jemi në sezonin e lakrës, brokolit, spinaqit e prasit. Flasim për një sipërfaqe rreth 6 mijë hektarë me perime në fushë të hapur, që mendoj se jemi në momentin më kritik sepse janë produkte të cilat kërkohen nga tregu i huaj, pra eksporte. Kemi dëme në sera, përllogariten rreth 700-800 hetkarë në sera që nuk mund të vilen më se janë të kontaminuara nga ndotja e ujit që ka ndërhyrë në fusha dhe sera. Kemi bagëti. Dënim në blektori e kemi më të ulët dëmin në numër krerësh, por më shumë e kemi në bazë ushqimore. Fermerit do t’u duhet të shpenzojë më shumë për plehërimin e tokës se filtrimi i ujit ka marrë lëndet ushqyese të tokës, do të kërkojë tre fishin e plehërimit.", shtoi Pilku.
Ceko u shpreh kritik më tej me politikat e ndjekura. AI theksoi se hidrovoret, shumica e të cilëve janë ndërtuar në vitet 1960-1980, janë të vjetra dhe me kapacitete të ulëta, si dhe nuk kanë investime. Si problematikë tjetër, ai përmend ndërhyrjet në basenet e lumenjve për shkak të marrjes pa kriter të inerteve. Edhe pastrimi i kanaleve, thekson ai, duhet të bëhet të paktën dy herë në vit, gjë që sipas tij një llogjikë e tillë nuk është ndjekur.
Më pas ata komentuan edhe projektbuxhetin për vitin 2026, që për kullimin, zjarret dhe pyjet parashikohet që të alokohen 40 mln lekë. Ceko thotë se në total për një vit do të duhen të paktën 120 milionë euro, ndërsa Pilku u shpreh kritik edhe ndaj bashkive, teksa tha se asnjëra prej tyre nuk ka një plan të mirëfilltë menaxhimi.
”Ne trashëguam nga 1944, 77% e territorit ishte pyje, në regjimin komunist 50% ishte pyje, ndërsa tani kemi rreth 15 % të territoret me pyje. I kemi shkatërruar. A del 50 milionëshi? Nuk del. Del nëse nuk ka korrupsion. Tamam tamam Shqipërisë i duhen 100-120 mln euro në vit për të gjitha llojet e problematikave që kemi me ujërat për bujqësinë. Për kanalet ujitëse e kulluese diku te 45 mln euro. Në total për përmbytjet duhen 120 mln euro për të gjitha gjërat e tjera. Cdo vit jo njëherë në 10 vjet.”, u shpreh Ceko.
"Une flas për investim në bordin e kullimit dhe ujitjes, shikoj që nuk është zbatuar kërkesa në planin kombëtarr të veprimit. Së dyti, planet rajonale dhe lokale. Asnjë bashki nuk ka një plan të mirëfillët të rasteve të emergjencës. Janë planet nga identifikimet e emergjencës. Ke të gjitha mënyrat e sistemet që të marrësh masa paraprake. Shiu i këtij viti ka qenë i paralajmëruar 10-12 ditë përpara. Sa masa morëm? Shtabi i emergjencave civile nuk mund të bëjë më shumë nëse nuk ka buxhet të caktuar. Këto s'i kemi bërë, prandaj jemi në fryrjen e liqeneve dhe lumenjve dhe kemi këtë probleme. Edhe projektet hidro që kemi miratuar s'i kemi studiuar në kuptimin se si mund të menaxhohen në raste emergjence kur mbushen me ujë. Hapja e një porte të një hidrocentrali sado i vogël të jetë bën namin në bujqësi", theksoi Pilku.
Komente












