Reshjet e dendura dhe moti i keq kanë shkaktuar përmbytje të mëdha në disa lagje të Durrësit, duke futur ujin në shumë shtëpi dhe duke lënë banorët pa energji elektrike.

Situata është problematike në lagjen 14, ku dhjetëra banesa janë përmbytur që prej orëve të para të mëngjesit. Një nga të prekurit nga përmbytjet, Gëzim Sulejmani, tregoi përmes një interviste për Report TV pamje nga shtëpia e tij e  përmbytur.

Sulejmani tha se banorët nuk kanë marrë asnjë ndihmë nga institucionet shtetërore.

‘Ka 20 shtëpi të përmbytura në këtë lagje, Jemi që në mëngjes kështu, askush nuk ka ardhur. Banorët po përpiqen vetë të nxjerrin ujin nga banesat’ tha ai për Report TV.

Probleme të ngjashme raportohen edhe në lagjen 17, në zonën e Ish-Kënetës. Një banore e kësaj zone ndau gjithashtu pamje nga banesa e saj e përmbytur, duke thënë se asnjë përfaqësues i shtetit nuk ka ardhur në zonë për të vlerësuar situatën.

Ajo shpjegoi se shumica e banesave në lagje janë rrethuar nga kanale ujore, çka ka përkeqësuar gjendjen.

“Në lagjen tonë, pjesa më e madhe e banesave ndodhen nën ujë sepse shumica e banesave rrethohen nga kanale ujore. Askush nuk është paraqitur. Kemi telefonuar në mëngjes” tha ajo duke shtuar se banorët po përpiqen vetë të nxjerrin ujin nga shtëpitë.

U.D/I.M/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 7 Janar, 22:17

    Si po e menaxhon qeveria situatën e përmbytjeve?