FIER - Zonat e përmbytura tashmë duket se janë drejt normalitetit, pas problematikave të shfaqura ditët e fundit si pasojë e reshjeve. Krahas ndihmave në ushqime, qeveria shqiptare ka filluar të zëvendësojë edhe dëmin në bagëti apo në prodhim, siç e kishte paralajmëruar Kryeministri Edi Rama, duke i dhënë zbatim tashmë fazës së tretë të planit për rimëkëmbjen e zonave të përmbytura.

Kryeministri Edi Rama u rikthye sot, në fermën Resulaj në komunën Ferras të Fierit e cila humbi 400 krerë bagëtish të mbytura si pasojë e përmbytjes së një jave më parë.

Kryeministri, bashkë me Ministrin e Bujqësisë dhe Prefektin e Fierit, ishin në familjen e Nebi Resulajt, të cilit iu dorëzuan mbi 400 krerëve dele, për zëvendësimin e të gjithë krerëve të humbur.

​Kryeministri theksoi se kjo është jo vetëm një përmbushje e angazhimit të marrë publikisht ndaj kësaj familjeje, por edhe një detyrim i qeverisë ndaj njerëzve të punës.
 
“Jam shumë i kënaqur sot, t’i shikoj i buzëqeshur prapë, djemtë dhe babain që atë ditë nuk e takuam dot se ishte në spital nga mbistresi emocional. Nga ana tjetër erdhëm këtu, sot, edhe për një arsye, jo thjesht për të zëvendësuar të gjithë krerët, një nga një, siç i kemi premtuar publikisht, siç i jam zotuar kësaj familjeje, siç do t’i marrin të gjitha familjet që kanë humbur, një më një, çdo krerë të humbur, por edhe për ta përçuar këtë shembull fantastik të kësaj familjeje, të kësaj familjeje të thjeshtë, të kësaj familjeje që gjithçka e ka ndërtuar vetë, të këtyre djemve që nuk rrinë në kafene, shajnë e mallkojnë errësirën, por kanë ndezur, siç thotë nënë Tereza, qiriun e tyre dhe kanë ndriçuar atë copë hapësirë ku është jeta e tyre. Këta djem janë një shembull i shkëlqyer për të gjithë djemtë që janë në hapësirën rurale, që jo vetëm kush kërkon të jetojë me punë të ndershme, kush kërkon të jetojë me tokën, me bujqësinë, me blegtorinë e ka një mundësi, por më shumë se kaq, mund të nxjerrë fitime që nuk nxirren as me një rrogë shteti, nuk nxirren as duke punuar si skllav në emigracion. I jam mirënjohës këtyre djemve dhe të gjithë atyre si këta, që janë për mua dhe për ne, shembull frymëzimi, inkurajimi dhe mbi të gjitha janë burim detyrimi. Ky është një detyrim i yni ndaj këtyre njerëzve. Nga ana tjetër, kjo është dita për të thënë që të gjithë ta kuptojnë se sa e rëndësishme është ajo votë, se ajo votë mund t’i ndryshojë gjërat për mirë apo për keq, se me atë votë  ti mund të vendosësh se çfarë drejtimi merr vendi yt dhe se kë ke në krye të vendit tënd, apo se kë ke në krye të punëve që janë punët e mëdha të përfaqësimit,”  u shpreh Kryeministri.

— Edi Rama (@ediramaal) February 13, 2015  
Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)