Kryeministri Edi Rama iu përgjigj akuzave të opozitës për situiatën e përmbytjeve, duke thënë se hidrovorët kanë qenë në punë pa pushim. Rama tha se para nisjes së sezonit me reshje, drejtoritë e ujësjellësit dhe kullimit, kanë siguruar gatishmërinë e kanaleve kryesore, të kullimit, hidrovorët, kanalet ujërave të larta. Rama se prej vitesh kemi proces mirëmbajte të infrastrukturës së kullimit dhe vetëm vjet janë investuar 25 mln euro.

“Aleatët politik të shiut që shohin tek çdo tërbim të natyrës forcën që do të kompensojë impotencën e tyre kundër qeverisë, kanë llomotitur shumë për gjendjen e hidrovoreve të cilët kanë qenë në funksion të plotë pa pushim duke evaduar sasira të konsiderueshme të ujit dhe duke parandaluar kështu pasoja shumë herë më të rënda nga reshjet e këtyre ditëve.

Deri tani shkarkimet nga hidrocentrali i Vaut të Dejës kanë qenë të kontrolluara dhe niveli i lumit Buna nuk ka arritur nivelin kritik tek kapërderdhësi i Shirgjit duke shmangur në këtë mënyrë shkarkimin e lumit Buna në Shirgj dhe tek përmbytjet masive të zonës së nën Shkodrës, si në kohërat kur qeverisnin aleatët e shiut dhe ajo zonë përmbytej rregullisht edhe pa nevojën e reshjeve të mëdha të kësaj natyre.

Shkodra ka qenë praktikisht qarku më i prekur nga reshjet me vlera shumë të larta në disa stacione ku janë regjistruar shifra konstante mbi 200 milimetra në 24 orë. Duhet të informoj në këtë rast se përpara fillimit të sezonit me reshje drejtoritë e ujitjes dhe të kullimit kanë siguruar gatishmërinë e plotë të kanaleve kryesore kulluese, të kanaleve të ujërave të larta, hidrovorëve dhe patjetër të flotës prej 29 ekskavatorësh në drejtorinë qendrore.

Gjithashtu është bërë inspektimi i sigurisë së argjinaturave të lumenjve dhe të digave të rezervuarve e gjithë kjo infrastrukturë ka funksionuar dhe përballuar sasinë e reshjeve sipas niveleve të sigurisë së projektuar përtej të cilave siç është rasti i reshjeve krejt anormale i këtyre ditëve, dalja e ujit nga rrjedhja natyrale dhe për pasoje përmbytja për pika e zona më vulnerabël për arsye krejt objektive është e pashmangshme në cilindo vend jo të Shqipërisë, por të planetit.

Duhet të informojmë po ashtu se prej vitesh tanimë ne kemi një proces mirëmbajtje të infrastrukturës së kullimit ku përveç remontit të plotë 7 hidrovoreve gjatë sezonit të verës largohen çdo vit rreth 2.5 milionë metër kub llumra dhe mbetje nga kanalet kryesore kullues në një gjatësi rreth 300 kilometër.

Vetëm vitin e shkuar kemi investuar vetëm për këtë infrastrukturë të kullimit afro 25 milionë euro, ndërkohë që këtë vit vetëm nga bashkitë do të investohen 11 milionë euro apo 8 % më shumë se në vitin e shkuar.

Po për të dhënë një ide të plotë të transformimit të bërë në këtë drejtim duhet të informojmë se investimet prej afrosh 250 milion eurosh në dekadën e fundit kanë rindërtuar 536 kanale ujitëse dhe kullimi që ishin faktikisht thuajse të stërpërgjysmuara në efikasitetin e tyre, kanë përforcuar masivisht argjinaturat që binin nga të katërta anët në furtunën më të parë, kanë futur në punë 12 hidrovorë që kishin reshtur së punuari prej vitesh, kanë rritur sigurinë e 44 digave më të kërcënuara, kanë shtuar ndjeshëm kapacitetet e flotës së ekskavatorëve edhe në nivelin vendor", tha Rama. 


Lajmi kryesor:

Moti i keq/ 13 mijë ha e 1587 banesa nën ujë, Rama: Dëmshpërblim, hidrovorët të gjithë në punë! Malaj: Fondi për situatën 50 mln euro