TIRANË- Edhe uji me koncesion? Kjo është pikëpyetja e ngritur pas hedhjes për konsultim publik të një projektligji të hartuar nga Ministria e Infrastrukturës, për përmirësimin e rrjetit të ujësjellës-kanalizime.

Në relacionin shoqërues të projektligjit “Për Sektorin e Furnizimit me Ujë dhe Largimin, Grumbullimin e Trajtimin e Ujërave të Ndotura Urbane”  thuhet se qëllimi i tij është të ngrihet një kuadër ligjor që siguron krijimin e kushteve të përshtatshme për ofrimin e shërbimit të furnizimit me ujë të pijshëm, të grumbullimit, largimit dhe trajtimit të ujërave të ndotura në të gjithë vendin.

Ndërkohë përmirësimi i furnizimit me uji të pijshëm si dhe grumbullimin e largimin e ujërave të ndotura, mund të bëhet nëpërmjet një koncesioni të partneritetit publik privat.

Në nenin 25 të projektligjit “Për Sektorin e Furnizimit me Ujë dhe Largimin, Grumbullimin e Trajtimin e Ujërave të Ndotura Urbane” thuhet se dhëna me koncesion e këtyre shërbimeve apo me një marrëveshje të Partneritetit Publik privat do të bëhet sipas ligjin për koncesionet dhe partneritetin publik-privat dhe aktet nënligjore që përcaktojnë kërkesat dhe procedurat përkatëse. Kontrata koncesionare mund të nënshkruhet pas kryerjes së studimit të fizibilitetit i cili kryhet nga njësia e vetëqeverisjes vendore përkatëse dhe miratohet paraprakisht nga ministria përgjegjëse për infrastrukturën dhe nga ERRU-ja brenda 1 muaji nga paraqitja e tij.

Po ashtu argumentet e listuara si arsye që çuan në ndërmarrjen e kësaj nisme ligjore është rritja e performancës së këtij sektori si dhe rritjen e cilësisë së shërbimeve ndaj konsumatoreve nga shoqëritë Ujësjellës-Kanalizime, pasi prej dekadash vuan nga problemet financiare dhe cilësia jo e kënaqshme e shërbimeve të ofruara për konsumatorët. Ky vit ishte një nga më problematikët sa i takon furnizimit me uji të pijshëm, pasi në shumë qytete të vendit ka pasur mungesë disa javore të ujit të pijshëm.