Me përmirësimin e kushteve të motit, edhe në Lezhë duket më e qetë situata e shkaktuar nga reshjet e ditëve të fundit. Janë 880 ha tokë bujqësore të përmbytura, 80 ha në njësinë administrative Dajc, Blinisht dhe 800 ha në fshatin Torovicë.
Nuk ka më shtëpi të përmbytura, por ka prezencë uji në oborret e 4 banesave në fshatin Kakarriq.
Rruga që lidh fshatin Blinisht-Superstradë (Lezhë-Shkodër) është bërë e kalueshme plotësisht. Rruga që lidh fshatin Malecaj me Torovicën të kësaj njësie është e kalueshme me vështirësi.
Hidrovoret po punojnë me kapacitet të plotë dhe pandërprerje. Konkretisht Droje, Shllinza, Tale, Ishull Shëngjin, Grykë Zezë, Gocaj nivelet e ujit janë nën kuota kritike dhe hidrovori Balldre rreth -1.2 m.
Lumi Drin është në kuotën +0.8 m nga +2.0 m kuote kritike, pra kemi rënje me 20 cm që nga raportimet e mbrëmëshme. Lumi Gjadër ka rënë pak a shumë në kuota normale, duke ju larguar pikës kritike.