'Grushti i shtetit' në Venezuelë/ SHBA të gatshme të ndërhyjnë ushtarakisht, BE bën thirrje për vetëpërmbajtje

Në Venezuelë, udhëheqësi i opozitës dhe njëkohësisht president i përkohshëm i vetëshpallur, Juan Guaido nxiti popullin venezuelian të dalë në protesta në përpjekje për ta larguar nga pushteti Presidentin Nicolas Maduro. Kundërpërgjigja nga Maduro ishte e menjëhereshme! Tanket dhe automjetet e blinduara janë parë duke hyrë mes turmave, ndërkohë që një pjesë e ushtrisë duket se mbështet Presidentin Nicolás Maduro ndërsa pjesa tjetër kreun e opozitës, Juan Guaidó. "Besnikët" e Maduro me makina luftarake autoblinda dolën në rrugë duke "marrë me vete" dhjetëra protestues. Më shumë se 100 të plagosur, por fatmirësisht asnjë viktimë nuk është regjistruar nga përplasjet e së martës.

Guaidó është njohur si udhëheqës i përkohshëm i Venezuelës nga më shumë se 50 vende, përfshirë Shqipërinë, SHBA, Mbretërinë e Bashkuar dhe më në Amerikën Latine. Por Maduro, mbështetur nga Rusia, Kina dhe kryeqyteti i ushtrisë së vendit, ka refuzuar të heqë dorë nga posti i presidentit.

Pse situata politike është përshkallëzuar?
Pasi Maduro u betua në janar për një mandat të dytë, Asambleja Kombëtare argumentoi se zgjedhjet e majit 2018 nuk ishin të drejta dhe prandaj presidenca është e zbrazët. Guaido tha se në raste të tilla, kushtetuta i jep kryetarit të Asamblesë Kombëtare të drejtën për të marrë përsipër ushtrimin e funksionit të presidentit.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 17:33
Pompeo: SHBA, të gatshme të ndërhyjnë ushtarakisht për të frenuar trazirat në Venezuelë

Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo tha të mërkurën se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të ndërhyjnë ushtarakisht për të frenuar trazirat e tanishme në Venezuelë.

"Një veprim ushtarak është i mundur", tha diplomati më i lartë i SHBA për rrjetin televiziv Fox Business. "Nëse kjo do të kërkohet, Shtetet e Bashkuara do ta bëjnë," tha ai.

Megjithatë, ai përsëriti se SHBA do të preferonin një kalim paqësor të pushtetit në Karakas, nga presidenti socialist Nikolas Maduro tek presidenti i përkohshëm i vetëshpallur, Juan Guaido, kryetar i Asamblesë Kombëtare i njohur nga Shtetet e Bashkuara dhe rreth 50 vende të tjera si udhëheqës legjitim i vendit.

Këshilltari amerikan i Sigurisë Kombëtare, John Bolton, tha ndërkaq për rrjetet CNN dhe Fox News se zoti Pompeo do të fliste të mërkurën me ministrin e jashtëm rus Sergei Lavrov rreth mbështetjes së Moskës për Maduron në vështirësi.

Zoti Pompeo u tha intervistuesve se Maduro, përballë protestave të rrugës kundër regjimit të tij, ishte gati të largohej nga Venezuela për në Kubë të martën, por Rusia e bindi të qëndronte për të kundërshtuar thirrjen e zotit Guaido drejtuar ushtrisë për të përmbysur Maduron.

Vetë Maduro dhe ministria e jashtme ruse mohuan zërat për largimin e Maduros. Moska tha se kërkesa e SHBA ishte pjesë e "luftës së saj informative” për të demoralizuar ushtrinë venezueliane dhe për të nxitur një grusht shteti.

Zoti Guaido bëri thirrje për protesta masive në rrugë më 1 maj kundër qeverisë së Maduro, që sipas tij do të ishin “më të mëdhatë në historinë e Venezuelës". Të martën, protestuesit që hidhnin shishe me benzinë, u përleshën me trupat qeveritare, ndërkohë që autoritetet përdorën municion të vërtetë, makinat e ujit dhe plumba gome kundër demonstruesve, duke vrarë një person dhe plagosur dhjetëra.

Pamjet televizive tregonin një automjet të Gardës Kombëtare të Venezuelës që shkelte mbi demonstruesit të cilët gjuanin me gurë kundër ushtarëve. Qeveria tha se një nga ushtarët e saj u godit nga një plumb.

Të mërkurën në mëngjes, në rrugë mund të shihje tymin e gazit lotsjellës, ndërsa policia e armatosur mirë mbante në duar mburoja për t’u përballur me protestuesit që hidhnin gurë në drejtim të saj.

Maduro tha se do të fliste në një tubim për 1 majin, duke pretenduar se përpjekja për grusht shteti e Guaido-së ishte mposhtur.

Ai përgëzoi forcat e armatosura që "mposhtën këtë grup të vogël i cili kishte për qëllim përhapjen e dhunës përmes betejave puçiste nëpër rrugë".

"Kjo nuk do të mbetet pa u ndëshkuar," tha Maduro në një transmetim televiziv.

Ai tha se demonstruesit do të ndiqen penalisht "për krimet e rënda që janë kryer kundër kushtetutës, sundimit të ligjit dhe të drejtës për paqe".

Mijëra demonstrues janë bashkuar me protestat në rrugë pasi Guaido i mbështetur nga SHBA bëri thirrje që ushtria të refuzonte sundimin e Maduro-s dhe të kalonte në anën e tij në një fushatë që ai e quajti "Operacioni Liria". Guaido u shfaq të martën së bashku me politikanin e opozitës Leopoldo Lopez, i cili ishte vënë nën arrest shtëpiak nga Maduro, por tha se ishte "i liruar" nga ushtarët që mbështesin zotin Guaido.

Në një zhvillim tjetër, Administrata Federale e Aviacionit e SHBA lëshoi një urdhër të martën vonë, ku ndalonte të gjitha linjat ajrore amerikane të fluturonin në hapësirën ajrore të Venezuelës nën 7,000 metra deri në një njoftim të mëtejshëm, duke cituar si arsye "rritjen e paqëndrueshmërisë politike dhe të tensioneve".

Ajo urdhëroi gjithashtu të gjithë operatorët ajrorë në Venezuelë, duke përfshirë avionët privatë, të largoheshin nga vendi brenda 48 orëve./VOA/

Ora 16:31
BE bën thirrje për vetëpërmbajtje në Venezuelë

Kriza në Venezuelë duhet të zgjidhet në mënyrë paqësore, ka thënë e ngarkuara e BE për Politikën e Jashtme, Federica Mogherini. Nicolas Maduro është shprehur, se disa ushtarë kanë rebeluar, por kryengritja ka dështuar.

Presidenti i vetëemëruar i Venezuelës, Juan Guaido kishtë bërë thirrje për "Operacionin liria" të martën (30.04), për rrëzimin e qeverisë së presidentit në detyrë, Nicolas Maduro. "Sot e kanë ndjekur thirrjen tonë, ushtarë të guximshëm, patriotë të guximshëm, njerëz të guximshëm që e mbështesin kushtetutën tonë", tha ai në një video të shpërndarë në mediat sociale.

Ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas, SPD, që ndodhet aktualisht në një tur në Amerikën Latine, deklaroi, se qeveria gjermane e mbështet si edhe më parë Guaido. "Por ajo që nuk duam ne është që të flasin armët. Ne kemi nevojë për një zgjidhje politike, jo zgjidhje ushtarake", shkroi Maas në Tëitter. Ndërkohë edhe presidenti i Brazilit, Bolsonaro u shpreh se e mbështet "kthesën demokratike" në Venezuelë.

Qeveria amerikane ndërkohë ka bërë të ditur, se ka pasur informacione, në bazë të të cilave, Nicolas Maduro po përgatitej për t'u larguar nga vendi. Por Rusia e ka bindur që të qëndrojë në vend, ka thënë Sekretari i Departamentit të Shtetit, Mike Pompeo për CNN. "Ka kaluar shumë kohë që është parë Maduro. Ai ka pasur një avion gati në pistë. Siç e kuptojmë ne, ai ishte i gatshëm të largohej sot në mëngjes." Vetëm pak më vonë, Maduro u shfaq në televizionin venezuelan, ndoshta si reagim pas fjalëve të Pompeos. Ai e deklaroi kryengritjen e disa ushtarëve si të dështuar. "Falënderoj udhëheqjen e ushtrisë për guximin në mbrojtjen e paqes", tha Maduro./DW/

Ora 11:33
Përpjekjet për grusht shteti, përleshje mes policisë dhe protestuesve në Venezuelë (FOTO)

Këto foto vijnë nga Venezuela ku mëse 100 persona janë plagosur nga përleshjet e ndodhura mes policisë dhe protestuesve opozitarë që janë kundër presidentit Maduro.

Ora 11:19
Pse Venezuela ka dy njerëz që pretendojnë të jenë president?

Udhëheqësi i legjislaturës së Venezuelës, Juan Guaido, e shpalli veten president më 23 janar, një sfidë e drejtpërdrejtë për fuqinë e presidentit Nicolas Maduro, i cili vetëm dy javë më parë kishte bërë betimin për një mandat të dytë.

Kush është Maduro?
Maduro, një socialist, ka qenë president i Venezuelës që kur u zgjodh për herë të parë në vitin 2013 pas vdekjes së mentorit dhe paraardhësit të tij, Hugo Chavez. Maduro fitoi zgjedhjet e para me një diferencë të vogël dhe u rizgjodh me zgjedhje të diskutueshme në maj 2018, ku shumica e kandidatëve të opozitës u penguan të konkurronin ose bojkotuan garën.

Kush është Juan Guaido?
Guaido ishte një politikan relativisht i panjohur para se të zgjidhej nga ligjvënësit këtë muaj si kandidat kompromisi për të udhëhequr Asamblenë Kombëtare të mbajtur nga opozita. 35-vjeçari u zgjodh në Asamblenë Kombëtare më 2011 dhe ka qenë aktiv në protestat e rrugës kundër qeverisë së Maduros./VOA

Ora 11:13
Guaido: Protesta deri në rrëzimin e qeverisë! Maduro: Përpjekjet për grusht shteti të dështuara

Një ditë pas përpjekjeve për grusht shteti në Venezuelë, dy palët pretendojnë se kanë fituar. Presidenti Maduro është shprehur se Guaido ka dështuar që të kthejë kundër tij ushtrinë. Nga ana tjetër, Guaidó këmbëngul se Maduro ka humbur kontrollin e forcave të armatosura. Udhëheqësi i opozitës u bëri thirrje mbështetësve të tij që protestat të vijonin edhe ditën e sotme, deri në rrëzimin e Maduros.

B.K.//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Berisha me gratë demokrate të LDG: Kjo është qeveria e Luciferit, shqiptarët kanë marrë arratinë! Ministret e Ramës pa forcë morale

Berisha me gratë demokrate të LDG: Kjo është qeveria e Luciferit, shqiptarët kanë marrë arratinë! Ministret e Ramës pa forcë morale