Me ndihmën e një burimi shumë të informuar mbi rrugët ndërkombëtare të trafikut të drogës, i cili ka kërkuar anonimat, po u përgjigjemi disa pyetjeve kryesore.

1. A është vërtet Venezuela një narco-shtet?

Zyra e Kombeve të Bashkuara kundër Drogës dhe Krimit (UNODC), Europol dhe Interpol nuk e konsiderojnë Venezuelën një narco-shtet. Më saktë flitet për një “narco-shtet funksional”. Sipas përkufizimit të OKB-së, një narco-shtet është një vend ku qeveria kontrollon, lehtëson dhe përfiton në mënyrë sistematike nga trafiku i drogës.

Venezuela, para së gjithash, nuk është vend prodhues i kokainës si Kolumbia, Peruja dhe Bolivia. Nuk ekzistojnë prova zyrtare që shteti vetë e menaxhon drejtpërdrejt trafikun e drogës. Megjithatë, ka elementë të fortë të infiltrimit të narkotrafikut në institucionet shtetërore, ndaj përdoret termi “narco-shtet funksional”.

Gjatë 15 viteve të fundit, disa hetime të DEA-s (Agjencia Amerikane Kundër Drogës) dhe Departamentit të Drejtësisë të SHBA-së kanë dokumentuar një depërtim të fortë të trafikut të drogës në forcat e armatosura dhe në politikën venezueliane. I ashtuquajturi Karteli i Diellëve (Cartel de los Soles), i krijuar në vitet 2000, do të kishte përfshirë oficerë të lartë të ushtrisë, të akuzuar për mbrojtjen e rrjedhave të kokainës kolumbiane drejt Europës dhe zonës Karaibike, në bashkëpunim me kartelet kolumbiane dhe meksikane, përmes porteve Maracaibo, Carapano dhe La Guaira, ku kontrolli doganor është minimal.

2. A është Maduro i përfshirë?

Në një situatë kolapsi ekonomik si ajo që po përjeton Venezuela – edhe për shkak të sanksioneve ndërkombëtare – regjimi i Maduro-s toleron trafikun jo vetëm të drogës, por edhe të arit, karburantit dhe të tjera aktivitete të paligjshme, si burime alternative likuiditeti. Shteti, në fakt, e përdor ekonominë e narkotikëve për të mbijetuar, por nuk identifikohet plotësisht me të, ndryshe nga rasti i Panamasë në kohën e gjeneralit Noriega.

3. Cila është rruga kryesore e drogës drejt SHBA-së?

Sipas një raporti të DEA-s të vitit 2020, rreth 74% e kokainës në vitin 2019 ka kaluar përmes Oqeanit Paqësor dhe jo përmes Detit të Karaibeve. Kartelët meksikanë mbeten menaxherët e gjithë zinxhirit logjistik të trafikut të drogës drejt SHBA-së.

Roli i Venezuelës është dytësor, si vend tranziti dhe nisjeje. Është një “territor i dobishëm” sepse nga aty nisen anije dhe avionë të vegjël që transportojnë kokainë kolumbiane drejt Floridës. Pra, është një “platformë lëshimi”, por e dorës së dytë krahasuar me rrjedhat kryesore.

4. Po rrugët drejt Europës?

Ekuadori, në veçanti porti i Guayaquil, është sot qendra kryesore e eksportit të kokainës drejt Europës, përmes Atlantikut. Droga transportohet në kontejnerë tregtarë që mbajnë mallra të ligjshme si banane, kakao apo karkaleca.

Edhe në këtë rast, Venezuela luan një rol mbështetës logjistik, me nisje drejt Afrikës Perëndimore, prej nga më pas dërgohet në Spanjë, Portugali dhe Itali. Edhe porti i Montevideo (Uruguai) është përfshirë në këtë lloj trafiku.

5. A vjen Fentanyl nga Venezuela?

Jo. Meksika është laborator i substancave psikoaktive si Fentanyl. Venezuela nuk ka asnjë lidhje me këtë tregti.

6. A është Karteli i Diellëve një organizatë kriminale?

Jo në kuptimin klasik. Karteli i Diellëve nuk është i krahasueshëm me kartelet meksikane apo kolumbiane. Në realitet, bëhet fjalë për një rrjet informal të përbërë nga oficerë ushtarakë, funksionarë të sigurisë dhe ndërmjetës civilë venezuelianë, të cilët mbrojnë dhe lehtësojnë trafikun e kokainës në këmbim të parave dhe mbështetjes politike.

Është një rrjet korrupsioni dhe bashkëpunimi kriminal: nuk kontrollon prodhimin apo trafikun e kokainës, por siguron kalimin, logjistikën dhe pandëshkueshmërinë e kriminelëve përmes porteve kryesore të Venezuelës.

7. Po Tren de Aragua?

Lindur në vitin 2012 si bandë brenda burgut Tocoron në Venezuelë, me kalimin e viteve është shndërruar në një organizatë kriminale ndërkombëtare, që aktualisht po destabilizon disa vende të Amerikës Latine, përfshirë Kolumbinë, Perunë, Kilin, Ekuadorin, Uruguain, një pjesë të Brazilit, Bolivinë dhe Panamanë.

Ka të dhëna për mikrocelula aktive edhe në SHBA. Aktivitetet e saj përfshijnë trafik droge, trafik njerëzor (veçanërisht i migrantëve venezuelianë), prostitucion të detyruar dhe zhvatje./ Corriere della Sera