Policia e Lezhës ka arritur të identifikojë automjetin dhe shoferin që shkaktoi aksidentin që të shtunën i mori jetën një 81 vjeçari në aksin “Fushë Milot–Skuraj”.
Autori i dyshuar është një 58-vjeçar me inicialet A.M, banues në Kurbin i cili u vetëdorëzua pasi u identifikua nga policia.
Gjatë ndërhyrjes së policisë u sekuestrua edhe automjeti tip Volksëagen, me të cilin 58-vjeçari përplasi për vdekje të moshuarin.
Ndaj tij rëndojnë akuzat për “Shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor” me pasojë vdekjen dhe “Largim nga vendi i aksidentit”.
Materialet i kanë kaluar Prokurorisë së Lezhës për veprime të mëtejshme
Njoftimi i plotë i Policisë së Shtetit
Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë
"Shërbimet e Njësisë Rrugore të Autostradës “Milot–Morinë”, në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale të kryera me qëllim nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të autorit të aksidentit me pasojë vdekjen e shtetasit H. K., 81 vjeç, ndodhur më datë 18.04.2026, në aksin rrugor “Fushë Milot–Skuraj”, bënë të mundur identifikimin e automjetit që shkaktoi aksidentin. Po në kuadër të veprimeve ndaluan shtetasin A. M., 58 vjeç, banues në Kurbin, i cili ishte identifikuar si autor i rastit. Ky shtetas u vetëdorëzua pas identifikimit nga ana e policisë. Gjithashtu, u sekuestrua automjeti tip “Volksëagen”, me të cilin i ndaluari përplasi 81-vjeçarin. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Lezhës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, me pasojë vdekjen, dhe “Largimi nga vendi i aksidentit”.
Komente











