Një arsenal armësh dhe municionesh luftarake është zbuluar në një banesë në Lezhë, gjatë një operacioni të befasishëm të Policisë. Në pranga ka rënë një 62-vjeçar, i cili i mbante pa leje, ndërsa në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 1 armë zjarri automatike me 3 krehëra, 414 fishekë luftarakë, 6 granata difensive dhe 5 ndezëse detonatorësh të unifikuar.

Njoftimi i policisë

Goditet një tjetër rast i mbajtjes pa leje të armëve.

Sekuestrohen armë zjarri, qindra fishekë luftarakë, granata difensive dhe ndezëse detonatorësh të unifikuar.

Arrestohet në flagrancë një 62-vjeçar që i mbante pa leje.

Në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e rasteve të armëmbajtjes pa leje, bazuar edhe në informacionet e marra në rrugë operative se një shtetas dispononte armë dhe municion luftarak, shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Befasia”.

Gjatë operacionit, në banesën e shtetasit L. J., 62 vjeç, në fshatin Markatomaj, Lezhë, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, 1 armë zjarri automatike me 3 krehëra, 414 fishekë luftarakë, 6 granata difensive dhe 5 ndezëse detonatorësh të unifikuar.

Në vijim të veprimeve procedurale, 62-vjeçari u arrestua në flagrancë për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.

-------------------------------

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë