Një 29-vjeçar në Fier është arrestuar nga policia pasi ishte shpallur në kërkim, i dyshuar se më 26 shkurt, pas një konflikti për motive të dobëta, ka përplasur me automjetin e tij një 45-vjeçar dhe bashkëshorten e tij, 35-vjeçe.

Të dëmtuarit janë dërguar në spital për të marrë ndihmë mjekësore dhe më pas janë larguar për në shtëpi. Dyshohet se shkak për nisjen e konfliktit është bërë parkimi i automjetit përpara shtëpisë.

29-vjeçari Fogert Çuko është ndaluar dhe akuzohet për veprën penale “Vrasje” e mbetur në tentativë.

“DVP Fier/ Ekzekutohet nga Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda një urdhër ndalimi.

I shpallur në kërkim për veprën penale “Vrasje”, mbetur në tentativë, vihet në pranga një 29-vjeçar.

Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda të DVP Fier ekzekutuan urdhrin e ndalimit për shtetasin F. Ç., 29 vjeç, banues në Fier.

Ky shtetas, më datë 26.02.2026, dyshohet se, pas një konflikti për motive të dobëta, ka përplasur me qëllim, me automjetin e tij, shtetasin S. N., 45 vjeç, dhe bashkëshorten e tij, shtetasen E. N. (M)., 35 vjeçe. Të dëmtuarit morën ndihmë mjekësore në spital dhe më pas u larguan për në banesë.

Në vijim të veprimeve proceduriale u ndalua shtetasi F. Ç., 29 vjeç, banues në Fier, për veprën penale "Vrasje", mbetur në tentativë.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftimin e policisë.

-------------------------------

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë