Në familjen Kamberi në Tërnovën e Vogël në Bulqizë, ka mbërritur një rreze shprese. Pas publikimit të Report Tv, për gjendjen e trishtë ku çifti i të moshuarve Kumrije dhe Pëllumb jetojnë dhe rrisin e 4 nipat e mbesat e mitur e jetimë, fondacioni “Fundjavë Ndryshe” ka udhëtuar drejt fshatit Tërnovë për ta larguar familjen Kamberi nga mjerimi drejt një banese krejt të re.
Arbër Hajdari bëri të ditur se “Familjen e gjetëm në kushte shumë të vështira ekonomike, të izoluar nga gjithçka. Në atë banesë të vjetër, varfëria dukej sikur ishte bërë pjesë e jetës së tyre, një realitet i përditshëm që rëndonte mbi çdo ditë që kalonte.
Por dje arritëm të sjellim një rreze shprese. Në bashkëpunim me shoqatën “Dardanët e Londrës”, bëmë të mundur blerjen e një shtëpie të re në Bulqizë dhe i zhvendosëm menjëherë.
Mes dhimbjes së madhe, pati edhe lot gëzimi… sepse sot, dy fëmijët e mbetur jetimë kanë një mundësi për një jetë më të mirë. Do të jetojnë më afër shkollës, spitalit dhe një jete më dinjitoze.
Ndonjëherë, nuk mund të shërosh plagët… por mund të lehtësosh pak dhimbjen.
Zoti i shpërbleftë të gjithë bamirësit.
Gëzuar Bajramin të gjithëve”.
Siç Report Tv shkroi në apelin e bërë në shtator 2025, Pëllumbi dhe Kumrija kishin humbur dy djemtë e tyre, një plagë që nuk u mbyll kurrë për ta. Në shtëpinë e vjetër e të rrënuar ashtu si dhe sot, me çiftin e moshuar jeton nusja e djalit të vogël së bashku me dy fëmijët, ndërsa nusja tjetër me dy të vegjlit e saj, është larguar në banesën e prindërve.
Vuajtjet nisën që nga aksidenti i kryefamiljarit Pëllumb Kamberi, i cili u bë i paaftë për të punuar. Kjo ngjarje u pasua nga vdekja e djalit të madh 38 vjeç e ndërsa rreth 1 vit më parë, ndërroi jetë dhe djali i vogël 36 vjeç. Familja mbahej vetëm me pensionin që merr Pëllumbi nga paaftësia për të punuar, para të cilat nuk mjaftojnë as për ushqim.
Komente










