SHKODËR- Dy të rinj janë arrestuar dhe 5 të mitur janë vënë nën hetim për përplasjen masive një ditë më parë para derës së shkollës së Gjuhëve të Huaja “Shejnaze Juka” në Shkodër. Policia ka arrestuar një 24-vjeçar Klevin Thepi dhe një 19-vjeçar Doronesto Kulla. Ndërsa 5 të miturit e vënë në hetim, 4 prej tyre janë 17 vjeç dhe njëri 16 vjeç.
Burime sqaruan për Report Tv se një prej 17-vjeçarëve që është vënë në hetim, është personi me xhup të kuq që dallohet në videon e sherrit, teksa qëllon me thikë dy kundërshtarët e mitur.
"Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër arrestuan shtetasit K. Th., 24 vjeç, dhe D. K., 19 vjeç, dhe filluan procedimin penal për pesë shtetas të mitur (4 prej tyre 17-vjeçarë dhe një 16-vjeçar). Këta shtetas, në rrugë, në lagjen “Kongresi i Përmetit”, për motive të dobëta, janë konfliktuar fizikisht me njëri-tjetrin dhe si pasojë, kanë pësuar dëmtime të lehta dy shtetas të mitur 17-vjeçarë", njoftoi Policia.

Foto nga momenti kur autori qëllon me thikë
Rrethanat e motivet e konflikt ende nuk janë sqaruar, por burime nga grupi hetimor i thanë Report Tv se shkak i përplasjes së dhunshme është bërë një sherr i nisur më herët mes një prej 17-vjeçarve të vendosur në hetim dhe një grupi tjetër të rinjsh. 14-vjeçari ka thirrur vëllanë 24-vjeçar, Kevin Thepi, për të “sqaruar” sherrin. Me mbërritjen e vëllait dhe shokëve të tij ka nisur përplasja e dhunshme rreth orës 11:10 të 12 dhjetorit në lagjen në lagjen “Kongresi i Përmetit” kur nxënësit duhet të ishin në mësim.
Report Tv solli edhe pamjet e kamerave të sigurisë ku fillimisht dallohen tre nxënës që vijnë nga rrugica dhe drejtohen për te porta e shkollës. Nga pas i ndjekin një grup djemsh, dhe aty për aty përleshen e godasin njëri-tjetrin me grushte e sende të forta. Dy të plagosurit janë vëllezër dhe mësojnë në shkollën “Shejnaze Juka”. Ata ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Ky është konflikti i dytë i rëndë që shënohet në një kohë të shkurtër. Më 25 nëntor, në ish-kënetë të Durrësit u përfshinë në konflikt disa minorenë dhe pas 9 ditësh ndërroi jetë në spital, 15-vjecari Erion Boba. Autori është arrestuar, ndërsa policia tha se të rinjtë u konfliktuan pas debate që kishin në TIK TIK. Kjo platformë është ndaluar nga qeveria pas vrasjes së 14-vjecarit Martin Cani në shkollën Fan Noli para një vit, por adoleshentët vazhdojnë ta përdorin në mënyrë ilegale.
Komente











