Një ditë pas zbulimit të letrës që Adriatik Llalla i kishte drejtuar Kongresit amerikan, ku thuhej se Donald Lu i ka kërkuar arrestimin e Ilir Metës, ambasadori i SHBA në Tiranë ka shkuar në zyrën e kreut të shtetit këtë të enjte.
Sipas presidencës fokusi i bisedës mes Lu dhe Metës ka qenë te marrëdhëniet dypalëshe si dhe ecuria e Reformës në Drejtësi. Interesit të mediave lidhur me takimin e sotëm mes Presidenti Meta dhe Ambasadorit Lu, Drejtori i Kabinetit të Presidentit Arben Cici u shpreh:
Presidenti i Republikës, Ilir Meta priti sot në një takim Ambasadorin e SHBA-së në Shqipëri Donald LU me të cilin diskutuan mbi marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve tona dhe mbi çështjet aktuale të sigurisë rajonale dhe ndërkombëtare.
Në kuadër të integrimit evropian të Shqipërisë, çështjes së rëndësishme të hapjes së negociatave u nënvizua rëndësia e ecurisë dhe implementimit të reformës në drejtësi dhe u shkëmbyen mendime rreth situatës aktuale në vend. Fryma e përzemërt, miqësore dhe bashkëpunuese karakterizoi, ashtu si gjithmonë, këtë takim.Drejtori i Kabinetit të Presidentit, Arben Cici
Ky takim vjen pikërisht vetëm disa orë pasi mediat publikuan letrën e ish-kryeprokurorit ku denonconte ambasadorin amerikan për presione në ushtrimin e detyrës së tij si Kryeprokuror i Republikës dhe që për më tepër i kishte kërkuar të prangoste kryetarin e atëhershëm të Kuvendit dhe të LSI-së.
"Për më tepër, në një mënyrë jo-diplomatike dhe kundër çdo norme të garantuar nga Konventa e Vjenës, ambasadori Lu i sugjeroi Prokurorit të Përgjithshëm se duhet të arrestonte Kryetarin e Parlamentit dhe gjithashtu kryetarin e Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta", thuhet në letrën e Llallës.
Nga ana e tij ambasadori Lu reagoi duket hedhur poshtë akuzat e Adriatik Llallës. "Ish-Prokurori i Përgjithshëm Llalla është një zyrtar publik i korruptuar dhe diskredituar, i cili është nën hetim aktiv për pastrim parash dhe pasuri masive të pashpjeguara. Nuk është për t’u habitur që vazhdon të flasë kundër reformës në drejtësi sepse tani rrezikon të shkojë në burg për korrupsionin e tij".
Ambasadori Donal Lu sot pas takimit me Metën
Adriatik Llalla, po hetohet nga Prokuroria e Durrësit për fshehje pasurie, pastrim parash etj, ndërsa pak javë më parë u shpall non grata nga SHBA për shkak të akuzave si i korruptuar.