Dy personazhe të bërë të njohur vetëm nga pjesëmarrja në reality show në Shqipëri dhe Kosovë, janë përfshirë në një përplasje të dhunshme, të nxitur vetëm nga disa postime në rrjetet sociale.
Fillimisht, Eduard Kuçi, një 26-vjeçar nga Kosova, pjesëmarrës në një reality show atje, ofendoi në një video online, Jofezin Markun, 30-vjeçarin që gjithashtu u njoh vetëm se mori pjesë në të njëjtin spektakël, por në Tiranë.
“Po i vjen koha dhe atij, ka për të ardhur në Kosovë”, tha ai.
Video e Eduard Kuçit ka sjellë më tej një skenë të paprecedentë.
Jozefin Marku nuk ka pritur të shkojë në Kosovë për tu përballur me të, por bashkë me një grup personash të tjerë, i kanë bërë pritë Eduard Kuçit në Shqipëri.
Duke përdorur fenelina si të policisë dhe një tabelë të uniformave blu, grupi i 30-vjeçarit nga Laçi e kanë ndaluar të riun nga Kosova në afërsi të mbikalimit të Rinasit, teksa ky i fundit udhëtonte me një makinë luksoze McLaren.
Menjëherë kanë nisur ta dhunojnë, e si për të fituar krenarinë e humbur, Jozefin Marku, i njohur për publikun si Jozi, i ka kërkuar llogari pse e ka sharë, teksa të tjerët e dhunonin.
Nën frikën e dhunës nga grupi përballë që e godet me shkelma e grushte, e Jozefin Marku që e qëllon me shpulla, Eduard Kuçi, i gjunjëzuar i kërkon falje.
Jozi: Për çfarë shan, për çfarë përfshihesh kot? Pse më ke sharë?
Edi: Të kam kërkuar falje.
Jozi: Mua me më sha, të q*** r***...
Edi: Jo, jo, të kam kërkuar falje.
Jozi: Ulu në gjunjë, kërko falje. Mos e zgjat më.
Edi ulet në gjunjë: Më fal
Video, e filmuar nga vetë grupi i Jozefin Markut, përfundoi online duke u shpërndarë masivisht, si për të treguar forcën se e mundën një personazh të njohur që i kishte ofenduar online.
Megjithatë, gëzimin ia ndali policia. Shërbimet e komisariatit numër 6 në Tiranë, e ndaluan 30-vjeçarin Jozefin Marku. Blutë ngritën një sërë akuzash ndaj tij për 5 vepra penale: ‘Heqje e paligjshme e lirisë’, ‘plagosje e lehtë me dashje’, ‘kanosje’, ‘mbajtje pa të drejtë e uniformës’ dhe ‘ndërhyrje e padrejtë në jetën private’
I ndaluar përfundoi edhe shoferi i makinës Land Rover, ku Marku udhëtonte, Kristian Nikolli 31 vjeç. Ai akuzohet për të njëjtat vepra penale si miku i tij, shtuar këtu edhe municion pa leje. Nga kontrolli që policia i bëri në banesë i gjeti 31-vjeçarit sasi municioni, ndërsa makina Land Rover, iu sekuestrua.
"Në lidhje me një video të publikuar në rrjete sociale, në të cilën shfaqet një konflikt ndërmjet disa shtetasve, sqarojmë se: Nga verifikimet e kryera rezultoi se pamjet ishin filmuar në afërsi të mbikalimit të Rinasit. Për dokumentimin e plotë të rrethanave të rastit dhe identifikimin e personave të përfshirë, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, kanë kryer veprime hetimore në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë.
Si rezultat i veprimeve të kryera nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, u ndaluan shtetasit J. M., 30 vjeç, për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Plagosja e lehtë me dashje”, “Kanosja”, “Mbajtja pa të drejtë e uniformës” dhe “Ndërhyrja e padrejtë në jetën private”, si dhe K. N., 31 vjeç, i cili dyshohet se ka qenë drejtues i automjetit tip “Land Rover”, për veprat penale “Përkrahja e autorit të krimit”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, bombave ose minave dhe i municionit”, “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Plagosja e lehtë me dashje”, “Kanosja”, “Mbajtja pa të drejtë e uniformës” dhe “Ndërhyrja në jetën private”. Ndërkohë, u shpallën në kërkim shtetasit A. H., 48 vjeç dhe K. V., 27 vjeç. Gjatë kontrollit të banesës së shtetasit K. N., u gjetën dhe u sekuestruan një sasi municioni, si dhe automjeti tip “Land Rover”, i dyshuar se është përdorur në ngjarje. Këta shtetas dyshohet se, në bashkëpunim edhe me shtetas të tjerë, ende të paidentifikuar, kanë dhunuar shtetasin E. K., 26 vjeç, me pretendimin se ky i fundit kishte fyer një prej tyre", njofton Policia.
Dy të tjerë nga grup i tyre u shpallën në kërkim, 48 dhe 27 vjeç. Për policinë disa persona të tjerë të përfshirë në dhunimin e Eduard Kuçit, ende nuk janë identifikuar.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë







Komente
Komento