Është lënë i lirë Rois Babasi, djali i ish-deputetit të PD  Ndriçim Babasi, që mbeti i plagosur me thikë nga Gazmir Bushaj, bodigardi i F.H. Vendimi për lënien e tij të lirë është marrë pas përfundimit të afatit 10 ditë “arrest në burg” të caktuar nga gjykata e Tiranës.

Pavarësisht kësaj mase, mësohet se Rois Babasi, nuk është mbajtur  në burg, por ka qëndruar i shtruar në kushte spitalore pasi ishte plagosur lehtë në ngjarjen e datës 16 korrik në ndodhur në ish-Bllok. Tashmë në kërkim policor për këtë ngjarje është Even Babasi, djali tjetër i Ndriçim Babasit, që qëlloi me armë Gazmir Bushaj, duke e plagosur në këmbë.

Për policinë dhe prokurorinë e Tiranës nuk ka asnjë dyshim se personi, që ka hapur zjarr me një pistoletë tip “Bereta” duke qëlluar me një plumb të vetëm në këmbë, Gazmir Bushaj, është Even Babasi, djali tjetër i ish-deputetit të PD.

Ndaj Even Babasit, prokuroria e Tiranës ka ngritur dyshimet për akuzën e “Mbajtjes pa lejë të armëve” dhe “Plagosjes së rëndë me dashje”. Ndërkohë nga dita kur ka ndodhur ngjarja e deri tani, Even Babasi, nuk është mundur të lokalizohet dhe arrestohet nga policia.

Duke ju referuar pamjeve filmike të sekuestruara nga kamerat e lokalit ku ndodhi përplasja, rezulton se Even Babasi rreth orës 00:30 të datës 16 korrik 2020, qëlloi me armë zjarri në drejtim të bodigardit të djalit të biznesmenit të njohur F. H. Gazmir Bushaj, duke e lënë të plagosur në këmbë. Goditja me armë ka ardhur menjëherë sapo Bushaj, ka bërë përpjekjen e dytë për të goditur me thikë, vëllain e Evenit, Rois Babasin.

Ndërkohë i proceduar për “Plagosje të lehtë me dashje” në dëm të Rois Babasit, është ish-polici dhe tashmë bodigardi Gazmir Bushaj. Sipas raportit të prokurorisë në këtë përplasje të ndodhur në ish-Bllok, janë përfshirë djemtë e oligarkëve, si djali i I. H., F. H. dhe bodigardi i tij, Gazmir Bushaj, dy djemtë e deputetit të PSD. T. D, J. dhe M. D., djemtë e ish-deputetit të PD, Ndriçim Babasit, Even dhe Rois Babasi, si dhe Ervis Bajraktari dhe Ritvan Toskaj.

Foto nga vendngjarja