Prej 3 ditësh ‘Mabco’ e Behgjet Pacollit dhe nënkontraktorët e tij, protestojnë para aeroportit, pasi kompania koncesionare qe tashme administrohet nga Valon Ademi i ka ndërprerë konktratën për punimet në terminal.    

Në ditën e tretë të protestës, nënkontraktorët e kompanisë ‘Mabco’ vijuan qëndrimin përpara kantierit të Aeroportit të Vlorës, duke kërkuar rikthimin në punë.

Përfaqësuesi i kompanisë, Selim Pacolli, deklaroi se ka bërë padi në gjykatën e Vlorës por njëherësh kërkon ndërhyrje dhe nga Ministria e Infrastrukturës.

“Terminali, shtëpia e zjarrfikëseve, policia, kulla e vrojtimit janë të përfunduara. Sot ne do duhet të bënim dorezimin teknik por po pengohemi bashkë me nënkontraktorët tanë”, thotë Selim Pacolli.

Pacolli deklaroi se kompania Mabco ka investuar deri tani rreth 90 milionë euro dhe do t’i mbrojë investimet në arbitrazh.

“Ne do ta çojmë në arbitrazh, lekët do i paguajë shteti shqiptar se kemi hedhur 90 mln euro deri tani. Por fatkeqësisht lekët i paguan populli, jo individi që bën skandalet”, tha Pacolli. “Janë mbi 310 milionë euro të investuara dhe të angazhuara në formë garancish. Vetëm Valon Ademi, si punëkryes, ka marrë mbi 35 milionë euro nga garancioni i MABCO-s”.

Në statusin e tij, qartazi akuzon shtetin se po mbështet ortakun tjetër.

“Aeroportin — le ta marrin! Unë nuk dua të luftoj me shtetin. Shteti e ka fuqinë e vet dhe mund ta përdorë si të dojë. Por mënyra se si po përdoret kjo fuqi është joligjore dhe e papranueshme për një vend që pretendon të jetë shtet ligjor”.

Nga ana tjetër, Vlora International Airport deklaron se kompania e Pacollit u përjashtua nga projekti i aeroportit për shkak se nuk ka mbyllur në kohë punimet e terminalit, duke shkaktuar një dëm financiar prej mbi 4.6 milionë eurosh.

Postimi i VIA

Përplasja ndërmjet Behgjet Pacollit dhe Valon Ademit ka nisur në vjeshtën e 2025 për administrimin e VIA-s. Palët kishin firmosur një kontratë noteriale, sipas së cilës pjesa e “2A Group” do të rritej nga 2 në 49 për qind, por kjo kontratë nuk u regjistrua në QKB. “2A Group” iu drejtua gjykatës, e cila fillimisht bllokoi veprimtarinë e “Mabco” në asamble.

Një tjetër pikë është kontrata e kredisë prej 100 milionë eurosh që “Mabco” ka marrë nga fondi “Delphos”. Për këtë arsye, Ademi hapi një tjetër proces gjyqësor, duke kërkuar pezullimin e çdo veprimtarie të ortakut, Pacolli. Gjykata e Apelit i njohu “2A Group” të drejtën e administrimit, me argumentin se vendimi parandalon tjetërsimin e aksioneve.

Përveç përplasjes civile, Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet për biznesmenin Behgjet Pacolli me të vëllanë Emin Pacolli, si dhe Nelson Çelën, administrator i kompanisë mëmë në Zvicër Mabco Construction S.A., për mashtrim me pasoja të rënda, mashtrim kompjuterik, si dhe falsifikim të dokumenteve dhe akteve.

Paralelisht SPAK po heton anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave për procedurat e dhënies me koncesion të aeroportit të Vlorës.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:37
Përplasja për Aeroportin e Vlorës/ Pacolli i përgjigjet VIA: Valon Ademi po bllokon punën me mbështetjen e instancave shtetërore, përfunduam 99% të punimeve

Akuzave të VIA se kompania Mabco po pengon punimet në aeroport, përfaqësuesit e kompanisë së Behgjet Pacollit iu përgjigjën nga Tirana përmes një konference për shtyp, nga e cila deklaruan se i kanë përfunduar të gjitha detyrimet kontraktuale. Ornela Çuçi, përfaqësuese e kompanisë Mabco tha se kërkojnë që aeroporti i Vlorës të përfundojë në mënyrë të ligjshme, duke akuzuar ortakun Valon Ademi se po bllokon punën me mbështetjen e instancave shtetërore.

“Aeroporti i Vlorës është një investim strategjik kombëtar dhe rajonal dhe, në këtë kuadër, nuk është më thjesht një konflikt mes dy bizneseve. Është çështje e sigurisë juridike të investimeve strategjike dhe një çështje e funksionimit të shtetit ligjor në Shqipëri. Aeroporti nuk është një objekt i zakonshëm ndërtimi, por një projekt strategjik për turizmin dhe një çështje imazhi sa i përket investimeve të huaja. Çdo bllokim, çdo pengesë administrative ose çdo hezitim institucional, apo pengim nga ana e institucioneve, nuk prek vetëm kompaninë Mabco, por edhe besimin tek shteti shqiptar.

Mabco nuk është këtu për të ndaluar Aeroportin e Vlorës. Mabco kërkon që aeroporti të përfundojë në mënyrë të ligjshme, të certifikuar dhe, mbi të gjitha, në mënyrë të sigurt. Duke parë që ky investim është drejt përfundimit, A2 Group, e mbështetur edhe nga instanca shtetërore, po pengon punën për dorëzimin e kësaj vepre qytetarëve shqiptarë. Mabco është pronare e 98% të kuotave të Vlora International Airport. Mabco ka investuar 92 milionë euro në projekt”, tha Çuçi.

Drejtori i kantierit, Klodian Sava, deklaroi se kompania ka përfunduar 99% të punimeve që i takojnë sipas kontratës, por problematikat me furnizimin me energji elektrike, internetin dhe sistemet teknologjike po pengojnë testimin dhe vënien në funksion të aeroportit.

“Kemi përfunduar 99% të punimeve që rrjedhin nga kontrata. Godinat pothuajse janë drejt përfundimit. Deri sot që po flasim ndërtimet që kanë qenë detyrim jonë janë realizuar me gjeneratorë sepse s’kemi pas furnizim me energji elektrike, ne nuk po flasim për kosto, sepse Mabco i ka marrë përsipër kostot. Të gjitha sistemet, elektrike, server, kondicinomi, nuk mund të testohen nëse s’kemi lidhje me energji elektrike. Nuk kemi edhe lidhjen me internetin, flasim për një objekt të sigurisë së lartë. Nuk është Mabco penguese, Mabco i ka përfunduar proceset dhe detyrimet e saj kontraktuale. Është VIA që po vijon me këto pengesa. Nuk jemi me vonesë apo pengues në hapjen e aeroportit, por është VIA që duhet të marrë seriozisht problematikave dhe tu japë drejtim çështjeve që lidhen me infrastrukturën dhe me sigurimin e sistemeve softwereve, pajisje aeroportuale jo vetëm për ti blerë, por për ti vënë në funksion. Aeroporti nuk është vetëm godina, por një tërësi objektesh dhe sistemesh”, tha ai.

Çuçi u bëri thirrje institucioneve shtetërore që të mos qëndrojnë në heshtje.

“Ne nuk kërkojmë konflikt, as të debatojmë, ne kërkojmë ti dorëzojmë qytetarëve një vepër me rëndësi ndërkombëtare dhe vepër të sigurt me rëndësi ndërkombëtare, sepse nuk është vepër si këto rrugët që na bien sa herë bie shiu, por është një vepër që do të rezistojë shumë gjatë Shqipërisë. Ndërkohë, ne do të donim të specifikon. Kërkojmë nga institucionet të mos qëndrojnë në heshtje, po flasim për shtatin shqiptar në të gjitha hallkat, autoritet kontraktor, ministria e infrastrukturës, njësia e zbatimit të projektit, Albcontrol, por mbi të gjitha organet e drejtësisë do duhet ta drejtojnë këtë jo si një grindje e thjeshtë mes dy partnerëve, por si një çështje të sigurisë juridike, sigurisë publike dhe të besueshmërisë të shtetit ligjor në Shqipëri”, vijoi ajo.