Një festë Halloween-i në Bushwick të Brooklyn-it, në New York është kthyer në një skenë paniku dhe tmerri pasi një shofer 56-vjeçar, i cili dyshohet se ishte nën efektin e alkoolit, përplasi me makinë disa persona që po merrnin pjesë në një aktivitet për fëmijë pranë komisariatit të policisë.

Ngjarja ndodhi pranë Bleecker Avenue, ku komisariati i 83-të i policisë kishte organizuar aktivitetin festiv “Trunk-or-Treat”, gjatë të cilit shpërndaheshin ëmbëlsira për fëmijët me rastin e Halloween-it.

Sipas policisë së New York-ut 56-vjeçari Michael Marsh, banues në Brooklyn drejtonte një automjet të zi tip sedan dhe pasi hipi në trotuarin përgjatë Bleecker Avenue, përplasi tre të rritur dhe një fëmijë. Më pas, makina goditi edhe një ambulancë që ishte e parkuar përpara komisariatit.

Si pasojë e aksidentit gjashtë persona mbetën të plagosur, ndërsa katër prej tyre u transportuan në spital. Të gjithë personat e goditur nga automjeti morën ndihmë mjekësore dhe sipas autoriteteve plagët e tyre nuk ishin kërcënuese për jetën.

Policia bëri të ditur se shoferi ishte i dehur në momentin e aksidentit dhe ndaj tij janë ngritur disa akuza përfshirë drejtimin e automjetit në gjendje të dehur.

Dëshmitarët treguan se gjithçka ndodhi papritur duke shkaktuar panik mes familjeve dhe fëmijëve që ndodheshin në aktivitet. Njëri prej tyre rrëfeu se dëgjoi një zhurmë të fortë dhe pa ambulancën të shtyhej nga përplasja, ndërsa një grua përfundoi përtokë. Një tjetër dëshmitar tha se tre fëmijë dhe tre gra pësuan lëndime dhe u transportuan në spitalet e zonës. 

“Përplasja ishte shumë e fortë. Është gjithashtu traumatizuese që të gjithë këta fëmijë u detyruan të përjetonin diçka të tillë, veçanërisht fëmijët e mi”, u shpreh një dëshmitar.

Ambulanca e parkuar përpara komisariatit pësoi dëmtime në pjesën anësore, ndërsa aktiviteti festiv u shndërrua në një moment frike për familjet që kishin marrë pjesë për të festuar Halloween-in.

Ndërkohë autoritetet po vijojnë procedurat lidhur me ngjarjen, ndërsa shoferi përballet me disa akuza penale.