Përplasjet politike, si u bë Tuk
Jakova nr 2 i Partisë Komunistë

Përplasjet politike, si u bë Tuk<br />Jakova nr 2 i Partisë Komunistë
Si erdhi puna deri te ngritja e Tuk Jakovës në udhëheqje si zevendës i Koçi Xoxes ? A ishte rrjedhim logjik i qëndrimeve politike, apo një koniukturë e rastit? Në Plenumin II të Beratit, doli se të dërguarit jugosllavë dhe Enver Hoxha e kishin shmangur nga pjesëmarrja në udhëheqje, megjithatë ai në atë Plenum nuk ishte bërë pale në grupazhet kundër Enverit dhe bashkë me Bedri Spahiun mbanin një qëndrim inaktiv. Ky pozicion nuk ishte zgjidhja më e mirë e tij, por ishte qëndrimi më i mirë i imponuar, në ato kushte kur nuk kishin zgjidhje tjetër.

Koçi Xoxe, gjatë vizitës së tij në Moskë, në korrik të vitit 1946, i kishte dërguar një letër Drejtorisë së Politikës së Jashtme të KQ të PKBS (b), ku ndër të tjera trajton dhe problemin e unitetit në PKSH.

Ai informon për përjashtimin nga Partia të Sejfullah Maleshovës për tendenca opurtuniste dhe përmend këtu “gabimet” e Tuk Jakovës dhe të Bedri Spahiut. Xoxe shkruan: “Madje gjatë diskutimit të çështjes së tij, Bedri Spahiu, Ministër i Rimëkëmbjes së Ekonomisë dhe Tuk Jakova, Kryetar i Bashkimeve Profesionale të Shqipërisë, megjithëse i pranuan gabimet e veta, shfaqën shpirtvogëlsi dhe shprehën dëshirën e tyre për t’u larguar nga Byroja Politike. Largimin e tyre nga Byroja Politike ata e justifikuan me paaftësinë për t’ua dalë mbanë detyrave të ngarkuara. Qëndrimi i Bedri Spahiut dhe i Tuk Jakovës u dënua nga shumica e anëtarëve të Byrosë Politike”.

Në diskutimet e zhvilluara në Plenumin III për çështjen e Sejfullah Malëshovës kishin folur Kristo Themelko, Nesti Kerenxhi, Enver Hoxha, Dali Ndreu, Gogo Nushi, Beqir Balluku, të cilët ishin shprehur shkurt dhe prerë për përjashtimin e tij nga Komiteti Qendror dhe Byroja Politike.

Jakova dhe Spahiu e kishin kritikuar Malëshovën, por nuk kishin qenë dakort me masën ekstreme të marrë ndaj tij, që nuk mbante parasysh meritat që ai kishte.

Tuk Jakova kishte thënë në Plenum: “Për veten time, unë çështjen e Sejfullahut e shoh kështu: Çdo njeri që punon edhe gabon, por që gabon dhe e mbulon, më duket se Sejfullahu brenda vetes së tij e ka kuptuar. Sikur t’i bëjë një rishikim vetes së tij, do të jetë i mirë dhe i vlefshëm për Partinë. Ai të bëjë një kthesë në veten e tij, të heqë ato anët e këqija, prandaj të largohet nga Byroja e Komitetit Qendror për të mirën e tij dhe të Partisë”.

Në përgjigje të këtij qëndrimi Koçi Xoxe kishte theksuar: “Tuku tha se Sejfullahu ka qenë shok që ka bërë punë të mira. Kjo dihet. Ne e heqim për fajet e tij, për atë që e kish dhe e ka akoma”.

Bedri Spahiu e miratoi përjashtimin e Sejfullahut nga Komiteti Qendror, por kërkoi që “Partia t’i japë dorën. Ai duhet ta kuptojë se dalja nga Komiteti Qendror të mos jetë një ulje, por ta mobilizojë për të ndrequr gabimet”.  Përjashtimi i Sejfullahut kishte ndodhur pak më vonë, në Plenumin V, ku Tuku dhe Bedriu ishin kritikuar dhe sipas fjalëve të Koçit, “megjithëse i pranuan gabimet e veta, shfaqën shpirtvogëlsi dhe shprehën dëshirën e tyre për t’u larguar nga Byroja Politike. Largimin e tyre nga Byroja Politike ata e justifikonin me paaftësinë për t’ua dalë mbanë detyrave të ngarkuara.

Qëndrimi i Bedri Spahiut dhe i Tuk Jakovës u dënua nga shumica e anëtarëve të Byrosë Politike”. Në atë Plenum ishte vendosur hartimi i Programit dhe Statutit të Partisë. Në Komisionin e përgatitjes së Programit u caktua Byroja Politike. Në komisionin e Statutit do të ishin: Koçi Xoxe, Kristo Themelko, Manush Myftiu, Pandi Kristo, Liri Belishova, Naxhije Dume,Tuk Jakova, Nesti Kërenxhi, Kiço Ngjela.
 
Nga antijugosllavizmi i Nakos te antijugosllavizmi i Enverit 

Duke qenë nën një trusni të fortë nga brenda, Enver Hoxha e kishte shndërruar Shqipërinë në një satelit ekonomik të Jugosllavisë, duke e dënuar me varësi të përjetshme ndaj saj. Por, edhe pse Shqipëria kishte humbur shumë nga karakteristikat e një shteti sovran, aty nga viti 1947 Enver Hoxha u ndje më i fuqishëm për të bërë një farë rezistence. Tensioni me Jugosllavinë u rrit kur ai u ankua lidhur me velërsimin që u bëhej mallrave shqiptare, si dhe rreth metodës me anë të së cilës përllogariteshin investimet shqiptare me kompanitë me kapital të përbashkët.

Hoxha ishte i shqetësuar edhe nga fakti se këshilltarët dhe teknikët jugosllavë kishin gisht në akte sabotazhi ndaj ekonomisë shqiptare, të nxitur nga dëshira për t’i vënë në pozitë të vështirë zyrtarët shqiptarë dhe për t’i zëvendësuar aat me elementë më projugosllavë. Në takimin me Molotovin, me 15 korrik 1947, në prani të Koçi Xoxes, Enver Hoxha kishte shfaqur publikisht pakënaqësitë e para, se “jugosllavët nuk janë të interesuar për realizimin e marrëveshjeve të veta ekonomike. Sipas Enverit ”të krijohet përshtypja se të gjitha traktatet dhe marrëveshjet ekonomike shqiptaro- jugosllave janë përfunduar pa një studim mjaft të thellë të çështjeve etj.”

Ky informacion kishte kaluar përmes Koçi Xoxes te udhëheqja jugosllave dhe që atëherë për këtë udhëheqje, prapa veprimtarisë antijugollave të Nako Spirut qëndronte dhe Enver Hoxha. Vetëm një muaj më vonë, me 14-15 gusht të vitit 1947, vjen përgjigja jugosllave. Në një takim të zyrtarit të lartë sovjetik A.I.Llavrjentjev me Titon në Brdo, Tito kishte deklaruar se“ pas vizitës së delegacionit shqiptar në Moskë, disa udhëheqës shqiptarë nuk kanë mbajtur qëndrim të drejtë ndaj Jugosllavisë dhe nuk e vlerësojnë drejt politikën e saj miqësore. Disa thonë se Jugosllavia kërkon t’i fusë kthetrat qelepir në Shqipëri, se Jugosllavia premton shumë, por praktikisht nuk jep asgjë...Titoja shprehu pakënaqësinë e tij të veçantë ndaj Nako Spirut, i cili sipas tij bën një politikë të shkëputjes së Shqipërisë nga Jugosllavia. Vitin e kaluar, kur Nako Spiru ndodhej në Jugosllavi, ka shpifur për Enver Hoxhën, kurse tani mban lidhje të ngushta me të”.

Me qartësimin e veprimtarisë antishqipatre të udhëheqjes jugosllave, kemi një afrim të qëndrimeve të Enver Hoxhës me ato të Tuk Jakovës dhe Bedri Spahiut, megjithëse ata nuk ishin pjesë e mbështetësve të tij të sigurtë. Por Enver Hoxha vazhdonte të ishte i papërcaktuar qartë në qëndrimet e tij dhe ndonëse pranon “gabimet e jugosllavëve”, pohon se “ato ishin fryrë nga Nako Spiru”. Me 16 mars 1948, në prani të Koçi Xoxes, ai kishte pritur në zyrën e tij Ambasadorin sovjetik. D. S. Çuvahin dhe i kishte folur për situatën e brendshme politike në Shqipëri. Enver Hoxha nuk mund të mos shprehej siç tha ai, “për veprimtarinë e Nako Spirut, i cili me vite të tëra kishte bërë një politikë të hollë që kishte për qëllim gjoja largimin nga udhëheqja e Partisë të elementëve puntorë. Ai solli disa shembuj që dëshmonin për përpjekjet e Nako Spirus për të futur në sherr Enver Hoxhën me Koçi Xoxen, për t’i fryrë gabimet e jugosllavëve etj”. Ishte koha kur Hoxha po merrte inisiativën, por ende nuk mund t’i shpallte luftë të hapur Koçit, prandaj donte t’i krijonte idenë se “kishte besim ndaj tij, se Nako Spiru ishte përpjekur për t’i futur në sherr”. Ndërsa tre muaj më vonë, Hoxha i thotë Molotovit të kundërtën: “Xoxe më kishte future në sherr me Spirun”.

Pas letrës së PKBS, Enver Hoxha pozicioonohet përfundimisht si antijugosllav, duke bërë dhe njëfarë autokritike për qëndrimet e tij të mëparëshme. Me 24 qershor 1948 Enveri ishte takuar me Molotovin në Varshavë ku ndër të tjera kishte diskutuar për marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave. Sipas tij “letra e KQ PBS(b) e shpëtoi Shqipërinë nga një rrezik i madh si rezultat i veprimeve të drejtuesve të Jugosllavisë. Jugosllavët ja kishin arritur qëllimit të vet, në prag të çlirimit të Shqipërisë. Përbërja e KQ të PKSH ishte ujdisur në atë mënyrë, që të përputhej me qëllimet e jugosllavëve. Jugosllavët mundoheshin ta arrinin pikësynimin që KQ i KPSH të udhëhiqej vetëm nga direktivat e PKJ. Enver Hoxha thekson se nën ndikimin e presionit jugosllav ndodhi vetvrasja e Nako Spirus. Vetë Enveri e besoi kritikën e jugosllavëve. Të gjitha rrethanat, përfshirë edhe qëndrimin që mbajti Koçi Xoxe, sollën si pasojë qëndrimin armiqësor të Hoxhës ndaj Spirut. Vetvrasja e Spirut sikur e përligjte këtë veprim.
 
Situata politike në Shqipëri pas denoncimit sovjetik ndaj Titos
Kur u diskutua mbi letrën e Partisë të KQ të PKBS(b) për çështjen jugosllave dhe rezolutën e Byrosë Informative mbi gjendjen në PKJ në Plenumin XI të KQ të PKSH, Enver Hoxha në fillim nuk mendonte të ngrinte çështjen e lirimit të Koçi Xoxes nga detyra e sekretarit organizativ të KQ. Ai, shpresonte, që edhe në këtë rast gjithçka të sheshohej në frymën e kompromisit, deri sa pa se antarët e KQ kritikuan në mënyrë dërmuese të gjithë punën e Koçi Xoxes dhe vetdeklaruan me këmbëngulje se ai nuk duhet të vazhdonte të mbante edhe më tej postin e Sekretarit Organizativ...” Kjo tregon se Enveri mendonte se Koçi vazhdonte të kishte mbështetje të madhe në Parti, prandaj goditja e tij duhej bërë gradualisht. Pas vetëvrasjes së Nako Spirut udhëheqja e Partisë zhvilloi një sërë analizash në lidhje me zhvillimete brendëshme në Parti dhe shkaqet që çuan në vetëvrasjen e tij. Në mbledhjen e korrikut u bë vlerësimi i veprimtarisë së Enver Hoxhës, Koçi Xoxes e Nako Spirut dhe pas tyre edhe të Pandi Kristos. Në vlerësimin ndaj Enver Hoxhë u renditën kryesisht meritat e tij po nuk u lanë pa u vu në dukje edhe dobësitë.

Vlerësimi për Koçi Xoxen ka qenë më i komplikuar. Vendin kryesor e zuri kritika kundër veprimtarisë së tij dhe evidentimi i përgjegjësisë që mbante për zhvillimet negative në Plenumin II e Plenumin VIII të KQ. Por, duke qenë se kritika kundër tij ende nuk kishte marrë ato përmasa që do të merrte më vonë, u vunë në dukje edhe anët pozitive të figurës e të veprimtarisë së tij. Në analizën e korrikut u kritikua edhe Pandi Kristo i cili u quajt bashkëpunëtor i Koçi i Xoxes në organizimin e Plenumit II të KQ, megjithëse në atë kohë ai ende nuk ishte një figurë që mund të ndikonte në zhvillimin e ngjarjeve në Parti. Në këtë mbledhje Nako Spiru u konsiderua viktimë e veprimtarisë armiqësore të udhëheqjes jugosllave. Por vlerësimi për figurën e tij mbeti i dyzuar.

Vetëm në Plenumin XI të KQ të PKSH Nako Spiru u rehabilitua si viktimë e intrigave të udhëheqjes jugosllave, ndërkohë që ndodhën dhe ndryshime të tjera:Bedri Spahiu u kthye në Byronë Politike, Tuk Jakova u caktua Sekretar Organizativ i KQ, Mehmet Shehu e Liri Belishova u rikthyen si kandidatë të KQ. Koçi Xoxe u shkarkua si Sekretar Organizativ, por u la antar i Byrosë Politike, Pandi Kristo u përjashtua nga Byroja Politike dhe u la antar i KQ, Xhorxhi Blushi u shkarkua si kandidat i Byrosë Politike dhe u la antar i KQ, Kristo Themelkos iu dha vrejtje e rëndë me shënim në biografi, Pëllumb Dishnicës gjithashtu ju dha vrejtje e rëndë me shënim në biografi.

Në përputhje me këto masa ndëshkimore u bënë ndryshime edhe ne përbërjen e Qeverisë. Me 2 tetor 1948 Presidiumi i Kuvendit Popullor dekretoi shkarkimin e Koçi Xoxes nga detyra e Ministrit të Punëve të Brendshme dhe emërimin e tij Ministër i Industrisë; shkarkimin e Nesti Kerenxhit nga detyra e Ministrit pa Portofol dhe Presidentit të Komisionit të Planit dhe emrimin si Ministër i Punëve të Brendshme. 

Meqenëse Plenumin e Beratit Enver Hoxha e quante “prapaskenë” dhe një komplot ndaj tij, ai e vlerësoi faktin se Jakova dhe Spahiu nuk kishin qenë pjesë e asaj prapaske. Gjatë demaskimit të veprimtarisë së Koçi Xoxes, Enver Hoxha ishte shprehur se Koçi Xoxe ”ishte përpjekur të demoralizonte dhe t’i konsideronte oportunistë anëtarët e Byrosë që nuk kishin marrë pjesë në prapaskenën e Beratit, si Tuk Jakova, Bedri Spahiu, Hysni Kapo dhe ia kishte arritur qëllimit”.

Zgjedhja e Tuk Jakovës në vend të Koçi Xoxes shprehte fillimin e një qëndrimi të ri të PKSH, atë të demaskimit të ndërhyrjes së PKJ dhe të shtetit jugosllav në punët e brendëshme të Shqipërisë me qëllim kthimin e saj në një republikë të shtatë brenda Federatës Jugosllave. Tuk Jakova i duhej Enver Hoxhës, pasi ndër udhëheqësit e Byrosë Politike të atëhershme, bashkë me Bedri Spahiun nuk kishin shprehur mbështetje të madhe ndaj qëndrimeve të udhëheqjes jugosllave, nuk ishin bërë pjesë e projekteve jugosllave për nënshtrimin e Shqipërisë dhe kishin qëndruar të painteresuar ndaj luftës së brendëshme politike në PKSH, që me kalimin e kohës, nuk bëhej më pro dhe kundër qëndrimeve jugosllave, por se kush duhet ta drejtonte Partinë: Enver Hoxha, apo Koçi Xoxe. Nëse Tuku dhe Bedriu nuk qenë mbështetës entusiastë të Enver Hoxhës, ata kishin qenë kundërshtarë të Koçi Xoxes. Goditjen e radhës Enveri mendonte se do t’ia jepte Koçit nga poshtë, përmes analizave që do të bëheshin në kuadër të diskutimit të letrës së PKBS(b) dhe rezolutës së Byrosë Informative.
 
Riafirmimi i Tuk Jakovës si numri dy i Partisë

Gjatë muajit tetor u mbajtën aktivet e Partisë në rrethe për të punuar rezolucionin e Plenumit XI të KQ. Në aktive kritikat ndaj Koçi Xoxes dhe Pandi Kristos u thelluan, pesha e gabimeve dhe përgjegjësisë së tyre u rrit. Ky ndryshim në gjykimin e fajtorëve u shoqërua me ndryshime të tjera në përbërjen e qeverisë.  Me 30 tetor 1948, Presidiumi i Kuvendit Popullor dekretoi shkarkimin e Koçi Xoxes nga funksionet e Nënkryeministrit dhe Ministrit të Industrisë, Pandi Kristos nga funksionit i Ministrit pa Protofol dhe Krytar të Komisionit të Kontrollit të Shtetit, shkarkimi i Nesti Kerenxhit nga detyra e Ministrit të Punëve të Brendshme.

Gjatë zhvillimit të konferencave të Partisë nëpër rrethe u zgjodhën delegatët për në Kongresin I të Partisë. Përgatitja e Kongresit I të Partisë kishte rëndësi të madhe, ku peshën kryesore do ta mbanin Enver Hoxha dhe Tuk Jakova. Të gjithë shokët e udhëheqjes së lartë të Partisë ishin caktuar nëpër organizata. Enver Hoxha ishte i deleguar në 18 organizata, Tuk Jakova në 6 organizata dhe pastaj Bedri Spahiu, Hysni Kapo, Gogo Nushi në 3 organizata, Kristo Themelko në 2 organizata.

Me zgjedhjen si Sekretar Organizativ i Partisë, Tuk Jakova u angazhua për përgatitjen e punimeve të Kongresit I të Partisë. Ai u paraqit në Kongres si figura numër dy e regjimit, menjëherë pas Enver Hoxhës. Në Presidiumin e Kongresit prej 23 antarësh vjen menjëherë pas Enver Hoxhës.  Po kështu vjen menjëherë pas tij në Komisionin për Programin dhe Statutin e Partisë. Jakova kishte mbajtur fjalën e hapjes në Kongres dhe që aty kishte kritikuar ashpër udhëheqjen jugosllave dhe Koçi Xoxen. Në fjalën e tij kishte theksuar se “në peroidën e ndërtimit të vendit tonë, ne do të kishim mundur të bëjmë edhe më shumë, po të mos na kishte penguar politika antishqiptare, antisovjetike dhe antimarksiste e trockistëve jugosllavë me Titon në krye dhe përkrahësit e saj politikë, Koçi Xoxe, etj.”

Por, Jakova po aty vë në dukje rolin e Enver Hoxhës kundër trockistëve jugosllavë. “Në ballë të kësaj lufte të Komitetit Qendror të Partisë sonë, kurdoherë i papërkulur, luftëtar i vendosur për vijën e drejtë marksiste-leniniste të Partisë është dalluar udhëheqësi ynë në luftë dhe në paqe, shoku Enver Hoxha”. Ky qëndrim, që sigurisht nuk ishte i Jakovës personalisht, por i të gjithë ekipit të ri udhëheqës të Partisë pas Plenumit XI të Komitetit Qendror ishte një lëshim i madh që i bëhej Enver Hoxhës, i cili jo vetëm nuk ishte dalluar në luftë kundër synimeve jugosllave, por shpesh herë i kishte mbështetur titistët në synimet e tyre.

Enver Hoxha kishte mbajtur raportin “Mbi punën e Komitetit Qendror dhe detyrat e reja të Partisë”, ndërsa Tuk Jakova raportin “Mbi çështje organizative”. ku i bën një analizë jetës së Partisë që nga themelimi i saj. Raporti i Jakovës është një analizë e arritjeve pozitive dhe të metave në punën e partisë, për të cilat bën përgjegjës trockistët jugosllavë dhe grupin e Koçi Xoxes.

Në materialet e Kongresit të parë të përmbledhura në një libër, përfshihen dhe diskutimi i Mehmet Shehut “Sigurimi i Shtetit, armë besnike dhe e dashur e Partisë dhe e popullit tonë”; diskutimi i Bedri Spahiut “Mbi detyrat dhe të drejtat e antarit të Partisë”; diskutimi i Gogo Nushit “Mbi planin ekonomik të shtetit”.

Tuk Jakova kishte paraqitur edhe Projekt-Statutin e Partisë, i cili ishte miratuar.  Kongresi kishte zgjedhur organet drejtuese të Partisë; Sekretariatin: Enver Hoxha, Sekretar i Përgjithshëm i Partisë së Punës së Shqipërisë, Tuk Jakova, Sekretar i Partisë së Punës së Shqipërisë për Kuadrot, Mehmet Shehu, Sekretar i Partisë së Punës së Shqipërisë dhe Bedri Spahiu Sekretar i Partisë së Punës së Shqipërisë. Ishte zgjedhur dhe Byroja Politike prej nëntë antarësh që shënohen sipas radhës: Enver Hoxha, Tuk Jakova, Mehmet Shehu, Bedri Spahiu, Hysni Kapo, Gogo Nushi, Liri Belishova, Spiro Koleka dhe Beqir Balluku.

Komiteti Qendror kishte 21 antarë dhe 10 kandidatë dhe Komisioni i Revizionimit të Partisë 3 antarë. Në zgjedhje, 558 delegatë përfaqësonin 583 mandate. Për antarë të Komitetit Qendror të Partisë ishin futur në votim 41 vetë. Rezultatet e votimit për drejtuesit kryesorë të Partisë ishin: Enver Hoxha mori 577 vota, pa asnjë kundër dhe po aq Tuk Jakova, Mehmet Shehu dhe Bedri Spahiu morën nga 1 votë kundër, Hysni Kapo 2; Gogo Nushi 7 vota kundër, Nexhmie Hoxha
15, Beqir Balluku 58, Liri Belishova 75, Spiro Koleka 84, Ramiz Alia 262, Manush Myftiu 263,532 nga 583 vota gjithsej.

Në Kongresin e I të KQ, Koçi Xoxe dhe Pandi Kristo u përjashtuan nga Partia ndërsa me 28 nëntor 1948 Presidiumi i Kuvendit Popullor dekretoi heqjen e imunitetit të deputetit dhe ata u arrestuan, u gjykuan dhe u dënuan si armiq të popullit.  Ngritja në detyrat partiake u shoqërua dhe me ngritjen në detyrat shtetërore. Tuk Jakova u emërua Nënkryeministër; Mehmet Shehu u emërua Nënkryeministër dhe mbante funksionin e Ministrit të Punëve të Brendëshme.

Ngritje në detyrë kishte marrë edhe Gjeneral Major Bedri Spahiu, që ishte zgjedhur Nënkryetar i Presidiumit të Kuvendit Popullor.

Tuk Jakovës iu dha grada Gjeneral Major, ndërsa Mehmet Shehut i ishte dhënë më parë. Të dy morën titullin “Hero Kombëtar”, i cili më vonë u kthye në titullin “Hero i Popullit”, me të njëjtin motivacion: Presidiumi i Kuvendit Popullor, duke patur parasysh se Gjeneral Major Tuk Jakova dhe Gjeneral Major Mehmet Shehu janë udhëheqës të shquar të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe ndërtimit të Shqipërisë së re. Ata kanë treguar shembuj heroizmi dhe abnegacioni në luftë e në punë të vazhdueshme, duke i bërë një shërbim të mire popullit dhe Atdheut përballë ndërhyrjes armiqësore antishqiptare, antisovjetike, trockiste të grupit nacionalist dhe trockist të Titos, duke mbrojtur indipendencën e vendit dhe fitoret e popullit tonë. Aprovohet propozimi i Kryetarit të Qeverisë dhe vendoset që Gjeneral Major Tuk Jakova dhe Gjeneral Major Mehmet Shehu t’u akordohet në shenjë merite “Urdhëri i Heroit Kombëtar”.

dokumenta tuk jakova

dokumenta tuk jakova

tuk jakova

tuk jakova


Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Lirimi i Sali Berishës, Idajet Beqiri në ‘Frontline’: Thikë pas shpine për sistemin e drejtësisë, mund të prishë provat si në 21 janar! Kikia: Sulmon gjyqtarërt kur si pëlqejnë vendimet

Lirimi i Sali Berishës, Idajet Beqiri në ‘Frontline’: Thikë pas shpine për sistemin e drejtësisë, mund të prishë provat si në 21 janar! Kikia: Sulmon gjyqtarërt kur si pëlqejnë vendimet