Përqafimi

Përqafimi

S'ndjehej mirë. I ishte prishur qetsia. I merreshin mentë. I vinte bota rrotull. Iku te një pyll jashtë qytetit. U mbush me frymë. U lehtësua. Por jo plotësisht. Vajti te një zabel për të dëgjuar ca cicërima zogjsh. I dëgjoi. U kënaq. Mirpo oreksi për të tilla gjëra j'u shtua. Priti pranverën. Me të ardhur pranvera vajti te një kopësht të madh me gjithfar aromash. U çvesh. U zhyt i tëri në aromat e kopështit. Edhe atje u kënaq. Por nuk u qetësua.

Po atë pranverë, një ditë kur shiu sapo kishte pushuar, iku u përmbys mbi një truall të shkrifët që nxirrte një si avull ose si mjegull që rrinte pezull. Pasi u deh nga avulli dhe u mrekullua nga mjegulla e tokës pas shiut, ndjeu një boshllëk të thellë në gjoks. Kuptoi se për për tu ndjerë deridiku i qetë, mbushja e gjoksit me ajër të pastër, cicërrimat, aromat e pyllit, afshi i dherit pas shiut, janë kushte të nevojshme por jo të mjaftueshme.

Çfarë i mungonte për tu qetësuar ? Çfarë duhej të bënte për tu rehatuar ?

I vajti mendja te endorfina e jetës, mbretëresha e qetësisë dhe ëmbëlsisë, shëruesja e të gjitha sëmundjeve - puthja.

Duke u endur për të gjetur puthjen, takoi një hallo të thyer në moshë me të cilën kishte vite pa u parë. S'e zgjati. E puthi hallon në faqe. I pangopur, i pakënaqur, edhe më tepër i shqetësuar, iku duke e lënë hallon e vjetër të habitur me dorën në faqen ku e kishte puthur.

Puthja e pasusksesëshme me hallon e harruar i solli ndër ment kushuririn e largët dhe të egër të puthjes, kafshimin. Kafshoi një copë mish. Asnjë lehtësim.

Mos e mora me ngut, tha. Pa të provoj çupën e xhaxhait të kafshimit, lëpirjen. Lëpirja e një pjate me lëng mishi, i doli edhe më e paefektshme se kafshimi.

Pasi u mendua thellë, u bind se malli për kënaqësitë e vogla, për butësitë e natyrshme, ëmbëlsitë e thjeshta, ato pa të cilat përditshmëria bëhet skëterrë, nuk mund të ishin të plota pa prekjen.

Mirpo prekjet janë të shumllojshme. Cila prekje i mungonte ?

I vajti mendja te prekja e muskujve, masazhi. Bëri masazh te Doktori. Pastaj te kinezi. Prekja e tyre e pati një farë efekti qetsues. Por të dobët. Tepër larg prekjes së vërtetë, asaj që të shkakton mornica.

Cila është prekja që të shkakton mornica ?

Rrahja e vetes bam e bam me kopaçe në kurriz, j'u duk fyese për natyrën e tij të butë. U mendua për ndonjë rrugzgjidhje për qetsim që t'i kishte brenda të gjitha: Mbushjen e gjoksit me ajër të pastër, cicërrimat, aromat e pyllit, afshin i dherit pas shiut, puthjen, prekjen, kafshimin, masazhin, lëpirjen, rrahjen.

A ekziston një mënyrë e tillë ?

Po, ekziston.

Është Përqafimi. Përqafimi i vërtetë. Përqafimi me dëshirë, me qef, me afsh. Përqafimi që nuk harrohet kurrë. Përqafimi që bëhen në errësirë. Përqafimi që ndal kohën, zhduk gravitacionin, gris qiellin, err yjet. Prit e prit. Përqafimi s'vinte.

Meqënse përqafimi s'vjen te unë, tha, do vete unë te përqafimi. U nis ta gjente përqafimin e vërtetë.

S'la vënd pa e kërkuar. Kur pasi kishte humbur çdo shpresë se një ditë përqafimin do ta gjente dhe do ta përqafonte, një mbrëmje të ngrohtë gjatë një muzgu të magjishëm, përqafimi i doli para i përkulur në gjysëm errësirë. Nuk e zgjati. U mbush me frymë. Hapi krahët. Mbylli sytë. E përqafoi përqafimin me gjith shpirt. U kënaq pafund. Hapi sytë. Kishte përqafuar një shtyllë.

I.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Gili dhe Redoni tërhiqen nga gara, Egli në lot, ja si reaguan banorët e tjerë

Gili dhe Redoni tërhiqen nga gara, Egli në lot, ja si reaguan banorët e tjerë