Përse na duhet shteti dhe jo vetëm tregu

Përse na duhet shteti dhe jo vetëm tregu

Në një fragment tek 12 proverbat e ferrit William Blake thotë “Asnjë zog nuk mund të fluturojë shumë lart nëse mbështetet vetëm me krahët e vet”. Blake ishte poet, por në vargjet e tij, qartësisht parashtron parimin themelor të zhvillimit të një shoqërie – individët që punojnë së bashku mund të bëjnë shumë më tepër sesa individët që punojnë vetëm”.

Shpesh popuj si i yni, që përjetuan diktaturën e proletariatit, nevojën për të vepruar kolektivisht, e barazojnë me diktaturën. Kjo pikëpamje e publikut të painformuar, po përdoret gjerësisht nga disa ekonomistë të rritur si figura publike në oborret e interesave private. Individualizmi ose nocioni se më të suksesshmit ndër nesh janë të bërë vetë dhe si të tillë do të ishim edhe më të suksesshëm nëse qeveria nuk do të kishte ndërhyrë, është tërësisht një mit. Në kuptimin më të drejtpërdrejtë, askush nuk është bërë vetë. Procesi biologjik thjesht nuk e lejon këtë. Edhe gjenitë më të mëdhenj, të shekullit të 21-të e kanë të qartë se ajo që ato ofrojnë është ndërtuar mbi themelet që kanë lënë trashëgim paraardhësit. Ky eksperiment i thjeshtë mendimi duhet të nxisë përulësinë.

Në djepin e neoliberalizmit në Amerikë, Steve Jobs nuk do të mund të kishte krijuar iPhone-in nëse nuk do të kishte pasur në dispozicion një mori shpikjesh, të cilat bazoheshin shumë në hulumtimet e financuara publikisht gjatë gjysmës së dytë të shekullit të 20-të. Edhe Google kur zhvilloi motorin e kërkimit u mbështet pothuajse tërësisht nga fonde publike.

Që një shoqëri të funksionojë mirë, kërkon një ekuilibër midis veprimit individual dhe atij kolektiv. Në kohën e diktaturës e humbëm këtë ekuilibër, duke anuar, por mbi të gjitha duke keqpërdorur veprimet kolektive. Sot duket se po e humbasim këtë ekuilibër duke anuar në kahun e kundërt.

“Na duhet treg, nuk na duhet shtet”, kjo është diviza me të cilën fillon çdo narrativë neoliberale, duke vazhduar pastaj me citimet e teorive ekonomike që fillojnë që me Adam Smithin. Në ekonomi oponentin nuk mund ta dënosh për gabime, por së paku mund të përpiqesh të tregosh ku e ka gabim. Mosnjohja e rëndësisë së shtetit është një gabim që fillon me injorimin e karakteristikave të ekonomisë në shekullin e 21-të, e cila ndryshon shumë nga ekonomia e viteve kur neoklasikët shkruan dhe implementuan teoritë e tyre. Ekonomia e shekullit të 21-të është dukshëm e ndryshme nga ajo e shekullit të 20-të dhe shumë më e ndryshme nga ajo për të cilën shkroi Adam Smith. Ekonomia e sotme është ekonomia e inovacionit, e globalizimit dhe shumë më komplekse sesa ekonomia e viteve kur lulëzuan idetë neoliberale.

Ekonomia e shekullit të 21-të produkt kryesor ka njohuritë dhe inovacionin. Prodhimi i njohurive është i ndryshëm nga prodhimi i çelikut, domates, apo i një produkti tjetër të zakonshëm. Tregjet e lira të vetme nuk investojnë sa duhet në kërkim-zhvillim dhe inovacion, i cili është në ekonominë e sotme burimi i të gjithë përparimeve të tjera. Në 30 vjet ekonomi tregu, sektori privat shqiptar ka investuar në mënyrë të papërfillshme në kërkim-zhvillim. Kjo është arsyeja e parë përse na duhet një shtet i fortë (sidomos financiarisht) që qeveritë të marrin një rol qendror në financimin e kërkim-zhvillimit, pa të cilin asnjë sektor nuk mund të konkurrojë sot në tregje.

Së dyti, çështjet mjedisore sot lidhen ngushtësisht me ekonominë. Në ditët kur shkruante Adman Smith apo Freidrich Hayek, kishte shumë pak vëmendje ose aspak për brishtësinë mjedisore sot, ne kemi shkelur kufijtë e biosferës sonë. E pra tregjet edhe teoritë neoliberale nuk na e zgjidhin këtë. Biles ne jemi dëshmitarë sesi vendimmarrjet e lëna tërësisht në dorë të tregut i kanë bërë qytetet tona tërësisht të pajetueshme.

Së treti, sot jetojmë në epokën e një ekonomie të globalizuar, ku çfarë ndodh brenda një vendi shpesh varet nga ajo që ndodh jashtë kufijve të tij. Ne jemi bërë më të ndërvarur, më të ekspozuar ndaj rreziqeve globale, të cilat tejkalojnë aftësitë individuale për t’u përballuar dhe për t’u  menaxhuar. Pa një shtet të fortë aftësia e ekonomisë kombëtare për t’u përgjigjur dhe për t’u pozicionuar në tregje zvogëlohet.

Së katërti, në kohën e Adam Smith-it luhatjet ekonomike lidheshin vetëm me motin. Ndërsa sot, luhatja e bizneseve shkakton kosto të mëdha shoqërore. Kriza e vitit 2008 nuk ishte një akt i Zotit, por vepër e njeriut. Sistemet e de-rreguluara financiare, të cilat u ngritën për të lehtësuar punën e tregut dështuan. Kostot e këtij dështimi u përballuan nga shoqëria, e cila është akoma duke u përpjekur të rikuperojë  pasojat ekonomike dhe politike. Sisteme ekonomike kaq komplekse, ku ka kaq shumë marrëdhënie të ndërlidhura, ku secili pjesëmarrës në treg përpiqet të shtrydhë sa më shumë përfitime, janë sisteme ekonomike të brishta, që pa ndërhyrjen e shtetit ose më keq me një shtet “të kapur”, më shumë sesa konkurrencën, ushqejnë shfrytëzimin.

Në vitin 2011 Warren Buffet, i tha Komisionit të Hetimit të Krizave Financiare: “Vendimi i vetëm më i rëndësishëm në vlerësimin e një biznesi është fuqia për të vendosur çmimet. Nëse mund të rrisni çmimin pa humbur biznesin (pra nëse zotëroni monopolin), ju keni një biznes shumë të mirë. Nëse keni një biznes të mirë, mund të keni edhe një rrjet televiziv, me të cilin mund të ndikoni bindjet e publikut dhe nipi juaj edhe pse idiot mund ta drejtojë atë”.

Baffet edhe pse ironik, është elegant dhe i rafinuar kur përcakton dobësitë e konkurrencës si forca bazë e tregjeve të lira, të cilat vetërregullohen duke shpërblyer më të zotin. Por Peter Thiel, një nga sipërmarrësit më të mirë të Silicon Valley, e thotë edhe më troç akoma “konkurrenca është për humbësit”. Për fituesit është e kundërta  e saj mundësia për të shfrytëzuar, e cila arrihet nëpërmjet monopolit edhe ndikimit tek bindjet e publikut.

Eksperienca ka treguar qartazi që jo fare çuditërisht, lobet të cilat promovojnë idetë neoliberale si tregjet e lira të parregulluara, taksat e ulëta, dhe shtetin e vogël e të parëndësishëm, janë po të njëjtat lobe, të cilët ”kanë kapur qeveritë” (duke siguruar monopole) e që kanë kapur edhe mediat. Me anë të mediave dhe klerikëve të propagandës, ato ndikojnë bindjet publike që shteti na duhet i vogël, pasi është i dështuar dhe i kapur. I kapur po nga vet ata.

Në shekullin e 21-të diskutimi shtet i madh apo i vogël është vetëm një çorientim, një largim nga diskutimi apo çështja bazë si të ngremë një shtet efektiv, një shtet eficent të pakapur nga interesat e një grupi individësh. Na duhet shteti eficient (pa përcaktimet demode i vogël apo i madh) si siguruesi i parë edhe i vetëm i balancës midis veprimeve kolektive dhe atyre individuale. Ka ardhur koha që të refuzojmë një herë e mirë ushqimin e përditshëm helmues gënjeshtar të fabulës së dhelprës “që meqë nuk e arriti dot rrushin, tha është i papjekur. Nuk duhet më të pranojmë ideologjinë që, meqë nuk kemi qenë në gjendje të ndërtojmë qeveri të forta efektive të pakapshme nga interesa private, të heqim dorë nga përpjekja edhe objektivi për t’i pasur me çdo kusht ato.

I.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Protesta e Berishës, Faik Basha i PL-së e pranon: Nuk kishim shumë njerëz edhe prej motit! Haklaj: Mosbindja civile, teatër! PD bllokoi rrugët, vepër penale

Protesta e Berishës, Faik Basha i PL-së e pranon: Nuk kishim shumë njerëz edhe prej motit! Haklaj: Mosbindja civile, teatër! PD bllokoi rrugët, vepër penale