Rusia ndërmori një sulm masiv në Kiev gjatë orëve të natës. Kryetari i bashkisë së kryeqytetit, Vitali Klitschko, tha se disa ndërtesa u goditën nga raketat, përfshirë një spital për fëmijë. Si pasojë e sulmeve të paktën 16 persona vdiqën dhe 33-të tjerë mbetën të plagosur.
Disa qytete të Krimesë mbetën pa energji elektrike gjatë natës pas një serie shpërthimesh të raportuara në zonën e Sevastopolit dhe pranë termocentralit të Simferopolit, thanë forcat ukrainase.
Ndërkohë një dron hyri në hapësirën ajrore rumune gjatë natës dhe u rrëzua në një zonë të pabanuar pranë Grindut, gjatë ofensivës së re ajrore të Rusisë kundër Ukrainës.
Dy avionë luftarakë spanjollë dhe një helikopter i ushtrisë rumun qëndruan në monitorim gjatë gjithë natës.
Sulmi rus shkaktoi gjithashtu masa sigurie në Poloninë fqinje, e cila mobilizoi forcat e saj ajrore për të parandaluar çdo incident dhe për të mbrojtur hapësirën e saj ajrore.
Ministri i Jashtëm ukrainas Andrii Sybiha ka deklaruar se Rusia ka shkelur hapësirën ajrore të Moldavisë dhe Rumanisë, duke vënë në provë gatishmërinë e NATO-s.
Ministri ukrainas tha se në bashkëpunim me ministrat e jashtëm rumunë dhe moldavë "do të japin një përgjigje rajonale më të fortë dhe më efektive ndaj përpjekjeve cinike të Rusisë për të zgjeruar luftën që ajo vetë e filloi".
Rusia ka deklaruar se ka përçarje të thella në udhëheqjen e Ukrainës, pasi ministri i Mbrojtjes i shkarkuar së fundmi nga Kievi, Mykhailo Fedorov, kërkoi që Presidenti Volodymyr Zelensky të thërriste zgjedhje, pasi sipas tij, korrupsioni në qeveri mbetet i përhapur.
Sipas mediave të huaja, Zelensky ka pohuar se nuk mund të mbajë ligjërisht zgjedhje gjatë kohës së luftës. Nëse Ukraina nuk do të ishte në luftë, mandati i tij do të kishte skaduar në vitin 2024.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, u tha gazetarëve se Presidenti rus Vladimir Putin kishte thënë vazhdimisht se kishte nevojë për zgjedhje në Ukrainë dhe se pa fituar një mandat të ri, Zelenskyt i mungonte legjitimiteti i nevojshëm për të negociuar drejtpërdrejt me Rusinë.
“Regjimi i Kievit dhe kjo arenë kuazi-politike e regjimit të Kievit janë jashtëzakonisht heterogjene. Mund të shohim se shumë prej tyre, natyrisht, po përpiqen të peshkojnë në ujëra të trazuara”, tha Peskov.
"Disa thirren në demokraci dhe norma demokratike. Të tjerë as nuk përpiqen ta bëjnë këtë. Por de jure, situata është pikërisht ashtu siç e ka deklaruar vazhdimisht Presidenti Putin", shtoi ai.
Vendimi i Zelenskyy-t për të shkarkuar aleatin e tij të hershëm, Fedorov, 35-vjeç, në fillim të kësaj vere, vetëm gjashtë muaj pasi e emëroi atë, nuk u pëlqye nga publiku dhe shkaktoi protesta në rrugë.

Foto: Ursula von der Leyen
Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen ka reaguar pas rrëzimit të një droni rus në Rumani. Përmes një postimi në Telegram, ajo e cilësoi këtë gjë si ‘një luftë hibride’
“Sot, Rumania shkatërroi një dron detar të ngarkuar me eksplozivë pranë platformës Neptun Deep në Detin e Zi. Një përshkallëzim i kërcënimeve është duke u zhvilluar që shqetëson qytetarët tanë dhe synon të përçajë Unionin tonë. Kjo është luftë hibride”, shkroi Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen në Telegram.
Von der Leyen shtoi se mbeten në gatishtmëri për t’iu përgjigjur çdo kërcënimi.
“Misioni themelues i Unionit tonë është të ruajë paqen. Sot, kjo do të thotë gjithashtu të kesh aftësinë për të penguar provokimin dhe agresionin. Programi ynë Gatishmëria 2030 po mobilizon deri në 800 miliardë euro. Me Iniciativën Evropiane të Mbrojtjes nga Dronët dhe Eastern Flank Watch, ne po rrisim prodhimin në Evropë për t'u ofruar Shteteve Anëtare aftësitë që u nevojiten. Në këtë mënyrë, ne mund t'u përgjigjemi kërcënimeve në zhvillim me shpejtësi, unitet dhe vendosmëri”, shtoi ajo.

Ministri i Jashtëm ukrainas Andrii Sybiha ka deklaruar se Rusia me sulmet e saj kundër Ukrainës ka shkelur hapësirën ajrore të Moldavisë dhe Rumanisë, duke vënë në provë gatishmërinë e NATO-s.
"Këto nuk janë incidente të izoluara. Ato janë pjesë e sulmeve terroriste të qëllimshme dhe sistematike të Rusisë. Shteti agresor po e vë në provë gjithnjë e më shumë vendosmërinë e NATO-s dhe partnerëve të saj, duke shkelur sovranitetin e shteteve fqinje dhe duke i zgjeruar qëllimisht rreziqet e paraqitura nga lufta e tij përtej Ukrainës", tha ai.
Sybiha tha se në bashkëpunim me ministrat e jashtëm rumunë dhe moldavë "do të japin një përgjigje rajonale më të fortë dhe më efektive ndaj përpjekjeve cinike të Rusisë për të zgjeruar luftën që ajo vetë e filloi".
Sipas ministrit të jashtëm ukrainas, "përgjigjja kolektive duhet të jetë më e fortë se përpjekjet e Rusisë për të vënë në provë unitetin dhe vendosmërinë tonë".
"Siguria dhe stabiliteti i të gjithë rajonit janë në rrezik", tha ai.
-
E shihni sa te pa afte jan Ruset keta bombardojn banesa civile kurse Ukraina bombardon Ekonomine dhe dote mbushet Evropa me refugjate Rus mbbas shkaterimit te Federates dhe kjo mundet te ndodhi se shpejti.
Përgjigju









Komente
Komento