TIRANE - Personat me aftësi të kufizuar në prag të zgjedhjeve i kanë bërë apel politikës të kthejnë sytë nga ta. Mbi 120 persona me aftësi të kufizuara i kanë kërkuar partive politike të kthejnë vëmendjen te kjo shtresë sociale. Ata përveç miratimit të Projektligjit për Përfaqësimin e Posaçëm të Personave me Aftësi të Kufizuara, kërkojnë të bëhet një reformë e thellë në sistemin e pagesave dhe pensioneve të tyre.

Sinan Tafaj, Kryetar i Këshillit Kombëtar të Personave me Aftësi të Kufizuara në lidhje me shqetësimin e tyre është shprehur "Problemi i punësimit të personave me aftësi të kufizuara, i invalidëve të punës është një problem madhor dhe kërkon një skenë dhe mbështetje të posaçme, ndërsa financimi i aftësisë së kufizuar që nuk përmbush dot funksionet vitale duhet të jetë një gjë krejt e veçantë dhe e pavarur.

Përzierja e këtyre skemave ka krijuar një kosto të madhe dhe janë trajtuar të gjithë si persona të paaftë, ndërkohë që njerëzit e aftë për punë mund të mbështeten në programe të tjera dhe t'u krijohen shanse për punësimin e tyre", tha Tafaj. Për kreun e Këshillit Kombëtar të Personave me Aftësi të Kufizuara, një tjetër problem që duhet të marrë zgjidhje është edhe miratimi i statusit të personit me aftësi të kufizuara, për atë grup që ligji nuk i njeh si të tillë.

"Të vendoset një drejtësi sociale, në mbështetje të politikave sociale për personat me aftësi të kufizuar. Çka do të thotë personat që nuk dëgjojnë deri më sot ligji nuk i njeh si persona me aftësi të kufizuar, personat me probleme mendore gjithashtu kanë një seri problemesh të mëdha dhe të parregulluara me ligj.

Të bëhet një reformë reale, e plotë dhe e thellë në sistemin e pagesave Cash dhe pensioneve për invalidët e punës", thotë Tafaj. Kryetar i Këshillit Kombëtar të Personave me Aftësi të Kufizuara ka bërë me dije se personat me aftësi të kufizuar do ti bashkohen në 23 qershor asaj force politike që do të zbatojë platformën e kësaj kategorie.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 21.04.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)