BULQIZE- Në një kohë fshatrat po bashatisen, 64-vjeçari Hysen Gjoka nga Vajkali i Bulqizës vazhdon t’i përkushtohet me pasion dhe sakrificë blegtorisë.

64-vjecari kujdeset çdo ditë për tufën me140 krerë dele, duke e nisur punën që në orët e para të mëngjesit dhe e përfundon në oret e vona të mbremjes.

“I mbaj për qejf jo për hall. I kam prej 30 vitesh por dhe para meje i ka mbajtur baba por pas meje s’ka më njeri. Se të rinjtë nuk i duan bagëtitë”.

Puna me bagëtitë nuk ndalet asnjë ditë. Duhet të jesh pranë tyre në çdo stinë, në shi, dëborë apo vapë.

Për Hysenin, blegtoria nuk është thjesht një burim të ardhurash, por një mënyrë jetese që e ka shoqëruar për dekada. Megjithatë, vitet e fundit kushtet janë bërë gjithnjë e më të vështira. Çmimi per ushqimin e bagëtive ësht rritur ndjeshëm, ndërsa fitimet mbeten të pakta, aq sa është paga minimale.

“Unë zë kosin dhe djathin vetë dhe i shes me të njohur se s’ka treg. Po kështu edhe qengjat”, tha ai.

“Më del një rrogë mesatare rreth 50 mijë lek/ muaj, asgjë më shumë”, shton me tej.  

Subvecionet nuk mjaftojnë për të përballuar kostot e larta, ndersa ky sektor ka nevojë për më shumë mbështetje, në mënyrë që fermerët të mos detyrohen të pakësojnë tufat.

“Kosova jep 35 euro për kokë ne ketu marrim 12 euro për kokë, të cilat nuk dalin për të blerë as cerekun e misrit që duhet për ushqimin e bagëtive”.

Përveç sfidave ekonomike, Hyseni shpreh shqetësimin edhe për mungesën e interesit të brezit të ri për blegtorinë. Të rinjtë po largohen drejt qyteteve ndërsa fshatrat po mbeten pa krah.

Megjithë vështirësitë ekonomike, 64-vjeçari nuk mendon të heqë dorë nga zanati që e ka shoqëruar gjithë jetën. Ai vazhdon të kujdeset me përkushtim, duke dëshmuar se dashuria për tokën dhe blegtorinë mbetet ende e fortë në zonat verilindore te vendit.