104 vite mbi supe nuk e kanë kërrusur Xha Nikon, i cili na pret tek porta e shtëpisë. Ka lindur më 8 maj të vitit 1921. Asokohe u mbajtën zgjedhjet e para parlamentare në Shqipëri dhe deputetë u zgjodhen Ahmet Zogu, Fan Noli, Gjergj Fishta e Ndre Mjeda. Kjo pjesëz e historisë na vjen ndër mend teksa, Niqit Lami, ose siç e tharrasin të afërmit, Xha Niko, na tregon kartën e identitetit. Qeparoi i bukur i rivierës shqiptare është vendlindja e tij por prej disa vitesh jeton në Fier, tek e bija. Flet me dashuri për 3 vajzat dhe 7 nipërit e tij.

“Puna më ka pëlqyer, e kam dashur ashtu siç kam dashur jeten time. Kam punuar ne ndertim cdo lloje pune  te ndryshme deri te ustai. Sot gezoj shendet te mire. Kam  tre vajza, ato kanë shtate çuna. Kam ardhur tek vajza e madhe, ka familje shumë të mirë, i falenderoj”.

104-vjeçari Niqit Lami gëzon shëndet të plotë ka dhe një memorie shumë të mirë. Kujton se ishte vetëm 7 vjeç, kur u vendos monarkia dhe sot arrin të recitojë disa prej vargjeve të Himnit e Zogut.

“Festa e 28 Nëntorit në Qeparo, në kohën e Zogut festohej me madheshti. Fshati Qeparo ishte shume i bukur por e prishi lufta. Une u rrita dhe  kohët e ndryshuan, ekupacioni italian, lufta nacionale clirimtare”.

Pas Luftës së Dytë Botërore dhe instalimit të komunizmit, gjërat për nuk shkuan aq mirë sepse nuk pranoi të bëhej bashkëpunëtor i sigurimit.

“Nuk i pergjigjesha dot  kerksave te tyre  dhe denimi me i madh që mu bë kur më thiren dhe me kerkuan  te bashkpunoja me sigurimin.  Ajo dite ka qene dita e vdekjes per mua  dhe familjen time se nuk pranova sistemin”.

Nuk iu dha e drejta e shkollimit ndaj gjithë jetën ka punuar murator derisa ka dalë në pension, rreth viteve ’90-të. Xha Niko nuk nguron të japë mendimin e tij dhe për sistemin demokratik.

“E ashtuquajtura demokraci shqiptare nuk i zgjidhi problemet e vjetra. Pronën që ma shtetëzuan në diktaturë ende nuk e kam marrë sot e kësaj dite edhe pse kam fituar tre gjyqe. E kam në mes të Qeparoit, nuk ma japin!”, tha ai.

Kur e pyesim për sekretin e jetëgjatësisë, thotë se nuk ka vënë në gojë alkool, cigare as kafe.

“Bëj jetë normale, alkool s’kam pirë, duhan jo. Jetën e kam bere shume te rregullt. Haja dy feta buke ne dite, asnjëherë nuk ngopesha plotësisht. Kafet nuk i kam njohur, asnjehere nuk e kam pranuar te dal ne kafe”.

Me urimin “shekullofsh” ndahemi me xha Nikon, një burrave më jetëgjatë në vend. Sipas censit te popullsisë, 364 persona jane mbi 100 vjeç, prej tyre 63 burra e 301 gra.