Personazh/ Rovena, një ‘Ermonelë e vogël’ e Operas! Historia e sopranos nga fëmijëria në Peshkopi, tek magjia e Teatrit: Kënga, ëndrra e parealizuar e nënës

Prej dy vitesh e gjysmë, ditët e saj nisin në “Opera”. Rovena Xhelili është një nga sopranot e reja që po ngjit një nga një shkallët drejt roleve të mëdha. Për pasionin e këmbënguljen për muzikën lirike, shpesh e krahasojnë me një ‘Ermonela të vogël’, që rritet në Teatër.

“Në skenë kam ndjerë gjithmonë vetëm emocione pozitive”, shprehet sopranoja Rovena Xhelili.  

Thotë se po e kultivon të kënduarit, ëndrrën e saj të fëmijërisë, edhe për nënën e saj dhe babain që ka humbur fizikisht që në vegjëli.

“Ngacmimi i parë ka ardhur nga nëna, sepse ajo ka pasur një talent në të kënduar, dhe pse vetë nuk e ka zhvilluar dhe ka qenë gjithmonë pro që unë të merresha me muzikë. Më thoshte “çfarëdo që të ndodhi në jetë, sepse jeta ka shumë gjëra të papritura çaste të mira dhe jo të mira do të jesh gjithmonë duke kënduar”, thotë më tej këngëtarja.

Deri në moshën 9-vjeçare u rrit në Peshkopi të Dibrës, ku aktivitetet kulturore ishin të zbehta, dhe ekrani i televizorit ishte dritarja e vetme që i ushqente filizin muzikor që kish çelur në shpirt.

“Mbaj mend një këngë që ka qenë himn për Kosovën, “A vritet pafajësia” dhe ka qenë si kënga himn për mua kur kam filluar të këndoj”, shprehet më tej.

E ëma u përkushtua që Rovena të njihej që në fëmijëri, me vallen, baletin e natyrisht këngën.

“I kam provuar domethënë të gjitha gjinitë e artit”, thotë ajo.

Artistja Zina Zdrava, ishte ajo që njohu tek Rovena Xhelili talentin e të kënduarit dhe e inkurajoi në rrugën artistike.

“Ka qenë zysha ime e parë Zina Zdrava të cilën e falënderoj shumë, ajo ka dhënë impaktin e parë për mua për tu futur në muzikën operistike. Pasi ndoqa për disa vite muzikën e lehtë ajo më kanalizoi në muzikën operistike dhe më bëri që të konkurroja për në Lice”, tregon më tej.

Rrëfen se përvojat e hershme si ajo në Edicionin e dytë të Gjeniut të Vogël, i kanë shërbyer për të prekur magjinë e skenës, të duartrokitjeve të publikut

“Tani që e shikoj veten kaq të vogël në një skenë kaq të madhe e shikoj si një mundësi shumë të madhe që çdokush do ta ëndërronte. Mendoj se ka shkuar mirë në atë kohë në juri kanë qenë Robert Radoja, Gaqo Çako, Vikena Kamenica, që ndihem krenare se sot e kam kolege pranë vetes për të kënduar”, thotë sopranoja.

Në  Universitetin e Arteve  do të ndiqej vitin e parë nga sopranoja Mariana Lekaj, ndërsa më tej, nga pedagogu i kantos Agim Duro, i cili siç thotë e ka mbështetur që të provonte veten në gara, trajnime e natyrisht në “Opera” ku fillimisht u zgjodh si pjesë e korit.

“Profesori im ishte dakord që unë të provoja çdo lloj audicioni në Opera. Mora pjesë në disa audicione për Kor, pastaj debutova në Korçë me rolin e Adele tek Die Fledermaus”, thotë ajo.

Krahas Adele, ka interpretuar të tjera role si Freschita tek “Carmen” apo roli i djaloshit Oscar te “Ballo me masca”, Serpina tek “Serva padrona”, thotë se çdo skenë për të është e shenjtë.

“Unë e kam pasur mundësinë ta prek skenën e teatrit në disa role, dhe ka qenë një nder për mua dua ta vazhdoj duke u përmirësuar gjithmonë e më shumë. Sa herë bëj një rol ta bëj më mirë”, thotë Xhelili.

M.Q./KT/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kazakistan/ Rrëzohet avioni me 70 pasagjerë në bord! 6 të mbijetuar

Kazakistan/ Rrëzohet avioni me 70 pasagjerë në bord! 6 të mbijetuar