PRISHTINË- Në Komunën e Shtimes, Kosovë, u përuruan sot dy rrugë Hani-Muzeqinë-Koshare dhe Muzeqinë-Vojnofc me gjatësi nëntë kilometra, bën të ditur KosovaPress.
Ministri i Infrastrukturës, Fehmi Mujota, tha se "është një rrugë e standardeve të larta dhe që d t'i plotësojë kushtet jo vetëm për banorët e këtij lokaliteti të Komunës së Shtimes, por edhe më gjerë për komunikimin dhe transportin në gjithë Kosovën. Tashmë brenda këtij viti do të kemi edhe disa kilometra rrugë të ndërtuara, të rehabilituara dhe deri në qershorin e vitit 2015 do të mbyllim dikund rreth 80 kilometra rrugë të reja në rajonin e Ferizajit përfshirë këtu edhe Shtimen, Ferizajin dhe një pjesë të Kaçanikut. Janë arritje të mëdha dhe janë investime të mëdha dhe ne do të vazhdojmë të investojmë dhe të përkrahim autoritetet lokale për përmbushjen e obligimeve ndaj qytetarëve sikurse do të vazhdojmë në realizimin e projekteve të mëdha nacionale dhe mund të konfirmoj sot me kënaqësi para jush në më tepër se 100 projekte e ndërtime rrugësh punohet aktualisht në Kosovë, përfshirë këtu edhe punën 24 orëshe në autostradën Hani i Elezit ", tha Mujota.
Ndërsa, kryetari i Komunës së Shtimes, Naim Ismajli falënderoi ministrin Mujota për këtë projekt, duke thënë se po krijohen mundësi të mira për transport.
Projekti për këto dy rrugë kap një shumë prej rreth një milionë euro dhe kompania e cila kishte punuar në këto rrugë ishte Renelual Tahiri./ATSH/