Pesë autorë të huaj, ja si e
trajtojnë figurën e Skënderbeut

Pesë autorë të huaj, ja si e<br />trajtojnë figurën e Skënderbeut
Veprat historiografike shkencore mbi heroin tonë kombëtar Gjergj Kastriotin – Skënderbeun dhe ato artistike letrare mbi të njëjtin hero nga autorë qoftë vendas qoftë të huaj përbëjnë dy tipe punimesh vërte qartësisht të ndryshëm, por jo njëherazi edhe frontalisht të kundërt.

Që të shmanget rreziku i kundërvënies së tyre mekanike-globale, e n’anë tjetër që dallimi i tyre i domosdoshëm të ngrihet nga niveli intuitiv-empirik në atë analitikik-racional, këta dy tipe punimesh duhen shqyrtuar dialektikisht në mvarësi prej këtyre dy pyetjeve:
1. Këta dy tipe punimesh ç’janë në vetëvehte?
2. Këta dy tipe punimesh cilëvet qëllime finalë u shërbejnë përkatësisht pritet t’u shërbejnë?
Apo, që ta themi ndryshe, këta dy tipe punimesh duhen shqyrtuar nëpër dy prizmet në një anë të objektevet, e n’anën tjetër të destinacionevet të tyre.
Ndryshimi për nga objektet i këtyre dy tipeve punimesh duket vërte absolut, por ai në fakt është vetëm relativ. Ky ndryshim duket absolut, sepse: ndërsa historigrafi shkencor, mbasi të ketë gjurmuar dhe zbuluar materialet faktikë të jetës dhe veprimtarisë së një personazhi historik, këta materiale pastaj i përpunon historiografikisht në njohuri të veçanata dhe vlerësime të përgjithshëm; përkundrazi autori p.sh. i një romani historik apo drame  historike prej njohurivet të veçanta historiografike dhe vlersimevet të përgjithshëm historiografikë niset posi prej, të dhënash të gatshëme e madje posi prej, materialesh brutë për t’i përpunuar artistikisht në efekte qoftë vetëm kënaqësish estetike qoftë njëherazi edhe emocionesh moralë.

Por ky ndryshim përnga objektet i vepravet historiografike shkencore dhe atyre artistike letrare mbi të njëjtin personazh historik, i cili (ndryshim) duket kështu absolut, në fakt është vetëm relativ për këto dy arësye:
Historiografit shkencor nuk i lejohen gjetjet e hamendjes, e aq më pak frymëzimet e fantazisë. Ai mund të operojë vetëm me pohime të pakundërdëshmueshëm, kështuqë si të thuash hapësira e lëvizjevet të tija është nga më të kufizuarat. Prandaj sado të detaluara që të jenë njohuritë e veçanta, dhe largvajtës vlerësimet e përgjithshëm ku tashmë do të ketë arritur përpunimi historiografik shkencor i një personazhi historik prapëseprapë këto njohuri do të japin jo më shumë se vetëm konturet e një skeme a vizat e një skice: shndërrimi apo, më drejtë, tejkrijimi i kësaj skeme a skice në një portret të plotë a pasqyrë të gjallë është jo punë shkence, por vepër arti.
N’anë tjetër, siç na mëson estetika, çdo vepër arti përbën njëherazi edhe një kontribut njohës, një kontribut njohës vërte pa krahasim më fort veçantues se sa përgjithësues, por prapëseprapë një kontribut pikërisht njohës.

Tani, ja gjithashtu dy arësyet më kryesore, për të cilat ndryshimi përnga destinacionet i vepravet historiografike shkencore dhe i atyre artistike letrare mbi të njëjtin personazh historik është ende më relativ se sa ai përnga objektet e tyre:
Sikundërqë çdo vepër shkencore e më përgjithësisht çdo shkencë është e destinuar të shërbejë qoftë vetë prodhimit shoqëror (shkencat natyrore) qoftë bartësvet të tij (shkencat shoqërore), ashtu edhe çdo vepër artistike qoftë figurative qoftë letrare e më përgjithësisht çdo art ka për detyrë të bashkëndihmojë në edukimin estetiko-moral të pjestarëvet të shoqërisë.
N’anë tjetër nga të gjitha shkencat shoqërore ajo e historiografisë qëndron, përnga destinacioni i saj si “mësuese e jetës”, më afër me artin letrar. Këjo është kaq e vërtetë saqë jo vetëm në dy lëtërsitë antike greke dhe latine, por edhe në mjaft letërsi moderne, historianëvet të medhenj u njihet njëherazi edhe cilësia e letrarëvet të shquar.
Kështu p.sh. dy veprat përndryshe thjeshtë historiografike të Marin Barletit dhe Fan Nolit mbi Skënderbeun, përveç meritës madhore të përgjithshëme të stilit kurdoherë letrar, bashkëbartin jo pak pasazhe fortësisht emocionues e pra pastërtisht artistikë.
Veprat historiografike shkencore dhe ato artistike letrare mbi të njëjtët personazhe historikë janë jo për t’u kundërvënë në mënyrë absolute, por vetëm për t’u dalluar dialektikisht sepse sa në objektet aq në destinacionet e tyre, ato përbëjnë dy tipe punimesh gjithmonë pak a shumë të ndërlidhur midis tyre, prktatësisht plotësues të njëritjetrit.

Prandaj në vargun e aktivitetevet kushtuar kremtimit të 500-vjetorit të vdekjes së Skënderbeut në Republikën Popullore të Shqipërisë ka hyrë me plot të drejtë edhe shqipërimi i disave nga veprat artistike letrare të huaja mbi heroin tonë kombëtar.
 skederbeu
***
Brenda kësaj kumtese modeste, nga këto vepra, do të përfshihen vetëm pesë.
Në pjesën e parë të novelës “Skënderbeu”, nga francezi Zhan Bomart, shohim Krujën të rrethuar nga një ushtri e tërë turke, dhe të mbrojtur vetëm nga 700 luftëtarë shqiptarë me në krye Gjon Kastriotin. Ndyrja prej turqvet e të vetmit pus të të rrethuarvet (motiv historik i rënies së Sfetigradit) detyron mënëfund shqiptarët e përgjysmuar të çajnë rrethimin në drejtim të bregdetit, ku ata do të gjinden përballë trupavet detare turke, të cilavet pa ndonjë rezistencë të mëtejshme edhe do t’u dorëzohen. Përmbajtjen e pjesës së dytë të novelës e përbën jeta e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut njëherë si shatër i thesarit në pallatin e Sulltanit, pastaj si gjeneral i dëgjuar në ushtrinë turke, e mënëfund si ringadhënjyes i fronit te t’et.

Këtë novelë të këtyre dy përmbajtjeve makar të pabarabarta autori francez ia ka vënë në gojë një malësori verior Ali Duzë Çalamanit, simbas të cilit Gjon Kastrioti Sulltan Muratit, së bashku me të katër të bijtë, i paska dhënë peng edhe bashkëshorten, që qënka quajtur jo Voisavë por Elenë, e që paska vdekur jo në kështjellën e Kastriotëvet në Krujë apo e mërguar diku në Tesali, por në haremin e Sulltanëvet në Adrianopojë. Përmëtepër simbas Ali Duzë Çalanikut të Zhan Bomartit rrethuesit turq në të vetmin pus të të rrethuarëvet shqiptarë paskan hedhur: “bile edhe një derr të gjallë; kështu besimtarët e vërtetë që mbronin qytetin – dhe ata ishin të shumtë, - pranonin më mirë vdekjen se sa të preknin këtë ujë të përdhosur nga kafsha e ndyrë …” (fq. 8).
Thamë: përmëtepër, sepse, për Ali (nënvizojmë: Ali) Duzë Çalamanin e Zhan Bomartit, “besimtarët e vërtetë që mbronin qytetin” e që “ishin të shumtë” domosdo kanë qenë bashkëbesimtarët e tij pikërisht myslimanë.

Edhe në pjesën e dytë të novelës, autori, pa ndonjë motiv artistik të dukshëm, ka devijuar nga tradita makar historikisht e dyshimtë mbi fermanin e rrem për emërimin e Skënderbeut sundimtar të Krujës, duke shkëmbyer sekretarin e Sulltanit me kryekomanduesin e trupavet turke. Në të njëjtën pjesë i njëjti autor, në kundërshtim me të vërtetën historike, ka ekzaltuar figurën e despotit të Serbisë, Gjergj Brankoviçit si kundërshtar gjoja konsekuent të perandorisë otomane.

Për këto arësye, shënimin e Shtëpisë botonjëse: “Kjo novelë …, nuk përkon shumë me historinë e heroit tonë kombëtar” kumtuesi do ta rektifikonte kështu:
“Historinë e heroit tonë kombëtar kjo novelë herë e pason pamjaftueshëm, herë e çfytyron fare”. Por me kaq novelës objektivisht nuk i mohohen dot disa merita artistike, siç janë tabllote deri diku bindëse dhe skenat mjaft të gjalla që tregojnë për arbitraritetet e madje mizoritë e sulltanit despot, për ngritjen e praktikës së rryshfetevet në lartësinë e një sistemi shtetëror në perandorinë otomane, për pasigurinë jetësore të përminutshëme të njerëzvet të kastës sunduese e tjera; e sidomos krahasimet kontrastues përgjithësisht midis tipevet fizikë e moralë të agresorëvet dhe të vetëmbrojtësvet në avantazhin e thekësuar të këtyre të fundit, e veçanërisht midis Jeniçer Agait, vërte triumfues por të ç’njerëzuar dhe Gjon Kastriotit që mposhtet pa u çoroditur etj.
E dyta vepër, shqipëruar dhe shtypur me rastin e  500-vjetorit te vdekjes se Skënderbeut, është një roman i Xheims M. Ludllout.

Në origjinalin anglisht, romani është titulluar “The Captain etj.” që shpip don të thotë: “Kapiteni i Jeniçerëvet”, dhe nëntitulluar: “A Story etj.” që shqip don të thotë: “Një histori nga kohët e Skënderbeut dhe të rënies së Stambollit”; kurse në shqipërimin (vende vende pamjaftësisht të qartë) të Vedat Kokonës, ai bart titullin: “Konstandini dhe Morsinia”, dhe nëntitullin: “Një histori nga koha e Skënderbeut”.
Le të përpikënojmë menjëherë se “Kapiteni i Jeniçerëvet” në titullin e origjinalit është Bllaban Badera, historikisht shqiptar. Por, për motivet e vet thjeshtë artistikë, autori, qysh në kapitullin e dytë të këtij romani me një sfond historik përndryshe të pamohueshëm, Ballabanin e ardhshëm na e ka paraqitur si njërin nga dy djemtë Mihal dhe Konstandin të një serbi të quajtur Millosh, i cili në roman do të bashkëndihmojë fuqimisht për arratisjen e Skënderbeut nga kampi turk i betejës së Nishit.

Por, megjithë këtë liri që romancieri ka marrë me historinë, Ballaban Badera ç’ka qënë sipas historiografisë shkencore, ka mbetur edhe në koncepsionin e romanit: instrumenti më i përgjëruar i ekspansionizmit robërues otoman përgjithësisht në Ballkan dhe veçanërisht në Shqipëri, e si i këtillë armiku më mizor i lirisë së popullit shqiptar gjatë pothuajse tërë epokës Skënderbegiane.
Prandaj, megjithëse romanit në shqipërim i është këmbyer titulli nga “Kapiteni i Jenicerëvet” në “Konstandini dhe Morsinia”, e madje (së pakti deri diku) për shkak pikërisht të këtij këmbimi aspak të rastit, shtrohet pyetja: “Kapiteni i Jenicerëvet”, Ballaban Badera, a është vallë verevërte i vetmi protagonist kryesor i tërë romanit të Ludllout? –   Sikur të qe verevërte kështu, atëherë shqipërimi dhe shtypi i këtij romani me rastin e jubileut tonë kombëtar më solemn do të përbënte një keqkuptim e madje një kundërkuptim.

Themi kështu, sepse i vetmi protagonist kryesor i tërë një romani jo vetëm thjesht argëtues por edhe edukues, siç është në fakt romani i Ludllout, pritet patjetër të jetë edhe më pozitivi i të gjithë personazhevet të tij pozitivë. Por, fatmirësisht, në dy linjat e tij kompozicionale të argëtimit të lehtë dhe të edukimit të lartë, ky roman protagonistë kryesorë ka dy personazhe historikë karakteresh dhe vokacionesh krejt të kundërt: “Kapitenin e Jeniçerëvet” dhe “Gjeneralin Kastriot”, Ballabanin dhe Skënderbeun.
Karakterin dhe vokacionin e Ballabanit autori i romanit i ka konceptuar dhe realizuar si një mpleksje psikologjikisht aspak të papranueshme “virtytesh” vogëlerë dhe pavirtytshmërish madhore.
Qysh në kapitullin e dytë të një romani që ka 56-të të këtillë, autori na ka parkumtuar se djali më i madh i Milloshit, Mihali (Ballabani i ardhshëm) ëndërronte ende fëmijë që të bëhej “luftëtar i dëgjuar”, “luftëtar i pasur”, se ai “kishte një natyrë më pak poetike” nga vëllai më i vogël, Konstandini. Kësaj ëndrre fëminore të Mihalit Ballabani, gjatë gjithë karierës së vet: jeniçer i thjeshtë, pastaj kapiten i Jeniçerëvet, e  mënëfund kryeaga i tyre, do t’i qëndrojë besnik i patundur.
Ende nxënës në shkollën e jeniçerëvet, ai ka pasur rast të provojë në lëkurën e vet natyrën çnjerëzore të princit trashëgimtar; por këjo përvojë atë nuk do ta ndalojë që të autodisiplinohet shpirtërisht për të ushqyer dashuri ndaj padishahut të ardhshëm. Nëqoftëse më vonë Ballabani do të rebelohet kundër urdhërit të sulltan Mehmetit II që vetë ai (Ballabani), posikur të ishte ndonjë skllav, të fshikullonte admiralin e mundur të flotës turke në rrethimin e Stambollit, këtë rebelim atij do t’ia diktojë vetëm preokupimi për të mos komprometuar pandreqshëm prestigjin personal përpara jeniçerëvet të pranishëm.

Nëqoftëse më tutje Ballabani do të zhbindë sulltanin nga projekti për të emëruar atë (Ballabanin) kryeaga të jeniçerëvet, duke anulluar kështu privilegjin e këtyre të fundit për të zgjedhur ata vetë komandantin e tyre, ai do të veprojë në këtë mënyrë paradoksale, ngaqë, duke pasë balancuar shansat e situatës, do të pikasë se konflikti midis jeniçerëvet dhe sulltanit nuk i premton asgjë pozitive ambicjes së tij. Kur vret mëndjen jo pa sukses për të shpëtuar sulltanin nga këjo apo ajo situatë politike e mbarsur me rreziqe për perandorinë otomane përkatësisht për të nxjerrë atë nga ky apo ai qorrsokak ushtarak; kur tregohet luajal ndaj armës së jeniçerëvet ku bën pjesë; kur kalon në prapavijat shqiptare me misionin qoftë të diversantit të kobshëm (në roman është ai që hedh qenin e ngordhur në pusin e Sfetigradit), qoftë të zbuluesit ushtarak të nuhatjes së hollë, qoftë të intriguesit politik të kalibrit të madh; kur në beteja e sipër, gjithë duke komanduar trupat e jeniçerëvet kundër trupavet shqiptare, ndjek me aq zell taktikat e Skënderbeut saqë ky i fundit në roman thotë shprehimisht për atë: “ai ka mësuar metodat e mia më mirë se edhe vetë oficerët e mi” etj.; kurdoherë Ballabani udhëhiqet vetëm e vetëm prej egos së hipertrofizuar të një arrivisti vërte nga më të rafinuarit dhe energjikët, por ama prapëseprapë në analizë të fundit njëherazi edhe nga më ordinerët.

Deri në situatën më patetike kur i rindizet dashuria djaloshare për Mersinien atëherë më të gruaruar, Ballabani, arësyetimxhi i neveritshëm i interesit personal, llogaritar maniak i karierës personale, ridel menjëherë në siperfaqe:
“– Kam rënë në dashuri! Por jam i marrë! Sepse një njeri me ambicje nuk duhet të bjerë kurrë në dashuri; ai duhet të bjerë në ashuri vetëm në vetën e tij.” (fq.289)
Shkurt, karakteri dhe vokacioni, me të cilën Ludllou në romanin e vet ka pajosur “Kapitenin e Jeniçerëvet” Ballaban Baderën, shihet sheshit se janë të një tipi njeriu në thelb jo vetëm shpirtërisht mizerabël por edhe mendërisht meskin; - mizerje shpirtërore këjo e tija dhe meskinitet mendor ky i tiji, të cilët në roman dalin ende më fort në pah kundruall madhështisë morale dhe gjenialitetit të shumanshëm, me të cilët romancieri, në përputhje të përpiktë me të vërtetën historike, ka brumosur Skënderbeun. Madje në mbushullinë brendiore të këtij romani me të vëtetë poliedrik dallohet mjaft qartë një linjë e tretë kompozicionale: ajo e çiftit Konstandini dhe Mersinia.

Për këtë arësye kumtuesi titullimin e shqipërimit me emrat e tyre e gjen jo të papërligjshëm. Vërte romani është historik (aq sa mund të jetë historik një roman!); kurse këta dy personazhe në vetëvehte nuk janë të këtillë. Por të riun Konstandin dhe të renë Mersinia romancieri i ka pajosur jo vetëm me një pasion përvëlues për njëri tjetrin, por njëherazi e madje në rradhë të parë edhe me një kurajo legjendare në shërbim të një kauze së drejtë apo (siç e quan Konstandini këtë kauzë në roman) të “një kauze së shenjtë”: të kauzës së vetëmbrojtjes shqiptare kundër ekspansionizmit robërues otoman. Pastaj së pakti njërin nga këta dy personazhe romancieri e ka bërë deri diku historik, duke paraqitur Mersinien si të bijën e Muzaka Stresit. E mënëfund, ajo që në këtë mes ngre ende më fort peshë, mbrojtës të tyre vigjilent e madje prind të tyre të dytë romancieri ka bërë aq kolonelin Arnaud Kabiloviçin e ushtrisë shqiptare sa kryekomanduesin e saj lartësisht njerëzor dmth. vetë “Gjeneralin Kastriot”.
 
Vijon nesër
skederbeu
selman

Redaksia Online
(B.K/Shqiptarja.com)



 

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Behgjet Pacolli: Kam dy vajza nga lidhje jashtëmartesore

Behgjet Pacolli: Kam dy vajza nga lidhje jashtëmartesore