Nga fundi i Luftës së Dytë Botërore, dramaturgu gjerman, Bertolt Brecht, e vuri Galileun e tij të thoshte: “Mjerë ai vend që ka nevojë për heronj.” Një fjali, me të cilën shkrimtari i persekutuar nga nazistët denonconte kultin e ekzagjeruar të heroit në shtetet jo të lira. Brecht-i ishte thellësisht i bindur se në një vend liberal dhe demokratik njerëzit nuk kanë nevojë për heroizmin e një individi për të zgjidhur problemet. Përkundrazi. Në këto vende lypset përgjegjësia e individit, kulti i heroit është baras me bindshmërinë e verbër dhe kësisoj deri diku me një paaftësim të zgjedhur vetë.
Besimi tek një jetë më e mirë
50 vjet më parë u vra Martin Luther King. Predikuesi me ngjyrë që nuk pushoi së luftuari kundër padrejtësisë dhe Luftës së Vietnamit dhe për kushte të barabarta pune për zezakët. Ai që, megjithë dhunën ndaj tij dhe simpatizantëve të tij, mbeti paqësor. Dhe që deri sot u jep kurajë atyre që nuk kënaqen me gjendjen ekzistuese dhe besojnë se është e mundur një jetë më e mirë.
Pak ditë më parë, qindra mijëra protestues në Uashington dhe shumë qytete të tjera në Shtetet e Bashkuara protestuan kundër influencës së lobit të armëve. Drejtuar dhe organizuar nga ato studente dhe ata studentë të Parklandit që mbijetuan masakrën në shkollën e tyre. Vetëkuptueshëm u mblodhën pas fjalëve të Martin Luther King-ut. Vunë mbesën e tij nëntëvjeçare, Yolanda Renee King, që të thoshte fjalët e tij: “Unë kam një ëndërr”. Me 18-vjeçaren Emma Gonzalez, ata kanë në krye të lëvizjes së tyre një grua që duket si varianti i ri, modern, femëror i Martin Luther King-ut.
Heronj si Martin Luther King nuk çojnë në bindje të verbër. Përkundrazi, ata inkurajojnë dhe fuqizojnë individët. Ata bëjnë që pas tyre të krijohen bashkësi që janë më të fuqishme se një i vetëm. Që të mund të luftojnë kështu për më shumë ndikim politik.
Heronj si King-u japin shpresë
Mbi të gjitha, heronj si Martin Luther King japin shpresë. Shpresë se ia vlen të ngrihesh. Të dalësh nga zona jote e vogël dhe e mbrojtur, dhe të tregosh kurajë qytetare. Të solidarizohesh. Të krijosh rrjete dhe të mos dorëzohesh. Ata trondisin zonat e rehatisë së të privilegjuarve, apelojnë tek këta që të angazhohen.
Është pikërisht kjo energji, për të cilën ka nevojë Gjermania dhe shumë vende të tjera, që, megjithë kompleksitetin e kësaj bote, megjithë konfliktet e shumta që duken si pa rrugëdalje, shpresa të mos humbë. Është besimi te fuqia dhe mundësitë e një shteti demokratik. Shteti që për të funksionuar ka nevojë për qytetare dhe qytetarë të angazhuar. Dhe që nuk mjaftohet me kinse mungesën e alternativave.
Sot Martin Luther King nderohet në mbarë botën. Jo vetëm sepse ai arriti gjëra të mëdha në jetë. Por sepse është ende i nevojshëm deri më sot. DW